Thethi, rikthim te origjina

Publikuar më Hene, 29 Shtator 2008 10:26:00

Udhëtim në luginën e Shalës, vendit të mirënjohur për turistët e huaj dhe aspak të njohur për shqiptarët

Gjergj Erebara

Ironikisht, në Enciklopedinë Shqiptare të botuar këtu e tre dekada më parë, shkruhet: “Thethi është fshati i parë që është lidhur me rrugë automobilistike me qytetin që në vitin 1923”. Them ironikisht, për shkak se në disa javë më parë, kur u nisa për të vizituar Alpet shqiptare, rrugën për në Theth e gjeta si në gjendjen e vitit 1923, ku nuk pata mundësi të tejkaloj shpejtësinë e 12 kilometrave në orë, për më shumë se 30 kilometra.

Ato 30 kilometra ishin me të vërtetë një rrugë e përshkuar metër pas metri. Ecje aq ngadalë sa kishe kohë të dalloje çdo gur mbi rrugë nga njëri-tjetri. Për më shumë se dy orë e gjysmë, harroje se makina ka një marsh të dytë, ndërsa nervat duhet t’i kesh të çelikta.

Por, ndërsa ne shqiptarët dembelë ankohemi vazhdimisht për mungesën e rrugëve dhe e konsiderojmë si shkaku kryesor pse kemi harruar emrin e shumë zonave malore të vendit, saqë vizita të tilla të rralla shfaqen nëpër gazeta si reportazhe nga vende ekzotike, për mijëra të huaj duket se nuk është rruga problemi. Miku im Ismail Beka, një njeri pasionant që përpiqet të krijojë biznes në zona të humbura si Thethi, më kujtoi se qe e lehtë të vizitoje zemrën e Alpeve shqiptare, vendin ku thuhet se është origjina e të gjithë shqiptarëve. Mjafton të bësh si qindra çekë, të ecësh në këmbë për 70 a më shumë kilometra, duke ndaluar ku të mundesh e duke u kthyer në Mesjetë. Një eksperiencë e jashtëzakonshme që zor se mund të përjetohet gjëkundi tjetër në Europë.

Thethi

Thethi gjendet 180 kilometra larg Tiranës, nga të cilat, 150 kilometra janë të asfaltuara, ndërsa 30 kilometrat e fundit janë të paasfaltuara. Nuk këshillohet të nisesh për në Theth me një makinë të ulët. Rreziku i dëmtimit të makinës është shumë i lartë. Thethi gjendet mu në mes të atij masivi shkëmbor prej 2400 kilometrash katrore, (tetë për qind e sipërfaqes së vendit), që mbulohet nga Alpet. Merrni hartën e Shqipërisë, dilni në veri dhe gjeni mesin. Pikërisht aty, rrëzë maleve më të larta të Shqipërisë, gjendet Thethi. Në fund të gushtit, sido që vera e këtij viti qe goxha e nxehtë, sapo ngjit rrugën e paasfaltuar në Qafën Buni i Thorës, dallohen në horizont gropa të stërmëdha malore ende të mbuluara nga dëbora. Në Theth bie shi shumë më shpesh sesa në pjesën tjetër të vendit. Temperaturat zakonisht janë më shumë se dhjetë gradë më të ulëta se në Tiranë. Për vizitorin nga Tirana, këshillohet se nëse vendosin të udhëtojnë për në Theth, duhet ta kenë parasysh se nuk ka shumë gjëra për të bërë, përveçse për të ecur, për të ngjitur male e për të ndenjur. Kur mbërritëm, rreth orës dy të pasdrekes, pyetëm se ku gjendej qendra e fshatit. Prek Harusha, i zoti i shtëpisë së mikpritjes ku ne qëndruam, na u përgjigj shkurt: “Këtu! Këtu ka qenë gjithmonë”.

Shtëpia e familjes Harusha është njëra prej dhjetë a dymbëdhjetë familjeve të Thethit që mikpresin e strehojnë turistë. Siç dallohet edhe nga fotoja, ka tre dhoma me nga katër krevate secila e nga dy banja. Gratë dhe vajzat e familjes vështirë se mund të shihen. Janë shumë të zëna me punë. Burrat kanë më shumë kohë në dispozicion për të qëndruar nën hijen e një molle duke pirë kafe e duke kuvenduar. Me naivitet prisja që Thethi të kishte një qendër fshati, ku shqiptarët mblidhen e kuvendojnë në një kafe. Në Theth nuk qe një e tillë. Gjithsej 15 familje (ekonomi), jetojnë atje përgjatë gjithë vitit. Janë të ndara në katër apo pesë lagje.

Fshati është vendosur në skaj të luginës së Shalës dhe është rrethuar nga të katër anët nga male të larta me maja të zhveshura. Dy rrugë të dërgojnë për në Theth. Njëra nga Shkodra për në Koplik e Razmë, tjetra përgjatë luginës së Shalës. Të dyja rrugët kanë të njëjtën gjatësi, rreth 80 kilometra nga Shkodra, me përjashtim të faktit se ajo nga lugina e Shalës është e tëra e paasfaltuar dhe se mund të hajë deri në shtatë orë.

Duket sikur është fundi i botës, por në fakt nuk është kështu. Janë qindra dhe mijëra të huaj që vijnë në Theth gjatë verës për të ngjitur male apo për të kryer udhëtime rraskapitëse në këmbë. Shumica dërrmuese e tyre janë nga Republika Çeke. Disa prej tyre kishin hapur çadrat në oborrin e Prekës. Dy vajza po rrinin aty, ndërsa tre djem ishin nisur që pa gdhirë për të kapërcyer malet shqiptare për të mbërritur në Valbonë. U habitën kur panë vendës që kishin shkuar në Theth. Vendësit na treguan për një anglez që thuhet se është i fiksuar pas Thethit dhe kalon atje gjashtë muaj në vit, duke kaluar nga një shtëpi te tjetra. Nuk patëm mundësi ta takonim se qe larguar dy ditë më herët.

Malet që rrethojnë Thethin janë me të vërtetë mbresëlënëse. Ato më shumë se male janë shkëmbe të stërmëdha të përhime. Kur bie shi, nuk arrin të dallosh qiellin nga majat. Ato quhen “Bjeshkët e Namuna” për shkak se janë krejtësisht të zhveshura nga bimësia si dhe mungojnë burimet ujore mbisipërfaqësore. Përreth Thethit gjenden disa nga malet më mbresëlënëse të Shqipërisë, Jezerca, Radohima etj.

Fshatari shqiptar në kushtet e vetëmjaftueshmërisë

Familjet që jetojnë në Theth nuk kanë ndonjë kontakt të dukshëm me tregjet. “Vetëm familjet e varfra marrin mundimin të shkojnë në Shkodër për të shitur prodhimet bujqësore”, – thotë Sofia, vajza e vogël e Prekës. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, për shkak se rrugët janë shumë larg. “Këtë vit këtu bëri shumë vapë. Rrushi, molla dhe gjithçka tjetër u prish”, – më shpjegon Preka, ndërsa bëhemi gati të flemë së bashku me largimin e diellit, për shkak se poçi me energji elektrike në Theth ndriçon më pak se një qiri. Kur e pyes se pse nuk përdorin pesticide, më thotë se arsyeja është më e thjeshtë nga sa duket. Janë tepër të shtrenjta për xhepin e tyre.

Në mungesë të daljes në treg dhe sigurimit të parasë kesh nga shitja e prodhimeve, fshatarët e zonës duket se po kthehen në kushtet e vetëmjaftueshmërisë. Gjithçka që nuk e prodhojnë dot vetë, e kanë me pakicë ose nuk e kanë fare. Në vend të sheqerit, përdorin mjaltin. Nga ushqimet e blera në treg janë vetëm mielli, kripa e vaji. Në këto kushte, ndihma e USAID-it dhe Asistencës Teknike të Qeverisë Gjermane GTZ, ngjan me një mrekulli të vërtetë. Familjeve të Thethit u janë dhuruar pajisje hidrosanitare, dyshekë e gjëra të tjera të nevojshme. I mësuan të hapin dyert për turistin bredharak të ditëve tona, t’i japin strehë, bukë e zemër dhe në këmbim të marrin pak para. Turistët që mbërrijnë aty nuk e fshehin dot habinë kur gjejnë një banja të bollshme e të pastër, ujë të ngrohtë e me presion. Te libri i mbresave të familjes Harusha, cilësia e banjës qe përmendur nga një numër i madh turistësh. Thethi mund të vizitohet në pak muaj verë. Malet e larta bëjnë që dielli të lindë shumë më vonë nga pjesa tjetër e vendit e të perëndojë më herët. Gjatë dimrit, ka raste kur fshati izolohet tërësisht. Rruga e rregulluar nga Kopliku për në Theth mbulohet nga dëbora, ndërsa rruga tjetër bëhet gjithashtu shumë e vështirë. Një prift italian përgjegjës për zonën e Shalës, shkon të shtunave në Theth për të mbajtur meshë dhe gjatë dimrit, kur rruga bëhet e pakalueshme edhe për makinat e larta, përshkon 13 kilometra rrugë në këmbë për të kryer detyrën e tij shpirtërore. Aktualisht, shumë organizata jofitimprurëse kanë projekte për gjallërimin ekonomik të luginës së Shalës. Së bashku me pak fonde, ato po sjellin edhe kulturën e harruar të punëve komunitare. Në Theth, bashkësia e vendësve ka arritur të ndërtojë dy ura druri mbi lumin Shalë, dhe për këtë nuk ka pasur nevojë për fonde, sepse gjithçka ka qenë produkt vendës.

Fshatarët e Shalës ankohen tashmë para së gjithash për mungesën e shkollës fillore dhe për mungesën e dritave. Thethi ka një hidrocentral të vockël që ka filluar punë në vitet ’60. Tashmë nuk është më në gjendje të ndezë as poçe. “E si mund t’i shërbejmë turistëve pa pasur energji elektrike?!”, ankohet Preka. Ai tregon se vetë ministri i Brendshëm z.Nishani pati vajtur atje dhe pati premtuar se diçka do të bënte për hidrocentralin e Thethit. Por ndërkohë që qeveria ka shumë pak arsye të kujtohet se në Theth po humbet shenja e fundit e civilizimit, pra furnizimi me energji elektrike, investitorët privatë duket se kanë shkuar për ta parë atë hidrocentral të vogël me idenë se mund ta marrin me koncesion. Edhe ata e kishin gjetur të paleverdishëm. “Shkollën e kemi rregulluar, por nuk ka mjaftueshëm nxënës”, – thotë Preka.

I marketizuar më së miri

Thethi dhe lugina e Shalës janë marketizuar më së mirë në tregun ndërkombëtar të turizmit dhe duket se nuk është dashur shumë mund nga qeveria për një gjë të tillë. Punonjës organizmash të huaj, aventurierë dhe dashamirës, kanë prodhuar një sasi të bollshme informacioni në internet mbi gjithçka që ka nevojë ai që dëshiron të udhëtojë për herë të parë drejt Thethit. Fotot e bollshme të publikuara krijojnë përshtypjen e një vendi plot kanione, ujëvara dhe spektakle natyrore mbresëlënëse. Alpet e Shqipërisë ka gjasa të kenë qenë që nga kohët e vjetra më së shumti të marketizuara në perëndim sesa në Shqipëri. Që nga koha kur Lord Bajroni përshkoi Shqipërinë me kuaj në një itinerar që për ne sot është i paimagjinueshëm, pra nga Shkodra përmes Alpeve për në Tropojë, Kukës, Peshkopi etj., shumë aventurierë perëndimorë e panë si një mënyrë e këndshme për të kaluar kohën e lirë. Vitin e kaluar, një çift shkrimtarësh britanikë kryen të njëjtin udhëtim me atë që pati përshkuar Bajroni dhe prodhuan një film e një libër mbi udhëtimin. “Nga Thethi për në Valbonë, mban gjashtë orë në këmbë. Unë nuk kam shkuar kurrë, sepse nuk kam ndonjë punë për të kryer atje, por turistët çekë e bëjnë shpesh atë udhëtim”, – thotë një banor i Thethit.

Së fundmi, një projekt kërkimor nga kolegji Millsaps në SHBA që kryen studime në zonën e luginës së Shalës, ka rritur ndjeshëm shikueshmërinë e zonës në botën e internetit. Antropologët amerikanë arrijnë të kapërcejnë alpet edhe në mes të dimrit, duke sfiduar dëborën dhe kushtet e vështira të motit. Dhe ajo çfarë mund të na habisë ne shqiptarët, është që për të bërë Alpet tërheqëse për turistët e huaj, nuk është aq e nevojshme të ndërtosh rrugë, sido që qeveria shqiptare ka prezantuar një ide mbi të ashtuquajturin “Korridori Transalpin” një autostradë që duhet të përshkojë malet për të lidhur Kosovën me Shkodrën. Lugina e Rrugovës, një luginë e ngushtë ku buron Drini i Bardhë, është jo shumë larg më këmbë nga Thethi. Për gjashtë apo shtatë orë, mund të mbërrish në Pejë. Vendësit thonë se një farë rruge do të hapet ose është në plan të hapet për të lidhur Thethin me Kosovën. Por ndërkohë, turistët e huaj duket se e pëlqejnë më shumë zonën e Alpeve ashtu si është. Një cep i Europës ku mund ta ndjesh veten si në Mesjetë dhe ku mund të praktikosh jetesën e thjeshtë. Harroni restorantet dhe konsumerizmin kur të shkoni në Theth.

Plane për Valbonën

Tashmë që Thethi është bërë një magnet për turistët Europianë, GTZ po mendon se si të zhvillojë aventurën malore shqiptare, duke financuar riparimin e shtëpive dhe ndërtimin e infrastrukturës turistike në Valbonë e në anë të tjera të Alpeve, duke iu mundësuar turistëve të kryejnë udhëtime të gjata dhe të përshkojnë të gjithë Alpet nga deti Adriatik deri në Kosovë ose Kukës. Por synimi më ëndërrimtar duket se është zhvillimi i sporteve dimërore. Zona mund të kthehet në një destinacion turistik për ski e sporte të tjera, por për këto lloj planesh, duhet të presim edhe ca kohë të tjera.

Lokali Malësorja

Gjergji është pronari i një lokali simpatik që gjendet diku 30 minuta larg në këmbë nga Qendër-Thethi. Duket se nuk është fort mirë me kujtesën. Lokali është një platformë druri pranë lumit. Një sistem i thjeshtë rrote mulliri duket se është krijuar me qëllim që ujët e vrullta të Shalës të rrotullojnë hellin e qengjit a kecit të pjekur. Kur ne mbërritëm, Gjergji na tha se qe mbyllur. Pasi këmbëngulëm disi, tha: “po shkoj të marr çelësin në shtëpi”. U desh nja një orë që ai të kthehej. Jo se shtëpia qe larg, por se kishte pushuar ca pasi kishte mbërritur. Kur u kthye, pata rastin të shoh magazinën e lokalit të tij. Një arkë e vogël ku gjendeshin ca kanace kokakole e fante. Pasdreke, pesë të rinj shkuan te lokal Malësorja me një mision të veçantë. Do të trajnonin Gjergjin si të sillej me turistët. Do t’i jepnin një menu në anglisht.

Menuja e Thethit

Për mëngjes, të zotët e shtëpisë ofrojnë për turistët bukë shtëpie të mrekullueshme, çaj mali, mjaltë të freskët, gjalpë dhie dhe reçel. Siç është zakoni, pas mëngjesit mund të pish një kafe turke. Për drekë e darkë, ofrohet një gjellë me mish, sallatë e shumëllojshme me perime të freskëta, patate të skuqura e speca të mbushur, si dhe një gotë kos dhie. Kush e ka qejf pijen, mund të shijojë verën e shtëpisë së Prekës ose raki.

Më shumë turistë në Theth

Rajoni i alpeve shqiptare, përbën padiskutim një destinacion të rëndësishëm turistik te njohur edhe në nivel ndërkombëtar. Kombinimi i resurseve dhe bukurive natyrore të jashtëzakonshme me traditën e mikpritjes së komunitetit lokal, janë padiskutim kapaciteti më i madh i zhvillimit të turizmit në këtë rajon.

Thethi përbën edhe një model të veçantë si një destinacion turistik që vitet e fundit ka filluar të njohë rritje të ndjeshme. Natyrisht është krejt e pamundur të evidentosh numrin e saktë të turistëve, por banorët e Thethit dhe veçanërisht familjet pritëse referojnë për më shume se 4.000 turistë që qëndrojnë për një ose më shumë net qoftë në familje ose me çadra individuale.

Ajo që është e veçantë për Thethin është fakti që në këtë rajon dominojnë turistë të rinj nga të gjitha vendet e Europës dhe deri në USA. E veçanta e dytë është fakti që nëse në Shqipëri në çdo 100 turistë, 90 janë shqiptarë, (nga Kosova, Maqedonia apo emigracioni), në Theth në çdo 10 turistë, 9 janë të huaj.

Thethi ka arritur të bëhet një projekt model, si rezultat i një bashkëpunimi të mrekullueshëm të realizuar me komunitetin lokal dhe me të gjithë partnerët shqiptarë e të huaj që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin e turizmit në Theth. Ne shpresojmë që së shpejti projekti do të zgjerohet në Kelmend dhe Valbonë me të njëjtat principe dhe do të mundësojmë që në verën e vitit 2009, zonat më të rëndësishme të Alpeve shqiptare të ofrojnë një standard shumë më të mirë për pritjen e turistëve. Burimi: GTZ

You may also like...