Për një grusht dollarësh

Ditari i një dite të nxehtë Korriku

Që mazhoranca nuk i ka me sy të mirë personat me aftësi të kufizuar, ky është një fakt që jo vetëm të bën të ndjehesh keq por edhe të mendosh seriozisht se me kë kemi të bëjmë. Vitin e kaluar, kryeministri Rama u shpreh se pagesat për të përndjekurit nuk do të kryheshin sepse qeveria paraardhëse i kishte harxhuar paratë në fushatë.view_13_for-a-few-dollars-more_eye_jpg

Megjithëse ato ishin disa argumentime të thëna me elokuencë nga një kryeministër aktor, nuk pranohen. Mbartin edhe një dozë të fortë ironie dhe cinizmi. E nëse argumentet nuk qëndronin dje nuk mund të qëndrojnë as sot.

Nëse ka diçka që qeveria e re di të bëjë thuajse në përsosmëri është imazhi i mirë. Kështu në postin e zv. Ministres së Punëve Sociale kanë emëruar një zonjë me aftësi të kufizuara, emërim që në sytë e qytetarëve jep përshtypjen se ministria në fjalë tanimë do të mendojë më shumë për to. Mirëpo, duket se ministri nuk i ka dhe fort përzemër këtë shtresë sepse ligji i ri që pritet të miratohet duket se do t’ua heqë të drejtën edhe për ato grusht “dollarësh” që ligji ua siguron.

Kështu, përpara zyrave të kuvendit personat me aftësi të kufizuar kanë disa ditë që protestojnë kundër këtij projektligji. Këto protesta duket se nuk kanë rënë në vesh të shurdhët, ndaj Meta (që me sa duket është opozita e kësaj qeverie për arsye numerike) i thërret ato në një takim në të cilin fton edhe ministrin Veliaj.

Gjatë këtij takimi mësohet se z. Veliaj jo vetëm që mohoi atë që është e dukshme, pra që projektligji ua heq edhe atë grusht parash personave me aftësi të kufizuar, por si një nxënës i devotshëm i kryeministrit lëshon dorashkën duke premtuar që nëse ligji është kundër personave me aftësi të kufizuar ai do të japë dorëheqjen.

Ironike apo jo? Një qeveri e cila në buxhetin e rilindjes përcaktoi 240 milionë dollarë shtesë në borxhin publik për të paguar faturat e prapambetura të kompanive të ndërtimit, zero dollarë shtesë për të paguar ndihmën ekonomike dhe ndihmën për aftësi të kufizuar. Tani ajo vazhdon që edhe ato para që nuk ua shtoi t’ua rrëmbejë në një mënyrë tjetër. Përpara disa muajsh Veliaj akuzonte paraardhësin për mungesën e pagesës së dhjetorit 2013, po sot?

Duket se personazhet e filmit të famshëm të Sergio Leones janë përpara syve tanë, të gjithë besoj se e kuptojmë se kush është i shëmtuari, i keqi dhe i miri i kësaj historie. Në këtë botë ku thesi me miell na shitet për bamirësi ky është thjesht një tjetër akt i cinizmit përmes të cilit vishet thelbi i një qeverie të papërgjeshme.

Xhabyni

You may also like...