Tirona Fanatics rrezikojnë të shpërbëjnë mazhorancën
Fakti që kandidati jozyrtar për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, qe sot në stadiumin “Qemal Stafa” për të ndjekur bardh e blutë e kryeqytetit tërhoqi vëmendjen e shumë politikanëdashësve. Mirëpo ajo që habiti më së tepërmi, sipas gazetarit tonë, ishte çasti kur tifozat e Tirona Fanatics nisën të këndonin “Erjon Braçe bibilushi…lalala”.
Mësohet, se në këto momente, kandidati jo zyrtar i socialistive është ngritur në këmbë dhe ka filluar të këndojë edhe ai “Erjon Braçe bibilushi…lalalala”. Kjo duket se ka habitur jo vetëm shoqëruesit e tij por edhe kolegun Balla i cili pasi e tërhoqi prej mënge e detyroi të ulej në stol.
Nga burimet pranë kandidatit jozyrtar, mësohet se arsyeja që e shtyu të ngrihej atë ishte dëshira e tij për të qenë sa më pranë “Fanaticsave” gjatë koreve të tyre. Mirëpo i menjhershëm qe edhe reagimi i Erjon Braçes i cili mësohet t’i ketë kërkuar z. Veliaj një interpelancë për reformën e pensioneve të enjten e ardhshme. Firmat, zoti Braçe mësohet se do t’i mbledhë nga tifozat e Partizanit që ndodhen në parlament dhe gjithashtu edhe prej deputetëve të Laçit.
Pas çështjes Doshi, kjo është një tjetër minë me sahat e vendosur pranë mazhorancës së një milion votave që rrezikon shpërbërjen.