Ulëritëset vitet ’20 dhe letërsia
Vitet ’20 të shekullit të kaluar ishin një periudhë lulëzimi të gjithanshëm në Shtetet e Bashkuara. Ekonomia lulëzoi pas kthimit nga lufta e parë botërore të miliona ushtarëve, mashtrimi me vuajtjet e familjeve të të vrarëve lulëzoi gjithashtu. Lulëzoi krimi i organizuar, u shpik termi “pastrim parash”, lulëzoi edhe letërsia e artet. Ato u quajtën më vonë Roaring Twenties ose përafërsisht, Të zhurmshmet apo Ulëritëset vitet ’20.
Jo gjithçka ishte e lidhur me luftën. Në vitin 1919, Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi atë që u quajt, neni i tetëmbëdhjetë i kushtetutës, ose ligji kundër alkoolit. Vendimi qëndroi në fuqi për më shumë se një dekadë dhe në vend që të ndalonte vesin, i dha mundësi lulëzimit të krimit.
Shkrimtarët dhe artistët duket se e panë veten të frymëzuar nga ky realitet i larmishëm. Pati dy lëvizje të mëdha letrare të krijuara në këtë kohë: Gjenerata e Humbur, një grup amerikanësh që pëlqyen të jetojnë në Europë dhe banuan më së shumti në Paris dhe Rezistenca e Harlemit, një rilindje kulturore e afro-amerikanëve me bazë në lagjen Harlem të Nju Jorkut.
Shpikja e radios masivizoi shijimin e muzikës me një shjeshtësi dhe kosto ekonomike shumë më të ulët se sa më parë ndërsa industria e filmit lulëzoi gjithashtu.
Gjenerata e Humbur është termi që sociologët amerikanë përdorin për gjeneratën e njerëzve që vuajtën luftën e Parë Botërore dhe në kuptimin fjalë për fjalë do të thotë më shumë: gjenerata e çorientuar, gjenerata në konfuzion apo gjenerata pa drejtim. Ernest Hemingway, Francis Scott Key Fitzgerald apo Gertrude Stein ishin personat kyçë pas lëvizjes letrare që mori këtë emër.
Në kujtmet e tij Një Festë Lëvizëse (1964), publikuar pas vdekjes së Hemingway dhe të Stein, Hemingway shkruan se Stein e dëgjoi këtë frazë nga një riparues makinash francez. Kur një mekanik i ri dështoi ta riparojë makinën e Stein, punëdhënësi i tij i tha: “Ti je një génération perdue“.
Kur Stein ia tregoi ngjarjen Hemingway, ajo shtoi: “Pra, ja çfarë jeni ju. Ju të gjithë të rinjtë që shërbyet në luftë jeni një gjeneratë e humbur”.
Në vitin 1926, Hemingway publikoi librin Dhe Dielli Lind, i cili e popullarizoi termin. Romani tregon jetën e gjeneratës së amerikanëve që jetojnë në Europë pas lufte.
Personazhet në këtë roman janë duke kaluar ditë dhe netë të çmendura, nga festat në Paris te betejat e demave në Spanjë. Por Hemingway e bën të qartë në gojën e një personazhi të tij: “Ti nuk mund të shpëtosh nga vetja nëse ikën nga një vend për te një vend tjetër.”
“Ulëritëset vitet Njëzetë” u përdor më vonë nga historia për të cilësuar një karakter të dalluar kulturor të viteve 1920, jo vetëm në qytetet amerikane por edhe në Berlin e Paris. Ajo ishte një periudhë dinamizmi artistik, kulturor dhe ekonomik. Gjerësisht besohet se Depresioni i Madh i vitit 1929 shënoi fillimin e fundit të kësaj periudhe.
Në arkitekturë, këto vite i dhanë jetë lëvizjes Art Deco, ku modernizmi u kthye në modë. Xhazi u bë një muzikë zemërimi. Në vitin 1925, Fitzgerald publikoi Getsbin e Madh i cili ishte njëkohësisht një tregues i kulturës së atyre viteve dhe një kritikë e saj.
Me origjjinë nga Europa, Art Deco u përhap në Amerikën e Veriut në mes të viteve ’20 ku u zhvillua në një drejtim të ndryshëm nga Europa. Ekspresionizmi dhe më pas surealizmi u bënë stilet e parapëlqyera të artit dhe letërsisë në Europë. Kjo ishte edhe periudha gjatë së cilës muzikantët e xhazit migruan nga Nju Orlinsi për të pushtuar metropolet e mëdha amerikane, gjë që popullarizoi këtë muzikë, por edhe i dha asaj drejtime të ndryshme. Xhazi ishte gjithashtu edhe muzika e afro-amerikanëve dhe u bë një kontribut madhor i afro-amerikanëve në kulturën e Shteteve të Bashkuara.
Radio u bë mjeti kryesor i komunikimit në këtë periudhë. Dhe kjo solli edhe ndryshimin e madh me komunikimin më herët. Radio u bë një mjet me një qendër që flet dhe miliona njerëz që dëgjojnë, një ndryshim masiv nga komunikimet ballë për ballë më herët. Ndërsa nga njëra anë radio u bë një mjet dëfrimi për masat, ajo u bë gjithashtu një mjet jashtëzakonisht novator për propagandën. Në Itali, fashistët arritën ta përdornin radion me sukses për të dërguar propagandën e tyre deri në dhomën e gjumit të popullit italian.