Wikileaks: Lufta kundër Rusisë për gazin

Kabllogramet nga Athina dhe Roma hedhin dritë mbi përpjekjet e Rusisë për të kontrolluar tubacionet

Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare është angazhuar gjatë pesë viteve të fundit në mbështetjen e disa projekteve të gazit që mund të kalojnë në vendin tonë, duke mbështetur ose duke hyrë në marrëdhënie me kompani që, sipas disa kabllogrameve diplomatike amerikane, kanë lidhje shqetësuese me Rusinë dhe Iranin. Kabllograme të ndryshme të ambasadave të SHBA-ve në Athinë e Romë, tregojnë se disa nga këto projekte “shkojnë kundër përpjekjeve të qeverisë të Shteteve të Bashkuara për diversifikimin e burimeve të gazit në Europë.”

Kabllogramet hedhin dritë mbi faktin se qeveria shqiptare është treguar e gatshme të ofrojë mbështetjen e vet për çfarëdolloj projekti, pavarësisht nëse projekti përbënte apo jo interes për diversifikimin e tregut të gazit. Asnjëri prej projekteve që Shqipëria përqafoi me entuziazëm nuk ka nisur të ndërtohet e disa janë harruar tashmë, por kabllogramet hedhin dritë mbi prapaskenat këtyre projekteve si dhe kompanitë që i nxitën ato.

Beteja për gazin u zhvillua mes viteve 2006 dhe 2009 ndërsa me fillimin e krizës botërore, duket se gjërat kanë rënë në qetësi. Dy qenë shqetësimet e SHBA-ve gjatë kësaj periudhe: Rusia dhe Irani.

Shqipëria e refuzoi në vitin 2006 projektin e naftësjellësit AMBO, një interes amerikan ky, zyrtarisht për shkak të shqetësimeve për ndotjen e mundshme ambientale në gjirin e Vlorës, ndërsa përkrahu pak më vonë projektet ASG dhe EGL/TAP, ku i pari qe një interes i shpallur i SHBA-së ndërsa i dyti shpesh u bë shqetësim serioz për diplomacinë amerikane.

Konteksti gjeopolitik

Bashkimi Europian është aktualisht nën varësinë e gazit dhe tubacioneve të Rusisë për të furnizuar ekonominë e vet me energji. Përpjekje të shumta janë bërë për të reduktuar këtë varësi. Brukseli nga njëra anë dëshiron të ndërtojë 10 impiante degazifikimi në brigjet e veta, ku mund të përpunohet gazi i lëngshëm i transportuar me anije dhe nga ana tjetër, dëshiron të ndërtojë një korridor të ri të transportit, që ka filluar të quhet “korridori i jugut” dhe konsiston në ndërtimin e tubacioneve për transportimin e gazit të rajonit të Kaspikut përmes Greqisë dhe Ballkanit në drejtim në Europës Qëndrore.

Korridori i Jugut u shpall interes zyrtar i Bashkimit Europian në vitin 2007, por vetëm pak muaj më vonë, Gjermania dhe Austria lidhën marrëveshje alternative me Rusinë pasi besonin se Korridori i Jugut qe tepër i komplikuar për t’u bërë realitet.

Ndërkohë, Rusia lëvizi për të sabotuar çdo përpjekje të BE-së për të shpëtuar nga monopoli i saj.

Copelouzos dhe Gazprom

Një kabllogramë e marsit 2007 e ambasadorit të SHBA-ve në Athinë Charles P. Ries me kod 07ATHENS649 e klasifikuar si konfidenciale, raporton se kompania greke Copelouzos ndoshta është asgjë tjetër veç Gazpromit me një emër tjetër. Gjigandi rus i gazit Gazprom, është i njohur për faktin se kontrollon një pjesë të madhe të tregut Europian si dhe për faktin se Kremlini e përdor këtë pozicion shumë shpesh si masë presioni ndaj BE-së.

Kryeministri Sali Berisha nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Gazprom në vjeshtën e vitit 2007, afro gjashtë muaj pasi ambasadori amerikan në Greqi pati shkruar raportin e tij ku rezultonte se planet e Gazprom dhe Copelouzos qenë në kundërshtim me interesat amerikane (dhe natyrisht ato të BE-së).

“Dimitrios Copelouzos, themeluesi dhe drejtori i përgjithshëm i Copelouzos Group, ka arritur të bëhet një lojtar kyç në tregun rajonal të energjisë në një numër të rëndësishëm projektesh transportimi që përfshijnë naftësjellësin Burgas Alexandropoulos si dhe gazsjellësin Greqi-Itali. Një degëzim i këtij gazsjellësi i quajtur “Degëzimi i Maqedonisë Perëndimore” do të furnizojë një termocentral që është planifikuar të ndërtohet në Korçë, të Shqipërisë. Ai është gjithashtu duke bashkëpunuar me një kompani zvicerane, EGL (themeluese e TAP) për të ndërtuar një gazsjellës ballkanik që do të transportojë gaz ndoshta nga Rusia për në Itali duke kaluar nga Greqia dhe shqipëria,’ – thuhet në kabllogramë.

“Copelouzos është vendosur në pozicion strategjik për të ndikuar tregun e gazit natyror në Greqi në mbështetje të Prometheus Gaz, e cila operon si një zgjatim i rrjetit të Gazprom. Ka një shqetësim në rritje mbi aktivitetin e Copelouzos që i shërben interesave të Rusisë dhe rrezikon përpjekjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të promovuar diversifikimin e furnizimit të tregut të energjisë në Greqi dhe rajonin përreth. Ambasada është e shqetësuar se Copelouzos dhe Prometheus Gas po kërcejnë një muzikë të vënë nga Gazprom dhe se që të treja janë angazhuar për të ruajtur monopolin virtual të Rusisë në tregun e gazit në Europë. Ato po punojnë për të minuar çdo përpjekje për të sjellë konkurrencë në tregun grek,” komentonte ambasadori i SHBA-së në Greqi Charles P. Ries në vitin 2007.

You may also like...