Thertorja nr. 29

Kjo dhimbje, kjo qasje ndaj vdekjes dhe tjetrit nuk ekziston as sot edhe pse ne na duket vetja më njerëzorë se sa dje. Ai monokratizim përmes së cilës ne shohim luftën dhe atë që ndodhi atje, ky mitizim në të cilin ne ndërtojmë festën tonë dhe natën e bardhë. Këto piktura dhe foto të vendosura krah monumenteve të gjalla të një harrese kolektive, janë ajo bota e ngujuar së cilës neve i rrotullohemi pa i ikur. Qoftë edhe ky debati shterpë përmes së cilit ne endemi për vite e vite me radhë, është një planet i çuditshëm ku koha nuk ecën por mbetet aty dhe ri përsëritet me të njëjtat ritme.billyPilgrim_bifano-485x702 (1)

Xhabyni

Rudolf Bultman është një ndër teologët më të famshëm të krishterimit, ai mbahet si një ndër themeluesit e procesit të “Jezusit historik” në teologjinë e krishterë. Sipas tij, Jezusi historik (i cili bazohej në argumente historike) ishte një personazh i cili duhej të zhvishej nga dogma e shenjtë që krishtërimi kishte vendosur mbi të përgjatë shekujve. Ndaj sot e kësaj dite, teologjia e krishterë e zhvilluar nën këtë demistifikim të Jezusit ia njeh atij parimet themelore të shkencës që ajo sot aplikon.

E përmenda Bultman, për të sjellë ndërmend përpara se ky shkrim të zgjatet akoma me tej, se njerëzit për hir të pranimit dhe kuptimit të botës dhe asaj çka e rrethon atë, kanë pranuar një demistifikim të një personazhi me vlera të mëdha universale si Jezusi. Afrimi i e atyre që konvencionalisht ne e quajmë “Festa e Çlirimit” e që kulmon me një parti gjigand të titulluar “Nata e Bardhë” nuk është gjë tjetër vetëm se një shpikje e cila na është servirur si diçka e cila realisht ka ndodhur. Në vitet e para ku kjo festë u hodh në treg, u rigjallërua ideja se partizanët kishin kaluar një ditë mjaft të gjatë e të vështirë derisa në agun e ditës së datës 29 Nëntor ato më në fund hoqën gjermanin e fundit nga Shqipëria. Në përkujtim të kësaj feste, na duhej që të festonim edhe ne (sepse ato na e kishin mundësuar këtë festim) deri në orët e para të datës 29 për të kujtuar në mes haresë, qejfit dhe ahengut këtë përpjekje partizanësh.

Kushdo që ka lexuar sado pak materiale nga historia apo shkrime të ndryshme e ka të qartë se një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur pikërisht kështu. Por, diskutimi nuk është thjesht nëse partizanët luftuan deri në agim ku gjermani i fundit iku nga kufiri (xhanëm ku ka qenë kjo vija e kufirit që iku gjermani?). Gjatë periudhës hoxhiste,  shqiptarëve iu ngulit në kokën e tyre (sepse ligjërimi publik qe i tillë) vetëm një variant historie, varianti i cili tregonte se partizanët kishin qenë ato të cilit me komandantin Enver Hoxha (i cili mbeti realisht edhe në tekst i vetëm pasi eliminoi fizikisht shokët e tij) çliruan vendin nga forcat okupatore. Mënyra dhe forma me të cilën shërbehej kjo luftë dhe betejë ishte e tillë që të krijonte përshtypjen e një populli i cili megjithëse shumë i vogël në numër i kishte bërë aq shumë hordhi makinës luftarake naziste sa që kjo e fundit jo pak herë ia njihte cilësitë. Enver Hoxha, paraqitej gjithashtu si një strateg gjenial që me aftësinë dhe cilësitë e tij të lindura (kini në mendje heronjtë e antikitetit greko-romak) udhëhoqi një ushtri luftëtarësh të paepur.

Me vëmendje po të hulumtohet ky mit i luftës nacional-çlirimtare, e kupton që ishte krijuar për të legjitimuar së pari ekzistencën e komunistëve (përkatësisht Hoxhës) në pushtet dhe po kështu për të legjitimuar forcën dhe udhëheqjen e tij edhe pas lufte. Duke i shpërblyer kjo luftë si një mburojë dhe si një shpatë për të goditur këdo që përpiqej që ta zhbënte apo minimizonte atë nga mejdani i luftës së dytë botërore. E gjithë kjo ngjizje mitike për luftën dhe komandantin e krijuar jo vetëm në historinë zyrtare të shtetit komunist por edhe në të gjitha veprat që shkroi Hoxha (e që ishin të detyrueshme për tu lexuar dhe absorbuar) u lehtësuan në objektivin e tyre edhe nga mungesa e miteve kombëtare deri në atë kohë. Kështu, lufta nacional çlirimtare (siç përmend Alex Standish) nuk është gjë tjetër vetëm se një produkt i krijuar nga një ngjarje që mund të ketë ndodhur shumë sporadikisht por që është zmadhuar në variantin e përrallës “Qimja që u bë tra!”.

Me gjithë rënien e komunizmit (si një sistem politik në vendin tonë), nuk mund të themi se demitizimi i shoqërisë sonë ndodhi në po të njëjtin stad apo hap. E vërteta e hidhur e këtyre viteve të tranzicionit ka dëshmuar se nuk kemi patur një reminishencë apo rivlerësim të të kaluarës kolektive. Për rrjedhojë edhe festat kolektive (si ajo e çlirimit me të cilën po merremi) vazhdon të festohet edhe predikohet në po të njëjtën mënyrë. Megjithëse, duhet vënë re se shumë historian të rinj janë përpjekur ta shohin raportin e luftës në fjalë në një këndvështrim të ri. Kjo, falë edhe dokumenteve të reja të zbuluara apo të vendosura në dispozicion nga arshivat e vendeve të ndryshme. Ato flasin për një drejtpeshim tërësisht të kundërt të historisë nga ajo çfarë kishim mësuar deri asokohe shqiptarët, por kjo nuk qe një betejë e kollajtë. Është e vështirë të mësohen shqiptarët se Enver Hoxha e kreu sulmin e fundit mbi Tiranë, kundër nazistëve, në vitin 1944 (sipas historianit Bernd Fischer) pas një letargjie të gjatë në të cilën ai bëri kalkulime politike se si do të vepronte pas largimit të nazistëve. Madje, po sipas Fischer, edhe armët që u shtinë ishin një spektakël përmes së cilës Hoxha tentoi të bindte popullin për luftën efikase dhe komandatllëkun e tij. Por këto nuk janë e vetmja provë, dëshmi të reja dolën në dritë për sulmet që Hoxha kish urdhëruar ndaj ballistëve, zogistëve, shqiptarëve të Kosovës e kështu me radhë. Duke na dhënë të kuptojmë se kjo lufta nacional çlirimtare paska qenë diçka më pak apo shumë se sa kaq.

  1. Billy Pilgrim

Amerika ishte vendi i cili me hyrjen e saj në luftë, do të ndryshonte tërësisht rrjedhën e saj, një nga ato vende që luftoi frontalisht me gjermanët, që ndikoi në thyerjen e tyre përfundimtare e që ndihmoi pashmangshmërisht edhe Stalinin, duke e furnizuar me armë. Por, megjithëse kjo luftë e nxori atë më të fuqishme se në fillimet e viteve 1900, qëndrimi skeptik nda vetë luftës që amerikanët kryen ishte jo pak i përhapur në kontinentin e largët. Ky skepticizëm mori më shumë jetë dhe kuptim gjatë periudhës së luftës së ftohtë ku trupat amerikane po zhvillonin beteja në Vietnam dhe Kore.

Për 23 vjet me radhë, një ish ushtarak i kapur peng nga nazistët dhe i transportuar në Drezden, mbajti përbrenda dhimbjen, ankthin dhe trishtimin që kish sjellë në shpirtin e tij bombardimi nga ana e aleatëve të qytetit të Drezdenit. Gjatë gjithë këtyre viteve atij iu desh të krijonte dhe fantazonte një botë tërësisht tjetër përmes së cilës ai të kishte mundësinë dhe dëshirën për të lëvizur para dhe pas në kohë, duke i mundësuar atij të shihte me sytë e kujtesës (e jo vetëm) atë që kish ndodhur në vitin e largët të atij bombardimi ku nga faqja e dheut u zhdukën sa hap e mbyll sytë me mijëra njerëz. I gjithë ky pështjellim, që fitimtari Pilgrim, përjetonte brenda fitores ndaj një të keqe të patjetërsueshme si ajo e nazizmit e mundonte pambarimisht atë.

Nën këtë dritë, mendohem dhe ri mendohem se si është e mundur që askush nga ato të cilët përjetuan atë tmerr të asaj që ndodhi në Shqipërinë e viteve 1939-1990 të mos kishte mundur që të shkruante qoftë edhe një rresht nga ajo vuajtje apo dëshpërim të zvetënimit të ëndrrave të tyre. Kjo lloj qasjeje shpirtërore ndaj të shkuarës dhe asaj për të cilën luftuam, e cila medoemos duhet të jetë edhe personale sa kolektive, na ka ndrydhur (njësoj si Billy) në një të kohë të caktuar duke na penguar qoftë të shkojmë tek e shkuara jonë ashtu edhe tek e ardhmja. Asnjë prej nesh duket se nuk e ka zbuluar atë planetin e alienëve, në të cilën mendja udhëton për të mirëkuptuar dhe perifrazuar atë që kryem dje, sepse përndryshe do të kishim patur pak pendesë për të djeshmen.

Kjo dhimbje, kjo qasje ndaj vdekjes dhe tjetrit nuk ekziston as sot edhe pse ne na duket vetja më njerëzorë se sa dje. Ai monokratizim përmes së cilës ne shohim luftën dhe atë që ndodhi atje, ky mitizim në të cilin ne ndërtojmë festën tonë dhe natën e bardhë. Këto piktura dhe foto të vendosura krah monumenteve të gjalla të një harrese kolektive, janë ajo bota e ngujuar së cilës neve i rrotullohemi pa i ikur. Qoftë edhe ky debati shterpë përmes së cilit ne endemi për vite e vite me radhë, është një planet i çuditshëm ku koha nuk ecën por mbetet aty dhe ri përsëritet me të njëjtat ritme.

  1. E ka jeta

Kam patur tendencën, e jo vetëm unë me sa di, që ta quajë shoqërinë tonë, një shoqëri kancerogjene. Kanceri i së cilës zhvillohet me metastaza të fuqishme, e që shumë pak ka mundësi të shërohet, sidomos në gjendjen aktuale me mendimet aktuale.

Personazhi i romanit, të përmendur më sipër, ka një takim interesant me një historian të universitetit të Harvard. Këtij të fundit personazhi fantastik i këtij romani (i cili personifikon edhe aleteregon e Vonnegut) i tregon për bombardimin e Drezdenit, bombardim që historiani e justifikon me një keqdashje që jo pak herë më kujton atë keqdashje që historianët e djeshëm justifikojnë sot veprimet e djeshme të luftës që përfolëm më sipër.

Definitivisht, jeta i ka ngjarje të tilla, është shumë e vështirë të ndërtosh një shoqëri që funksionon në kahun e duhur pasi mendja e saj është mbushur nga një lugë çorbe e prishur. Por natyra e njeriut, ajo parehatia e të vuajturit nga e djeshme e errët dhe e mbushur me shumë hije dhe dyshime, duhet të ngacmojë sa do pak shpirtrat aspak të qetë që jetojnë sot. Nuk mundet dot një luftë, me gjasat më të mëdha të ketë qenë mes vëllezërve, të kalojë si një anekdotë me ballistë e partizanë. Ku të parët hanin pula poshtë shkëmbit dhe të dytët vrisnin katallanë nga shpati në shpat.

Lufta është e pisët, më thoshte dikush, është e padrejtë dhe nuk mund të ketë fitimtarë shpirtërorë në atë mes. Nuk do të ishte e denjë që ne të mos përkujtonim fitoren ndaj nazizmit, por le të jetë kjo fitore atëherë kur të gjithë e kanë, data 9 maj.

Të përkujtosh këtë fitore në një datë ku shqiptarëve iu vendos një diktat që i vrau më shumë se sa nazizmi, të përkujtosh këtë fitore në një datë ku vulosen sa e sa të vrarë nga fitimtari drejt humbësit dhe kategorizimi i këtyre vrasjeve me shprehjen se edhe në Francë kanë vrarë. Do të thotë të nënvlerësosh jetën.

Thashë, në paragrafin e parë se jemi një shoqëri kancerogjeneve. Aleksandër Sollzhenjicin, në romanin e tij “Pavioni i Kancerozëve” shprehet se vendi dhe shoqëria mund të shpëtojnë nga kanceri vetëm përmes frikës. Por jo frikës për të jetuar, mendoj se e ka prej frikës për të mos hequr ende jetë njerëzish…qofshin këto jetë të një kohe të shkuar.

You may also like...