Të rejat nga bota e librit, Maj 2020

Koronavirusi vijon ndërsa numri i librave të rinj është pakësuar. Por mes librave të rinj ka disa që ne mendojmë se ia vlejnë. Këto janë të rejat nga bota e librit.

Shtëpia e Librit

Haruki Murakami, shkrimtari bashkëkohor japonez, është ndoshta shkrimtari më i dashur për shqiptarët sot, me një numër të lartë titujsh të sjellë në shqip dhe me shumë të apasionuar që presin me padurim librin e ri të tij. Javën e kaluar, romani Kur bie nata erdhi në shqip nga Skanderbeg Books me përkthimin e Artan Kuçit.

Një roman i shkurtër prej 160 faqesh, Kur bie nata është një nga krijimet e Murakamit me frymëzimin e jetës së njerëzve të zakonshëm nga Tokio e viteve 1980. Në qendër të romanit janë dy motra dhe aventurat e tyre në periudhën mes muzgut dhe agimit.

Shkrimtari bashkëkohor britanik Robert Harris erdhi për herë të parë në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese Papirus me përkthimin e Gjergj Erebarës. Imperium, pjesa e parë e sagës me tre vëllime që Harris shkroi mbi jetën, shakatë dhe intrigat e shtetarit të famshëm romak Markus Tulius Ciceroni, është një thriller politik që lexohet me një frymë dhe që mbart një dozë të bollshme humori, talljeje dhe diskretitimi të politikës, parë me sytë e ftohtë të Harris, një ish-gazetar politike që ka ndërthurrur intrigat e botës së sotme me historinë e Ciceronit. Ju mund të lexoni më shumë për këtë libër te blogu ynë ose mund ta porosisni këtu.

Shkrimtari austriak Peter Handke, i cili fitoi Nobelin mes debateve të shumta mbarëbotërore vitin e kaluar, erdhi në shqip me romanin Një brengë përtej ëndrraveKy është një libër në të cilin autori përshkruan përballjen që ai pati me vdekjen e së ëmës. Handke është një shkrimtar sa kontrovers për mbështetjen që i dha regjimit vrasës të Milosheviçit në ish-Jugosllavi aq edhe një i tillë që ka shtyrë kufijtë e letërsisë si sa i përket temave ashtu edhe sa i përket stilit të rrëfimit.

Pas një mungese të gjatë, rivjen në shqip Kushtrimi i të parëve romani legjendar i Xhek London, në të cilin, ethet e arit në Amerikën e Veriut shihen nga sytë e një qeni dhe historisë së tij të transformimit nga një qen i këndshëm shtëpie në një drejtues tufe ujqërish.

Kryevepra Sozia e Fjodor Dostojevskit u botua në shqip pak ditë më parë nga shtëpia botuese Fan Noli me shqipërimin e Myzejen Shapllos.

Mbi tiranine timothy snyder2
Mbi Tiraninë nga Timothy Snyder.

E fundit, por më e rëndësishmja për ne, Shtëpia e Librit solli në shqip një nga librat më të shumëshitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shumë vende të tjera. Mbi tiraninë: njëzet leksione nga shekulli i njëzetë është një libër në të cilat historiani bashkëkohor Timothy Snyder, një erudit që njeh dhjetë gjuhë dhe që është i specializuar në historinë e shekullit të njëzetë të rajonit tonë, merr përsipër t’i japë qytetarëve njëzet leksione që ai ka nxjerrë nga historia e dhimbshme e shekullit të kaluar, kur demokracitë e brishta u zëvendësuan nga regjime totalitare të ekstremit të djathtë apo të ekstremit të majtë.

Ju mund ta porosisni këtë libër te shtëpiaelibrit.com ose ta blini në libraritë kryesore të Tiranës duke filluar nga java e parë e qershorit.

You may also like...