Wikileaks: Kufiri detar, Greqia: Amerika jashtë!

Gjergj Erebara

Qeveria greke ka shantazhuar në mënyrë të vazhdueshme qeverinë shqiptare gjatë bisedimeve për kufirin detar, duke i kërkuar në mënyrë të përsëritur të “mbajnë fuqitë e largëta” jashtë këtyre bisedimeve dhe duke kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme me mosratifikimin e MSA-së.

Lajmi bëhet i ditur nga një raport diplomatik amerikan që u publikua nga organizata Wikileaks.

Kabllogrami bën të ditur gjithashtu që negociatorët shqiptarë në bisedimet për kufirin detar me Greqinë qenë tërësisht të vetëdijshëm për problemet e marrëveshjes, por nuk kishin mundësi të kundërshtonin apo të negocionin për shkak se Athina po përdorte ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit (MSA) si një kobure në kokën e palës shqiptare.

Kabllogrami me kod 08TIRANA745 i tetorit 2008 dhe i klasifikuar si konfidencial, mban titullin “Greqia i bën presion Shqipërisë mbi çështjet e kufirit dhe varrezave”.

Pjesa e parë e kabllogramës i referohet informacioneve të furnizuara nga Ledia Hysi, zyrtare e Çcështjeve Ligjore dhe Traktateve në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Gjatë një seance bisedimesh së fundmi në Tiranë, zyrtari grek në krye të delegacionit i dha palës shqiptare një ultimatum. Qeveria Greke mund të tregohet e gatshme për një kompromis mbi kufirin detar pranë Korfuzit (ndoshta për shkak të interesit ushtarak ekzistues amerikan për ndërtimin e një baze ushtarake të SHBA-ve në Jale, Shqipëria e Jugut). Gjithsesi, zyrtari grek paralajmëroi delegacionin shqiptar për të plotësuar kërkesën tjetër, atë për të mbajtur “fuqitë e largëta,” konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jashtë bisedimeve,” thuhet në raportin diplomatik. “Një frazë identike u përdor gjithashtu gjatë një takimi në Tiranë mes ambasadorit të Greqisë dhe Ministrit të Jashtëm Basha,” – vijon më tej kabllograma.

Pasi Greqia arriti me sukses të bllokojë me veton e saj anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pavarësisht nga presionet e anëtarëve të tjerë, Qeveria Shqiptare filloi të besojë se kërcënimi grek me MSA-në nuk qe thjeshtë një bllof. Greqia e la ratifikimin e MSA-së deri në momentin e fundit, pasi vendet e tjera të BE-së e kishin ratifikuar. Ajo e mori marrëveshjen për detin sipas kërkesave të saj, por kjo marrëveshje nuk hyri në fuqi për shkak se media shqiptare dhe një ushtarak në pension e denoncuan atë dhe shkaktuan rrëzimin e saj në Gjykatën Kushtetuese.

 

Manipulimi i kufijve

“Sipas Ledia Hysit, drejtor i Çështjeve Ligjore dhe Traktateve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë negociuar për shumë muaj për demarkimin e kufirit të tyre detar. Bisedimet kanë hasur probleme të shumta për shkak të asaj që [Hysi] e përshkroi si “standard të dyfishtë” të përdorur nga Greqia, e cila synon të përdorë metoda të ndryshme për pjesë të ndryshme të bregdetit, ndërsa Shqipëria përdor vetëm një standard dhe një metodologji të përcaktuar nga konventat ekzistuese ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, shqiptarët akuzojnë grekët se po përdorin sipas dëshirës metoda të ndryshme demarkimi në pjesë të ndryshme të detit për të kapur pjesët më të pëlqyera të kufirit,” – thotë kabllogrami.

 

 

Kufiri

Negociatat: Greqia shantazhoi vazhdimisht Shqipërinë me mosmiratimin e MSA. Ajo kërkoi shumë herë që amerikanët të mbaheshin larg bisedimeve

Marrëveshja: Qeveria e pranoi shantazhin nga Greqia, por nuk i mbijetoi dot medias, ushtarakut në pension Myslym Pasha dhe publikut të gjerë

Problemet: Negociatorët e kishin të qartë se marrëveshja bllokonte zhvillimin e Shqipërisë së jugut, transportin e peshkimin

Athina na shantazhoi me mosratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit me BE-në

 

Demarkimi

Zyrtarja shqiptare raportoi për defektet. Peshkimi, turizmi kërkimi për naftë

Qeveria i dinte të gjitha problemet me kufirin, bënte të paditurën

Zyrtarët e qeverisë shqiptare qenë tërësisht të vetëdijshëm për problemet që i shkaktoheshin Shqipërisë nga marrëveshja për kufirin detar me Greqinë dhe jopublikisht i bënë të ditura këto shqetësime. Por kur media në mënyrë të pavarur nga qeveria i denoncoi po të njëjtat shqetësime që lidheshin me peshkimin, zhvillimin e zonës së jugut, transportin detar etj, zyrtarët më të lartë të qeverisë, përfshirë Ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin, i mohuan të gjitha duke akuzuar median për nacionalizëm dhe deri për lajthitje.

Kabllograma e ambasadës amerikane në Tiranë bën të ditur se si kryenegociatorja shqiptare Ledia Hysi ia ka bërë të ditur shqetësimet diplomatëve amerikanë.

“Hysi tha se pozicioni i Greqisë qe një kërcënim serioz për zhvillimin afatgjatë të zonës së bregut të jugut për shkak se ajo do të krijojë pengesa për turizmin, transportin, peshkimin, kërkimin për naftë apo gaz dhe mundet të sjellë deri incidente territoriale me Greqinë,” – raportohet në raportin diplomatik 08TIRANA745.

Gazetat dhe televizionet shqiptare ngritën të njëjtat shqetësime gjatë debatit për kufirin detar në atë kohë, ndërsa gjatë një debati në parlament, deputetët e maxhorancës hodhën një pafundësi kundërargumentesh për të mbështetur idenë se ndarja e detit qe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se Shqipëria nuk po humbiste asgjë.

“Në lidhje me çështjen e kufirit detar mes dy vendeve dhe pavarësisht faktit që qëndrimi negociator i Greqisë është kundër konventave ndërkombëtare – Athina ka thënë se kufiri ose do të miratohet sipas kërkesave të saj, ose nuk do të miratohet fare,” vijon kabllogrami.

Qeveria shqiptare gjendej vazhdimisht nën kërcënimin e Athinës për mosmiratimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit. Mënyra se si ajo synoi ta menaxhojë këtë pozicion të vështirë, qe që shqiptarët të mos informoheshin dhe që çdo gjë të kryhej larg vëmendjes së publikut. Sipas një raporti tjetër diplomatik të Ambasadës Amerikane në Tiranë, në çastin e fundit duket se qeveria në mënyrë të heshtur i dha miratimin njerëzve të saj në Gjykatën Kushtetuese për ta rrëzuar marrëveshjen. Ky rrëzim marrëveshjeje duket se e shpëtoi qeverinë e sotme nga damka e shitjes së vendit, një gjë shumë e rëndë në psikozën shqiptare, krijuar nga akuzat e qeverisë komuniste për qeverinë e Ahmet Zogut, i cili i dha një sipërfaqe të vogël toke ish-Jugosllavisë dhe u akuzua gjithmonë si tradhtar për këtë gjë.
Ndërkohë, mënyra se si qeveria e menaxhoi këtë situatë të vështirë, të shtyn të mendosh se për të, prekja e tërësisë territoriale të vendit nuk është një shqetësim thelbësor, por ai bëhet shqetësim vetëm në rast se shqiptarët informohen për të.

You may also like...