Tirana e çibanëve

rama-ne-t-300x202

Nga ditari personal për një qytet të rrjepur (Xhabyni)

Këto ditë, lajmet kanë folur mbi disa ndërtime pa leje që fadromat e INUK kanë prishur edhe në Tiranë. Ironia është se shumica e ndërtimeve pa leje drejtori i INUK edhe kryeministri aktual duhet t’i kishin prishur kur të dy ishin në postet e drejtorit të INU edhe atë të krye bashkiakut.

Siç, e dimë ato as që u lodhën për t’i prishur ato ndërtime madje në lëmin e madh të ndërtimeve që e shndërruan qytetin në një gjëndër të madhe kanceroze dhe pluhuri kanë edhe ato gishtin e tyre. Megjithëse tani, përmes ndonjë cinizmi bajat, fotoje të postuar në rrjetet sociale apo ndonjë komenti pa shije po përpiqet të rishkruhet historia e këtij qyteti. Ato, fajtorët edhe përgjegjësit kryesor të degjenerimit të qytetit edhe qytetarëve (për shkak të sjelljes së tyre në krye të posteve) po përpiqen të na bëjnë të harrojmë.

 

Mbase është fati jonë, që kryeministri i vendit banon pranë një moçali që është shndërruar i tillë në kohën kur ai ka qenë në bashki, e që më në fund u kujtua që gafën e tij ta rregullonte shpejt e shpejt. Sikundër edhe për lokalet e baret e ndryshme që kishin zaptuar pronën publike pranë zonës së Inxhinierisë së Ndërtimit. Të gjithë sa më sipër janë pjesë e dështimeve të tij, në një qytet që e mori për vite të tëra edhe nga shkaku se kish prishur kioskat e Lanës.

Nëse do ta lija mendimin tim këtu, do të tregohesha i pandershëm me veten. Sepse, përpos fajit të Ramës, i cili pas prishjes së Lanës u përpoq në maksimum që të ndërtonte pasurinë e tij edhe pushtet politik për veten. Faji është edhe diku gjetkë. Ai është këtu, pranë kryetarit të ri të Bashkisë, i cili me një paaftësi (kështu mendoj ta përkufizoj) e ka shndërruar këtë qytet në një katrahurë të vërtetë.

Ka shumë për të shkruar për Bashën edhe për lehtësinë më absurde të mos qeverisjes së tij. Por duke qenë se zgjedhjet janë përpara, do të kemi kohë të merremi në detaje me punën e tij. Ndaj ta ndalim frymën tek çibanët…të cilët dihet se janë të Ramës (një pjesë e mirë) por që Basha fare mirë mund t’i rrafshonte kur erdhi në Bashki për t’ia kthyer qytetin qytetarëve.

Basha, jo vetëm që nuk i rrafshoi por një pjesë e mirë e këtyre lokaleve e zgjeruan akoma më tej pushtimin e pronave publike, e uzurpimit të atyre hapësirave që ne si qytetarë paguajmë taksat tek bashkia. Nëse nuk i paguan atëherë përfundon keq! Prandaj më duket qesharake komenti i këtij të fundit.

Askush nuk e di arsyen, le të themi, që Basha nuk e prishi tendën pas kolonave tek sheshi Italia. Akoma më qesharake më duket edhe prej faktit se vetëm gjatë zgjedhjeve të vitit të shkuar në qytetin e Tiranës janë ndërtuar një numër shumë i madh godinash pa leje të cilat gjenden lehtësisht në faqet e internetit. Asokohe, kryetari i bashkisë (si edhe bashkia) ishin të zënë me hallin e zgjedhjeve por ama fare mirë pas shtatorit mund të kishin ushtruar pushtetin e tyre për t’ia rikthyer qytetin qytetarëve të Tiranës.

Tani, Rama ka nisur fushatën e tij elektorale për bashkinë e Tiranës duke pastruar ato çibanë që lejoi të ngriheshin vetë ndërkohë që Basha thjesht përpiqet të justifikojë paaftësinë e tij për të kryer detyrën për të cilën u zotua.

Kjo është komedia e qytetit, i cili nuk vuan nga qytetarë të paaftë por nga manaxhues që hiqen sikur s’e kanë shkatërruar atë edhe nga të tjerë që hiqen sikur nuk janë në pushtet.

You may also like...