Tensioni Shqiptaro-Jugosllav dhe ekzekutimi i pro-jugosllavëve në Shqipëri 1945-1948

Periudha e shkurtër nga viti 1945 deri më 1948 kur Shqipëria u bë një satelit i Beogradit, një situatë politike që përfundoi më 1948 me një kasaphanë të vërtetë, rrëfyer nga Libraria e Kongresit.

Tabela e lëndës

Tensioni Shqiptaro-Jugosllav

Deri në çastin e përjashtimit të Jugosllavisë nga Cominform (shih fjalorin)  më 1948, Shqipëria veproi si një satelit i Jugosllavisë dhe Tito synoi të përdorë kontrollin e tij mbi partinë Shqiptare për ta inkorporuar të tërë vendin në Jugosllavi. Pas tërheqjes së Gjermanisë nga Kosova vonë në vitin 1944, partizanët komunistë të Jugosllavisë morën kontrollin e provincës dhe kryen masakra ndaj shqiptarëve. Para Luftës së Dytë Botërore, Partia Komuniste e Jugosllavisë pati mbështetur transferimin e Kosovës në Shqipëri, por regjimi komunist i pasluftës në Jugosllavi këmbënguli në ruajtjen e kufijve të paraluftës të vendit. Pasi hodhën poshtë marrëveshjen e Mukjes më 1943 nën presionin e jugosllavëve, komunistët e Shqipërisë pranian të rikthejnë Kosovën te Jugosllavia pas luftës. Në janar 1945, dy qeveritë nënshkruan një traktat për ribashkimin e Kosovës në Jugosllavi si një provincë autonome. Shpejt pas kësaj, Jugosllavia u bë vendi i parë që njohu qeverinë e përkohëshme të Shqipërisë.

Në korrik 1946, Jugosllavia dhe Shqipëria nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi i cili u ndoq me shpejtësi nga një seri marrëveshjesh teknike dhe ekonomike të cilat vunë themelet për integrimin e ekonomive shqiptare dhe jugosllave. Paktet siguruan koordinimin e planeve ekonomike në të dyja vendet, standardizimin e sistemeve të tyre monetare dhe krijimin e një sistemi të përbashkët çmimesh krahas një bashkimi doganor. Kaq të  ngushta qenë marrëdhëniet Jugosllavo-Shqiptare sa serbokroatishtja u bë lëndë me detyrin në shkollat e mesme shqiptare. Jugosllavia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme miqësie me Bullgarinë dhe Marshalli Tito dhe Georgi Dimitrov folën për plane për të themeluar një federatë Ballkanike që duhej të përfshinte Shqipërinë, Jugosllavinë dhe Bullgarinë.

Këshilltarët Jugosllavë hynë në të gjitha zyrat qeveritare të Shqipërisë si dhe në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë. Tirana qe e dëshpëruar për ndihmë të huaj dhe rreth 20 mijë tonë drithë nga Jugosllavia ndihmuan në shmangien e urisë. Shqipëria përfitoi gjithashtu 26.3 milionë dollarë nga Administrata e OKB-së për Ndihmë dhe Rehabilitim menjëherë pas luftës por iu desh të bazohet te Jugosllavia për investime dhe ndihmë për zhvillim.

Qeveria e Jugosllavisë dukshëm i shikonte investimet në Shqipëri si investimet për të ardhmen e vetë Jugosllavisë. Kompani të përbashkëta Shqiptaro-Jugosllave u krijuan për miniera, ndërtim hekurudhash, prodhimin e naftës dhe elektricitetit si dhe tregtisë ndërkombëtare. Investimet jugosllave sollën ndërtimin e një rafinerie sheqeri në Korçë, një fabrike përpunimi ushqimor në Elbasan, një fabrike kërpi në Rrogozhinë, një fabrike konservash peshku në Vlorë, një kompani shtypshkrimesh, central telefonik dhe një fabrikë tekstilesh në Tiranë.

Jugosllavët nxitën ekonominë e Shqipërisë gjithashtu duke paguar tri herë më shumë se sa çmimi ndërkombëtar për bakrin shqiptar dhe materiale të tjera.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ranë, gjithsesi, kur shqiptarët filluan të ankohen se Jugosllavët po paguanin tepër pak për lëndët e para tëë Shqipërisë dhe po e shfrytëzonin Shqipërinë përmes kompanive të përbashkëta. Përveç kësaj, shqiptarët kërkuan fonde investimesh për të zhvilluar industritë e lehta si dhe një rafineri nafte, ndërsa Jugosllavët deshën që shqiptarët të përqendroheshin në bujqësi dhe nxjerrjen e lëndëve të para.

Kreu u Komisionit të Planit Ekonomik të Shqipërisë dhe një nga aleatët e Hoxhës, Nako Spiru, u bë kritiku kryesor i përpjekjeve të Jugosllavisë për të ushtruar kontroll ekonomik mbi Shqipërinë. Tito nuk kishte besim te Hoxha dhe intelektualët e tjetër në partinë shqiptare dhe, përmes Xoxes dhe besnikëve të tij, u përpoq t’i rrëzonte.

Më 1947, udhëheqësit e Jugosllavisë hartuan një ofensivë të plotë kundër komunistëve anti-jugosllavë të Shqipërisë, përfshirë Hoxhën dhe Spirun. Në maj, Tirana njoftoi arrestimin, gjykimin dhe shpalljen fajtor të nëntë anëtarëve të Asamblesë Popullore, që të gjithë të njohur si kundërshtarë të Jugosllavisë, me akuzën e aktiviteteve kundër shtetit. Një muaj më vonë, Partia Komuniste e Jugosllavisë përmes Komitetit Qëndror akuzoi Hoxhën se po ndiqte politika “të pavarura” dhe po kthente popullin shqiptar kundër Jugosllavisë. Siç duket në përpjekje për të blerë mbështetje brenda Partisë Komuniste Shqiptare, Beogradi i ofroi Tiranës 40 milionë dollarë kredi, një sasi e barabartë me 58 për qind të buxhetit të shtetit Shqiptar për vitin 1947.

Një vit më vonë, kreditë e Jugosllavisë qenë sa gati gjysma e buxhetit të shtetit. Marrëdhëniet u përkeqësuan në vjeshtë, gjithsesi, kur komisioni i Spirut zhvilloi një plan ekonomik që këmbëngulte te vetëmjaftueshmëria, industria e lehtë dhe bujqësia. Jugosllavët u ankuan ashpër dhe kur Spiru ra nën kritika dhe dështoi të marrë mbështetje nga çokush në udhëheqësinë e partisë shqiptare, ai kreu vetëvrasje.

Mungesë e rëndësisë së rolit shqiptar në botën komuniste u vu në dukje qartë kur kombet e Europës Lindore nuk ftoi partinë shqiptare në takimin themelues të Cominform në shtator 1947. Në vend të kësaj, Jugosllavia përfaqësoi Shqipërinë në takimet e Cominform-it. Megjithëse Bashkimi Sovjetik i dha Shqipërisë premtimin për të ndërtuar fabrika tekstili dhe sheqeri apo fabrikash të tjera si dhe i dha Shqipërisë makineri industriale dhe bujqësore, Stalini i tha Milovan Djilas, në atë kohë anëtar o lartë në hierarkinë komuniste të Jugosllavisë se Jugosllavia duhet të “gllabërojë” Shqipërinë.

Fraksioni pro-Jugosllav mbajti fuqi vendimtare politike në Shqipëri deri në vitin 1948. Në një plenum të partisë në shkurt dhe mars, udhëheqësia komuniste votoi për të bashkuar ekonomitë e Shqipërisë dhe Jugosllavisë si dhe ushtritë. Hoxha, i cili qe në thelb një oportunist, madje denoncoi edhe Spirun për përpjekjen e tij për të rrënuar marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Gjatë një takimi të Byrosë Politike një muaj më vonë, Xoxe propozoi t’i luteshin Beogradit të pranonte Shqipërinë si republika e shtatë e Jugosllavisë. Kur Cominformi përjashtoi Jugosllavinë më 28 qershor, gjithsesi, Shqipëria bëri një ndryshim të shpejtë të politikës kundrejt Jugosllavisë. Lëvizja natyrisht që shpëtoi Hoxhën nga një skuadër pushkatimi dhe natyrisht që e dënoi Xoxen me një të tillë. Tri ditë më vonë, Tirana i dha këshilltarëve të Jugosllavisë në Shqipëri 48 orë afat për të ikur nga vendi, anuloi të gjitha marrëveshjet ekonomike dypalëshe me fqinjin e vet dhe nisi një blic virulent anti-jugosllace që transformoi Stalinin në hero kombëtar të Shqipërisë, Hoxhën në një luftëtar kundër agresionit të huaj dhe Titon në një monstër imperialiste.

Shqipëria hyri në orbitën përreth Bashkimit Sovjetik dhe në shtator 1948, Moska ndërhyri për të kompensuar Shqipërinë për humbjen e ndihmave nga Jugosllavia. Ndryshimi rezultoi i mirë për Shqipërinë për shkak se Moska kishte shumë më tepër për të ofruar se sa Beogradi i varfër. Fakti që Bashkimi Sovjetik nuk kishte kufi të përbashkët me Shqipërinë qe gjithashtu joshës për regjimin e Shqipërisë për shkak se një situatë e tillë e bënte më të vështirë për Moskën të ushtronte presion mbi Tiranën. Në nëntor, në Kongresin e Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, ish partia Komuniste e Shqipërisë e riemëruar me sugjerimin e Stalinit, Hoxha ia hodhi fajin për problemet e vendit Jugosllavisë dhe Xoxes. Hoxha bëri që Xoxe të pushohej nga puna si ministër i punëve të brendshme në tetor, duke e zëvendësuar atë me Mehmet Shehun. Pas një gjyqi sekret në maj 1949, Xoxe u ekzekutua.

Spastrimet anti-titiste që pasuan në Shqipëri sollën likuidimin e katërmbëdhjetë anëtarëve të Komitetit Qëndror, nga 31 që qenë gjithsej si dhe tridhjetë e dy deputetëve të Asamblesë Popullore nga 109 që qenë gjithsej. Në tërësi, partia përjashtoi 25 për qind të anëtarësisë së vet. Jugosllavia iu përgjigj me një kundërsulm propagandistik, anuloi traktatin e miqësisë me Shqipërinë dhe në vitin 1950 tërhoqi misionin e vet diplomatik nga Tirana.

You may also like...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.