“Wikileaks”: Greqia financoi varrezat e ushtarëve ilegalisht

Greqia financoi varrezat e ushtarëve ilegalisht Mes të zhvarrosurve qenë edhe pleq e fëmijë

Kisha Ortodokse mori porosi nga Athina zyrtare për ndërtimin e mauzoleumeve pa leje ndërtimi

Fondet për ndërtimin ilegal të mauzoleumeve të ushtarëve grekë të vrarë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore janë dhënë drejtpërsëdrejti nga qeveria greke, e cila mësohet se ka financuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga një kabllogramë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, publikuar nga organizata “Wikileaks”. Kabllograma me kod 06TIRANA662 e 21 qershorit 2006 raporton mbi incidentin e krijuar me zhvarrimet ilegale të zhvilluara në fshatin Kosinë të Përmetit. Në atë kohë, një prift lokal pagoi disa vendës për të kryer disa zhvarrime. Banorët vendës u ankuan pasi vunë re se varrezat e vjetra të fshatit dhe eshtrat e paraardhësve të tyre po shiteshin si eshtra të ushtarëve grekë të vrarë gjashtëdhjetë vjet më parë. Sipas legjislacionit shqiptar, një zhvarrim mund të kryhet me vendim prokurorie ose gjykate. U dyshua se shkaku i nxitimit për kryerjen e zhvarrimit lidhej me faktin që një mauzoleum qe ndërtuar dhe përfunduar sakaq në Këlcyrë, pavarësisht se autoritetet shqiptare nuk patën dhënë ende një leje ndërtimi dhe se asnjë marrëveshje për të zgjidhur këtë problem mes Tiranës dhe Athinës nuk ekzistonte ende.

Kisha dhe Athina zyrtare

Zyrtarët e ambasadës së SHBA-së në Shqipëri intervistuan At Andon Merdanin, drejtor të Marrëdhënieve me Jashtë në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Merdani “tha se, pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje formale, ndërtimi i një mauzoleumi, me kapacitet prej 630 varresh, përfundoi së ndërtuari vitin e kaluar (2005) në territorin e një manastiri ortodoks në Përmet. Një mauzoleum i dytë i ngjashëm është aktualisht (viti 2006) nën ndërtim në Korçë”, thuhet në kabllogramin 06TIRANA662 i klasifikuar si “konfidencial”.

“Merdani konfirmoi se ndërtimi i mauzoleumeve është financuar nga qeveria e Greqisë dhe qe zbatuar nën drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare”, vijon më tej kabllogrami i firmosur nga ambasadorja Marcie B. Ries.

“Media ka hedhur dyshimin se kisha ortodokse nuk dispononte lejet e nevojshme, qoftë për ndërtimin e mauzoleumeve, qoftë për zhvarrosjen. Merdani tha se kisha ortodokse mori lejen paraprake për ndërtimin e kishës, por qe dukshëm i heshtur në çështjen e lejes së ndërtimit të mauzoleumit apo për autorizimin mbi zhvarrimin”, vijon kabllogrami.

Kisha Ortodokse në këtë rast rezulton më shumë një zyrë e qeverisë së Athinës në Shqipëri sesa një kishë autoqefale për shkak se nuk duket se ka ndonjë lidhje mes funksioneve të kishës dhe varrezave ushtarake të një shteti.

Janullatos konsultohet me Karamanlis

Sipas kabllogramit, Merdani ka thënë se kreu i kishës autoqefale, kryepeshkopi Janullatos Anastasios, vizitoi Kryeministrin grek, Karamanlis, në Athinë, në një takim ku u diskutua edhe çështja e varrezave.

Një ditë më vonë, kisha lejoi policinë dhe prokurorinë shqiptare të hynin në kishën ku mbaheshin përkohësisht eshtrat, me qëllim që këtyre të fundit t’u kryhej autopsia. Janullatosi rezulton në këtë mënyrë një zyrtar i Karamanlis, me të cilin mund të konsultohet përpara se të japë miratimin e vet që policia dhe prokuroria shqiptare të kryejnë hetimet e nevojshme për një vepër penale. Qeveria greke bëri një deklaratë pak ditë më vonë ku tha se zhvarrimet nuk qenë financuar prej saj dhe se shërbimi i saj konsullor në Shqipëri nuk qe angazhuar zyrtarisht. At Merdani u tha amerikanëve që zhvarrimet qenë financuar nga të afërm të ushtarëve të vrarë. Deklarata e qeverisë greke ndërkohë nuk foli për financimin prej saj të mauzoleumeve.

Ministria e Jashtme nën presion

Një kabllogramë tjetër amerikane hedh dritë mbi procesin e vështirë të negocimit të kërkesës greke për varreza lufte në territorin shqiptar, një negocim që Athina duket se e fitoi përmes shantazhit. Kabllograma 08TIRANA745 raporton për sqarimet e dhëna nga diplomati shqiptar, Islam Lauka, drejtor i Drejtorisë për Marrëdhëniet Rajonale.

“Ambasadori i Greqisë i ka thënë (ministrit të Jashtëm) Basha se në rast se qeveria e Shqipërisë nuk bie dakord me kushtet e Athinës për varrezat ushtarake, atëherë Parlamenti i Greqisë nuk do ta ratifikojë kurrë Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Anëtarësimit”, thuhet në kabllogramë. “Ai i tha gjithashtu Bashës se në të njëjtën ditë që Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për varrezat, Parlamenti i Greqisë do të ratifikojë MSA-në”, vijon më tej kabllograma.

Politikë e brendshme

Lauka ka bërë të ditur se arsyeja se pse qeveria e Athinës këmbëngul për ndërtimin e varrezave përgjatë një linje nga Përmeti në Korçë, sipas bashkëbisedimit të tij me diplomatët grekë, qe politika e brendshme e fqinjit tonë jugor. Qeveria nacionaliste e Karamanlis e kishte për zemër këtë çështje për të fituar kapital politik. Raportohet se Lauka u ka thënë grekëve se qeveria shqiptare ka problemet e veta të brendshme si çështja e çamëve për të pasur parasysh para se të firmosë një marrëveshje kaq sensitive.

Fillimisht Athina kërkoi ndërtimin e katër varrezave në Shqipërinë e Jugut. Qeveria shqiptare e refuzoi këtë propozim dhe i ofroi Greqisë ndërtimin e një varreze në Tiranë. Ushtarët e vrarë në Luftën e Dytë Botërore nuk janë varrosur në Shqipëri në fushëbetejë. Trupat e gjermanëve dhe britanikëve janë grumbulluar në Tiranë, ndërsa trupat italiane janë kthyer në Itali.

Greqia e refuzoi propozimin për varrezë në Tiranë dhe Shqipëria pranoi të lejojë ndërtimin e një varreze në jug, gjë që për qeverinë shqiptare qe një lëshim i madh për shkak se varrezat e ushtrive të huaja janë të gjitha në Tiranë. Grekët bënë një kundërofertë për ndërtimin e dy varrezave në jug me opsion për të ndërtuar një të tretë më vonë. Shqipëria e hodhi poshtë këtë kërkesë dhe bisedimet e shtatorit 2008 përfunduan pa rezultat.

Ende nuk dihet nëse mes të zhvarrosurve kishte ushtarë grekë apo jo

Me gjithë zhurmën mediatike dhe konfirmimin e mjekëve ligjorë se mes të zhvarrosurve në Kosinë kishte pleq dhe fëmijë, askush deri më sot nuk është dënuar për veprën penale të dhunimit të varreve. Vëzhgimi i mjekësisë ligjore mbi 69 komplete kockash që u gjetën të magazinuara në kishë, rezultoi se zhvarrimet qenë kryer nxitimthi dhe pa profesionalizëm. Disa nga kompletet e kockave qenë të mangëta, ndërsa disa të tjera kishin më shumë kocka nga sa duhej të kishin. Nga vëzhgimi rezultoi se shumica e eshtrave i përkisnin moshës prej 18 në 30 vjeç dhe mbajnë shenja që tregojnë se janë vrarë në betejë. Por mes eshtrave u gjendën tre komplete që u konfirmua se qenë fëmijë, katër qenë gra ndërsa dy qenë të moshuar mbi 60 vjeç.

Një prift fshati ka paguar disa banorë të zonës për të kryer zhvarrimet me 50 deri në 100 euro për komplet skeletesh. Prifti ka mbikëqyrur gjithashtu shumicën e zhvarrimeve, por jo të gjitha. Besohet se ndoshta një varrmihës është përpjekur të fitojë më shumë para duke zhvarrosur edhe eshtra grash e fëmijësh.

You may also like...