Zbulohen debatet brenda asamblesë socialiste të Tiranës, Rama has kundërshti nga Rama
Ruritania News Agency zbulon diskutimet sekrete brenda Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës ku u diskutua për kandidaturat për kryeqehaja të Tiranës.
Mbledhja e Asamblesë të Partisë Socialiste të Tiranës e datës 19 mars 2015 qe shumë e tensionuar, e dallueshme kjo nga uljengritjet e shpeshta të tonalitetit të zërit të kryetarit të partisë Edi Rama, bëhet e ditur nga një burim i Ruritania News Agency brenda asamblesë.
“Shqetësimi i parë që dua të ngre këtu, shokë të partisë, është që vendi i kryebashkiakut të Tiranës është një post që unë e kam shumë për zemër,” tha Rama. “Askush nuk duhet të mendojë se mund të më zëvendësojë mua pa garë,” shtoi ai duke parë nga Artan Lame. “Për të më zëvendësuar mua, nevojitet një garë e fuqishme mes disa kandidatëve, nga të cilët, natyrisht Asambleja, do të zgjedhë më të përshtatshmin,” vijoi Rama duke parë nga tavani në çastin që përmendi fjalën “asamble”.
“Pra, ju keni vendosur që të kemi jo një, por katër kandidatë për të qenë zëvendësi im si kryetar bashkie, nga të cilët, natyrisht, do të dalë zëvendësi im si kryetar bashkie”, shtoi Rama.
“Ju keni vendosur që kandidatët të mos jenë dosido. Duhet garë e fortë dhe serioze. I pari në rradhë, por jo në rëndësi, do të jetë Pandeli Majko. Ai ka qenë kryeministër kështu që e meriton të jetë kandidat për kandidat për zëvendësin tim. I dyti do të jetë Blendi Klosi. Arsyeja është që, Blendi, ka një buzëqeshje që konkurron mirë atë të Bashës. Dy kandidaturat e tjera janë edhe më të fuqishme. Ministrja Lindita Nikolli është e mirënjohur tashmë si njeri që nuk flet, madje, ka një cilësi që në politikën shqiptare e ka patur vetëm Zef Bushati. Ajo mund të flejë në këmbë. Kandidatura tjetër ka ardhur si propozim nga Shoqëria Civile.
Instituti për Politika Publike dhe Private (IP3) është një organizatë jo-fitimprurëse dhe ka një rol aktiv në shoqërinë civile në Shqipëri. IP3 ka për mision të saj kryerjen e analizave dhe kërkimeve si edhe ofrimin e rekomandimeve në kryerjen e reformave në fushën e politikave sektoriale publike dhe private. Ky institut ka propozuar që kandidate për zëvendësen time në Bashkinë e Tiranës të jetë Albana Dhimitri. Jo vetëm kaq, por Albana e ka bërë të qartë sakaq në faqen e saj në Facebook se ajo është vetë organizatë, gjë që tregon për seriozitetin e propozimit. Fituesin, natyrisht që do ta shpallim pak më vonë. Por për momentin, ajo që vlen të theksohet është që nuk janë një, por plot katër emra, të cilët janë kandidatë për kandidatë për zëvendësin tim në Bashkinë e Tiranës. Vërejtje nuk ka, kundërshtime, jo e jo, sugjerimet nuk janë të nevojshme, mbledhja quhet e mbyllur, problemet dolën,” përfundoi Rama.