Trishtim dhe kujtime në vendlindjen e Garcia Marquez

Merchan paints a portrait of Colombian author Gabriel Garcia Marquez in front of a museum converted from the house Garcia Marquez grew up in, at AracatacaHELEN MURPHY, Reuters

Arakataka, Kolumbi, 19 prill 2014

Qyteza e përgjumur kolumbiane ku lindi Gabriel Garcia Marquez dhe nga ku ai u frymëzua të shkruajë “Njëqin Vjet Vetmi” mbajti zi për autorin nobelist të vetin të premten me muzikë, qirinj dhe lule.

Një ditë pas vdekjes së Garcia Marquez, kushëriri i tij Nicolas Ricardo Arias pa edhe një herë fotografitë e vjetra dhe rikujtoi me buzëqeshje takimet e rralla familjare kur djali i famshëm i Arakatakës u kthye në shtëpi.

“Unë e mbaj mend atë me uiskin dhe shakatë e tij,” thotë Aria, 78 vjeç, i ulur në një poltronë në shtëpinë e tij modeste në qytezën pranë brigjeve të anës kolumbiane të detit të Karaibeve, “Kjo është një ditë speciale trishtimi dhe kujtimesh… Sot ne thjeshtë kujtojmë Gabrielin.”

Garcia Marquez, i cili vdiq në shtëpinë e tij në Qytetin e Meksikës të Enjten, kaloi vitet e para të jetës së tij në Arakataka dhe mori disa nga personazhet e tregimet e tij nga ky vend, veçanërisht në kryeveprën “Njëqind Vjet Vetmi”.

Dhjetëra vetë u mblodhën të premten duke krijuar një tempull lulesh dhe qirinjsh në një copë tokë ku ai pati lindur. Muzikantët i ranë kitarrës dhe kënduan ballada në kujtim të jetës së tij.

“Ne dëgjuam që ai vdiq dhe erdhëm këtu,” tha një nga banorët, Sara Parodis, ndërsa sajonte flutura të verdha në copa letre, një tribut për tufën e fluturave që shfaqeshin në romanin klasik sa herë që dashuria e ndaluar e personazhit afrohej.

“Ky është fundi i një epoke shumë të rëndësishme,” tha Parodis ndërsa ngulte njërën prej fluturave të saj në xhaketën e njërit prej vajtuesve.

“Njëqind Vjet Vetmi” tregon historinë epike si ëndërr të shtatë gjeneratave të familjes Buendia në fshtatin Makondo, i cili në praktikë është Arakataka.

Garcia Marquez tha se ai i nxorri historitë nga ato që i tha gjyshja e tij kur qe fëmijë, përlot me folklor, supersticion dhe elementë mbinatyralë.

Romani shiti mbi 30 milionë kopje dhe e ndihmoi Garcia Marquez të fitojë çmimin Nobel për letërsi në vitin 1982 si dhe popullarizoi zhanrin e realizmit magjik. Në këtë roman, personazhet vizitohen nga fantazmat, një murtajë pagjumësie përmbledh Makondon, një prift ngrihet nga toka dhe një fëmijë i një çifti inçestuoz lind me një bisht derri.

Magji e vyshkur

Ky roman e bëri Arakatakën të famshme dhe tërhoqi pelegrinë letrarë që shpresonin të absorbonin një pjesë të energjisë magjepsëse mbi të cilën ai pati shkruar.

Por ka shumë pak magji në Arakataka sot, dhe nuk ka më shenja të pasurisë së bananeve që përfshiu Kolumbinë e veriut në fillim të shekullit të 20.

Ndërtesat e betonit kanë zëvendësuar shtëpitë elegante prej dërrase dhe zyrat e pronarëve të plantacioneve, sloganet politike janë përplasur nëpër mure dhe banorët qëndrojnë nëpër cepa rrugësh duke pirë birrë e duke u ankuar se qeveria dështoi në përdorimin e mundësisë që krijoi fama e Garcia Marquez.

Një kopje prej druri e shtëpisë së gjyshërve të tij përpiqet të krijojë ndjesinë e të shkuarës. Komentet e tij shfaqen në postera të mëdha mbi krevatin e tij ndërsa pjatat në dhomën e ngrënies janë vendosur mbi tavolinë sikur po presin që ai të bashkohet për darkë me familjen.

Fotot tregojnë kushtet e tmerrshme me të cilat përballeshin punëtorët në plantacionet e bananeve përreth, kushte që sollën grevën dhe masakrën e vitit 1928 me mijëra viktima. Ai e paraqiti kasaphanën te Njëqind Vjet Vetmi dhe përdori emrin real të oficerit ushtarak që udhëhoqi sulmin, Gjeneralit Cortes Vargas, i vetmi emër historikisht i saktë në të gjithë romanin.

Që nga vdekja e Garcia Marquez të enjten, ngushëllimet për të kanë ardhur nga presidenti i SHBA-ve Barack Obama, ish-presidenti Bill Clinton si dhe poetë, presidentë e njerëz të famshëm nga e gjithë Amerika Latine. Ai qe autori më i famshëm dhe i dashur i rajonit, i njohur me dashuri si “Gabo”.

“Kur dikush si ai shkruan në atë mënyrë, ai të lidh ty me personazhet si vëllezër dhe të bën ta duash atë a thua se e ke njohur,” thotë  Arturo Covarrubias, një muzikant 46 vjeçar mariachi në një panair libri në Qytetin e Meksikës të premten.

“Vepra e burrave si ai është e pavdekshme,” tha presidenti i Kubës Raul Castro. Garcia Marquez qe i majtë që flirtoi me komunizmin dhe qe mik prej shumë dekadash me udhëheqësin revolucionar të Kubës Fidel Castro, vëllai i Raulit.

Në Arakataka, banorët dukshëm janë krenarë për djalin e tyre por disa ndjejnë se ai mund të kishte bërë më shumë për të lehtësuar varfërinë këtu.

“Ai nuk solli asgjë në qytet. Ne kemi shtëpinë e tij dhe disa murale, por asgjë tjetër,” thotë Osvaldo Bergara, ndërsa shet ujë në një cep rruge pranë shtëpisë.

Por të tjerë, si kushëriri i tij Nicolas, thotë Garcia Marquez nuk është fajtor dhe se korrupsioni vendor ka prerë potencialin e qytetit.

“Është krejtësisht e padrejtë, ai dha dhe administrata e mori por nuk bëri asgjë,” tha Arias, duke bërë me shenjë nga rrugët e përbaltura që përmbysin shtëpinë e tij gjatë stuhive. “Ne nuk kemi as drenazhim. Është qeveria që duhet të paguajë për këtë, jo Gabo.”

“Ai më pyeste mua ‘Si është Arakataka?’ dhe unë i thoja: ‘Është e braktisur.’ Kjo e trishtonte atë.”

Garcia Marquez la Arakatakën për të shkuar në shkollë të mesme dhe nuk jetoi më kurrë aty, megjithëse e vizitoi vendin me raste.

Ndërsa lavditë e të shkuarës për Arakatakën kanë rënë, banorët sërish rikujtojnë tregimet e gjyshërve të vet.

“Gjyshja ime më ka folur për muzikë dhe kërcim në shesh, për pronarë polantacionesh që vinin dhe vizitat e Gabos,” tha Parodis. “Kujtimet janë nga një kohë tjetër.”

 

Të disponueshme në shqip nga Marquez:

Njeqind vjet vetmi

Dashuria ne koherat e koleres

Kolonelit s’ka kush t’i shkruaje

 

You may also like...