Thomas Piketty akuzon Financial Times për pandershmëri

French economist Thomas PikettyEkonomisti francez që ka tronditur botën së fundmi me një libër mbi pabarazinë ekonomike akuzoi gazetën britanike Financial Times për kritika qesharake dhe të pandershme. Ai qe akuzuar nga Financial Times se ka bazuar kritikat e tija mbi kapitalizmin në shifra të gabuara apo se ka zgjedhur shifrat sipas qejfit për të mbështetur konkluzionet e veta.
Libri i tij Kapitalizmi në Shekullin e 21 sugjeron se kapitalizmi për nga natyra krijon pabarazi në të ardhura dhe mirëqënie, pabarazi që zgjerohen në mënyrë të pashmangshme deri sa shpërthejnë në kriza të dhunshme shoqërore.

Gjatë dekadave të fundit, shumë ekonomistë kanë argumentuar se rritja e pabarazisë është një fazë kalimtare që ndodh në fillim të epokës kapitaliste dhe që vjen duke u zbutur më vonë deri sa të bjerë në nivele të pranueshme. E djathta në SHBA dhe Europë ka kryer shumë kritika ndaj librit në fjalë, por akuzat e Financial Times për referim të dhënash statistikore të gabuara apo të përzgjedhura në mbështetje të argumentit, qenë më të rëndat.
Financial Times është vënë nën kritika për këtë konkluzion nga shumë ekonomistë, përfshirë të përjavshmen liberale Economist, e cila argumentoi se kritikat janë të pabazuara në fakte dhe të gabuara. Vetë Piketty, në një letër dërguar Financial Times, tha: “FT po tregohet qesharake për shkak se të gjithë bashkëkohësit tanë po e shohin se pasuritë e mëdha janë shtuar më shpejt. Megjithëse të dhënat e disponueshme nuk janë perfekte, kjo nuk e dëmton argumentin qëndror mbi pabarazinë në rritje. Financial Times po tregohet e pandershme duke sugjeruar se kjo ndryshon konkluzionet që unë jap, kur në fakt nuk ndryshon asgjë,” tha ai.
Piketty i ka publikuar të dhënat e përdorura në internet, një praktikë e njohur kjo e publikimeve ekonomike të sotme, ku të interesuarit mund të kryejnë analizat dhe verifikimet e veta.
“Nuk kam dyshim se statistikat historike mund të përmirësohen dhe do të përmirësohen në të ardhmen… por do të jem shumë i habitur nëse ndonjë nga konkluzionet e mija mbi ecurinë afatgjatë të shpërndarjes së pasurisë do të ndryshojë si pasojë e kësaj,” tha Piketty.
Libri i tij përdor të dhëna për dy shekuj dhe njëzet vende për të treguar se si bota perëndimore po rikthehet te nivelet e pabarazisë që kanë ekzistuar gjatë periudhës 1871-1914, e njohur në histori si “Epoka e Bukur”. Ai është bërë një libër i shumëshitur dhe objekt debati politik në shumë vende. Ai është mbështetur dhe nga shumë ekonomistë të tjerë, përfshirë nobelistin Paul Krugman. “Çdokush që imagjinon se i gjithë nocioni i rritjes së pabarazisë në pasuri është hedhur poshtë, ka shumë gjasa që do të zhgënjehet,” tha ai. Krugman tha se ka prova të pafundme për rritjen e pabarazisë nga shumë burime përpos Piketty.
Scott Winship, ekonomist në Institutin e Kërkimit mbi Politikat në Manhatan, një institucion me prirje të djathta, dhe kritik i njohur i analizës së Piketty, tha se akuzat e FT nuk qenë “të rëndësishme për pyetjen themelore nëse teza e Piketty është e drejtë apo e gabuar”. Ai shtoi se është e vështirë të ngresh akuza për manipulim faktesh për shkak se Piketi ka bërë shumë më tepër se sa të tjerët kur i ka publikuar të gjitha të dhënat e përdorura për analizë në internet.

You may also like...