Vrasës në Sheraton
Undercover Reporter
Një sms kërcënuese e Mark Frrokut, deputet i Parlamentit të Shqipërisë, drejtuar ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, në mbrëmbjen e 31 janarit, më riktheu në Sheraton, në të vetmin hotel që njihet ndërkombëtarisht me 5 yje, në Shqipëri (dhe që i ka false dy). Me sa më kujtohej, kam qenë aty, në vjeshtën e vitit 2012. Damir Fazzlic, njeriu që vendoste për marrëveshjet energjitike e që merrte pjesë në mbledhje të Këshillit të Sigurisë së qeverisë shqiptare, erdhi për pazarin e radhës. Si në të gjitha vizitat e tij të shumta, strehohej në vendin e tij të preferuar, Sheraton.
Nuk kam aspak qejf të pi kafe aty, jo se nuk është e shijshme, por ajo pika e zezë e kafesë të kthehet në zeher, sapo hedh sytë vërdallë. Gjindja aty është gjithmonë e së njëjtës rracë. O ajo e fermave të pispillosura të cilat kanë thyer takat nëpër rrugën me gropa, për të shitur pak tangërllëk ndërkombëtarisht, o i të fortëve, që jo pak rrallë herë kanë në dorë fatet e këtij vendi.
E kur them të fortë, nuk e kam fjalën për vrasës që nuk ua bën syri tërr të hedhin në erë kryetar gjykatash apo dhe biznesmenë të fuqishëm. Me to merren cunat e Ministrit të Brendshëm, si i pëlqen atij t’u drejtohet efektivave të policisë. Jo, aspak fare, se kam fjalën për këto soji kriminelësh. E kam fjalën për atë lloj tjetër rrace, që kaparadisen në Sheraton, e që asnjëherë, njerëzit e ligjit nuk kanë guxuar t’i prekin. Për atë llojë rrace që fitojnë imunitet, qoftë dhe me një mijë shuplaka, e që gjithë fodullëkun e tyre e shprehin, jo vetëm se si demostrojnë prezencën. Ngritja e zërit, është tipari dallues i tyre, të treguar se janë ata që vendosin, qoftë për fatin e një drejtori në kanalizime apo edhe një mësuesi që duhet të edukojë brezin e ri e që do të ketë në dorë të ardhmen e këtij vendi. Sa më i lartë zëri aq më u fuqishëm duket së është zaptuesi i radhës së hapësirave të Sheratonit. Veç tyre janë dhe burrat e pushtetit të katërt, që ua ka ënda të gjerpinë kafe e të diskutojnë me zell e pathos që nga historitë e dashnorëve e deri tek politika e madhe, ku veç mendje si ajo e kokave të tyre mund të depërtojnë.
Ja për këto arsye nuk shkoj në Sheraton, edhe pse aty gjithë përulëri sheh një sërë diplomatësh të huaj, që përpiqen me mish e më shpirt të paqtojnë, jo vetëm sherrexhinjtë e politikës shqiptare, por edhe të sigurojnë dy kacidhe që të mbajnë frymën gjallë gjindja e këtij vendi, në zemër të të cilit ka hotelin me 56 suita. Këta të huajt as që bien në sy fare. Një Zot e di se ç’mendime ju vijnë vërrdallë tek shohin këto personazhe të veshur firmato dhe me makina super të kushtueshme, në ato pak metra katror, jo shumë larg të cilëve shtrijnë duart e ngrira të vobektit që zënë trotuaret, për një kafshatë bukë. Ky nuk është realitet që njihet në Sheraton. Madje të zotët e makinave, mbi 100 mijë euro, janë kujdesur të vënë xhama të zinj, në mënyrë që mënxyra e jashtme mos t’u vrasë sytë. Për të takuar deputetin Mark Frrokun u rithkeva në Sheraton në këto ditë të ftohta të janarit. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Makina të shtrenta parkuar edhe dyshas në hyrje të tij. As cunat e Sajmirit nuk dukeshin aty pari, qoftë dhe për të vënë një gjobë 5 mijë lekëshë. Marku, dukej i qetë e nuk shqetësohej aspak nga mesazhi që u bë shkak, jo vetëm t’i tërheqnin veshin në grupin parlamentar të PS-së por dhe opozita ta përdorë si argument të fortë se ishte nën kërcënimin e krimit. Marku thosh me plot gojën se thjeshtë i kishte treguar borxhet e vjetra Jozefinës, e që për hir të tyre nuk duhej t’i përmende emrin në Parlament si të kërkuar nga drejtësia.
Pak më tutje deputeti Taulant Balla, kryente bisedimet e radhës. Shëtiste tavlinë më tavolinë për të paqtuar krerët e armatës së madhe të të papunëve të Partisë Socialiste që ende janë në radhë pas triumfit të 23 qershorit.
Pak më tej deputeti i Shkodrës Tom Doshi. Thuhet se së fundmi aty ka transferuar zyrën e tij, ose së paku, ia ka ënda që mes shumë punëve, qoftë poltike ashu edhe në të biznesit të shijojë dhe kafene e Sheratonit. Ndërsa ca cuna, (jo ato të Sajmirit) të bëshëm, si ata që janë gati të marrin gjak në vetull, rrijnë në këmbë e këqyrin se mos ka vërdallë ndonjë vrasës nga ata të paautorizuarit. Ca më tutje të tjerë pesonazhe që janë o nën hetim, o fortë të përmëndur në seacat parlamentare si të përfshirë në krime, kontrabandë apo trafiqe prostitutash. Janë aty e shijojnë gllëjka alkooli për qejf të tyre. Është e njëjta situatë si ajo e vitit 2012.
Zeni, Fatmiri. Damiri apo dhe Rezari thjeshtë kanë ndërruar fytyrë. Dhe pse ishin nën hetim e akuzoheshin për krime ekonomike dhe vrasje masive, si ngjarja e Gërdecit, e gjerpnin të sigurt kafen në Sheraton…
Yep, Sheraton forever.