Pse Kosova ka nevojë urgjente për një monedhë kombëtare

Gjergj Erebara

Hyrje

Kur vjen puna për të diskutuar mbi përdorimin e euros në Kosovë, shumë fakte elementare ekonomike harrohen ose janë të vështira të kuptohen për shkak se euro nuk përfaqëson vetëm një monedhë, një mjet ekonomik, por përfaqëson para së gjithash një ëndërr. Ëndrra është që Kosova të bëhet një vend europian me nivel ekonomik të ngjashëm ose të barabartë me vendet e zhvilluara të eurozonës. Ky shkrim synon të shpjegojë se pse Kosova e ka të domosdoshme të krijojë një monedhë të vetën dhe pse krijimi i një monedhe kombëtare për shtetin e ri jo vetëm që nuk e dëmton ëndrrën evropiane, por përkundrazi, e bën më të lehtë rrugën drejt transformimit të kësaj ëndrre në realitet.

Për vendet e ndryshme të Ballkanit ku banojnë në shumicë shqiptarë, (Shqipëri, Kosovë e Maqedoni), duhet ta bëjmë të qartë që në fillim se ëndrra e arritjes së standardeve të jetesës së Eurozonës, do të kërkojë së paku katër apo pesë dekada, do të kërkojë qeverisje të shkëlqyer, (që për fat të keq mungon në këto tri shtete) si dhe logjikë të ftohtë të qeverisjes ekonomike larg ideologjive të ndryshme që janë shfaqur këto vite apo që na kanë skllavëruar arsyen në të shkuarën.

Krijimi i një monedhe kombëtare për Kosovën nuk nënkupton që ky vend të “dalë nga eurozona”, as nuk e pengon Kosovën që në të ardhmen, por gjithmonë në kohën e duhur, të anëtarësohet në Eurozonë me të drejta të plota siç janë anëtarësuar vendet aktuale.

Çfarë është një monedhë

E konsideruar si një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit, monedha është një njësi matëse e vlerës. Ndërsa në fizikë kemi njësi matëse të sakta si metri, volumi, densiteti apo pesha, monedha nuk mat vetëm cilësitë fizike të një malli apo shërbimi, por edhe cilësitë emocionale. Kjo gjë e bën të pamundur që monedha të jetë një njësi matëse e standardizuar, për shkak se shijet e njerëzve janë të ndryshme.

Monedha e bën të mundur që njerëzit të shkëmbejnë vlerën e shtuar të punës së tyre me lehtësi. Në mungesë të monedhës, malli mund të shkëmbehet me mall, por kjo metodë nuk është shumë e përshtatshme për shkak se është shumë e vështirë që dikush që shet lopë, të gjejë dikë që shet paketë turistike dhe vlera e lopës të jetë e njëjtë me vlerën e paketës turistike. Megjithatë, fakti është që Egjipti i lashtë krijoi një perandori dhe një qytetërim megjithëse monedha nuk qe shpikur ende. Bota nuk ka të dhëna të hollësishme se si jetonin egjiptianët e zakonshëm në kohë të lashta, por disa arkeologë besojnë se egjiptianët përdornin grurin si mjet pagese. Fjala vjen, një piktor në varrin e Faraonit merrte një sasi gruri si pagesë për punën e vet dhe e shkëmbente një pjesë të kësaj sasie për të paguar fermerin që prodhonte zarzavate. Në këtë mënyrë bëhej e mundur shkëmbimi në praktikë i çfarëdolloj malli apo shërbimi.

Egjipti është një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Në rast se nuk ekziston monedha, atëhere shoqëria mund të jetë e dënuar të jetë e varfër pavarësisht nëse ka apo jo njerëz që punojnë tokën, thjeshtë për faktin se mungon mjeti për shkëmbim. Kjo sjell atë që ekonomistët e quajnë deflacion. Çmimet e mallrave bien dhe gatishmëria e popullsisë për të punuar dhe prodhuar ulet pasi njerëzit nuk shohin se mund të fitojnë çmimin e drejtë të punës së tyre. Kur monedha ekziston me tepri, atëherë çmimet rriten dhe njerëzit rrënohen.

Që nga kohët e vjetra, njerëzimi nuk ka reshtur së tentuar të prodhojë një monedhë që të mos pësojë as deflacion dhe as inflacion të lartë. Një element tjetër i rëndësishëm është që kur ekonomia rritet, edhe paraja në qarkullim rritet gjithashtu.

Në kohët e vjetra, monedha qe një prodhim ekskluziv i princit, mbretit apo institucionit fetar. Prodhuesi i monedhës përcaktonte edhe vlerën e saj. Shumë shpesh ndodhte që prodhuesi e përcaktonte vlerën sipas interesit të vet dhe në dëm të shoqërisë, por kishte raste kur autoriteti monetar qe i ndërgjegjshëm dhe e përcaktonte vlerën sipas interesit të shoqërisë. Në këto raste krijohej ajo çka ne e quajmë sot, zhvillim, qytetërim.

Elementi i parë që duhet të kemi parasysh kur flasim për një monedhë është që sasia e saj në qarkullim, duhet të jetë në përputhje me nevojat e ekonomisë, nuk duhet të jetë as më e lartë, e as më e ulët. Kjo gjë quhet Masa Monetare ose stoku i parasë në qarkullim. Masa monetare përbëhet nga paraja fizike, (monedha dhe kartëmonedha në qarkullim), paraja elektronike, (depozitat në banka) si dhe paraja e krijuar nga emetimi i borxhit sovran të një vendi.

Në kohët e vjetra, duke qenë se autoriteti abuzonte, njerëzit pranonin vetëm metale të rralla si përbërës për monedhat e veta, fjala vjen, ari apo argjendi. Këto metale, ndonëse qenë një arbitër jashtë varësisë së autoritetit, kishin një të mirë dhe një të keqe të madhe. Sasia e tyre në qarkullim nuk varet nga njeriu. Ari dhe argjendi mundet të shtohen nga një zbulim i papritur, ose mund të zhduken nga tregu për shkak të importeve (të transferohen në një vend tjetër), të fshihen nga popullata nën tokë në raste trazirash civile, luftërash e forma të tjera pasigurie.

Duke qenë se rregulli bazë është që sasia e parasë në qarkullim të jetë në përputhje me kërkesën e ekonomisë, këto çrregullime në sasinë e qarkullimit të metaleve të çmuara janë sjellë shpesh ndryshime drastike në gjendjen ekonomike të një vendi apo një rajoni të botës. Por edhe me metalet e rralla, princërit e kishin gjetur mënyrën për të spekuluar në dëm të popullsisë. Kjo mënyrë quhet “debasement”. Monedhat prej argjendi që mblidheshin nga taksat psh, rishtypeshin dhe u shtoheshin metale të pavlera gjatë këtij procesi.

Zgjidhja e problemit të sasisë së parasë në qarkullim gjatë shekullit të 19 erdhi përmes Standardit të Këmbimit të Arit, i njohur në mënyrë iluzive dhe jo të plotë, shkurtimisht si Standardi i Arit. Në bazë të këtij sistemi, vendet prodhonin monedha metalesh të zakonshme (njohur si monedha divizionale) si dhe kartëmonedha, me kushtin që banka emetuese t’i këmbente këto kartëmonedha me ar ose argjend sipas një kursi të rënë dakord që më parë. Në këtë rast, sasia e kartëmonedhave në qarkullim qe dy-tri apo katër herë më e madhe se sa sasia e rezervës së arit apo metaleve të tjera të çmuara të bankës emetuese.

Pas viteve ’70, bota krijoi atë monedhë që ne kemi sot që njihet si paraja fiat. Vlera e kësaj paraje nuk është e paracaktuar dhe nuk shkëmbehet sipas një kursi fiks me metale të çmuara apo mallra të vlefshme. Por paraja fiat ndihmon vendet e të gjithë botës që të ndihmojnë zhvillimin ekonomik duke përcaktuar, rritur apo pakësuar sasinë e parasë në qarkullim sipas nevojave të ekonomisë.

Pavarësia dhe monedha

Çdo vend kombëtar prodhon një monedhë të vetën. Në raste të rralla, vendet heqin dorë nga kjo e drejtë për shkaqe të ndryshme. Në disa raste, vende të vogla bashkojnë pavarësitë e tyre monetare për të krijuar një entitet më të madh të pavarur, në mënyrë që të maksimalizojnë atë që sakaq e kanë. Shqiptarët mund të mësojnë fare mirë se çfarë është monedha kombëtare dhe sa e rëndësishme është ajo duke lexuar librin Ditari i Ekonomistit nga Mitrush Kuteli.

Kuteli shpjegon me fjalë të thjeshta se monedha apo kartëmonedha kombëtare është një copë letër apo copë metali pa vlerë, por për shkak se emetohet nga shteti i pavarur, pranohet nga popullsia si letër me vlerë. Rrjedhimisht, në rast se për të prodhuar një kartëmonedhë prej 100 eurosh, nevojiten 5 cent, në çastin që qytetarët e pranojnë këtë kartëmonedhë për ekuivalentin e 100 eurove punë apo mallra, diferenca është fitim që realizohet nga Banka Qendrore Europiane. Fitimet që bankat qendrore realizojnë përmes prodhimit të parasë i transferohen qeverive, të cilat i përdorin në të mirë të shoqërisë.

Kur vendet e pavarura nxjerrin një monedhë për herë të parë në historinë e vet, është e domosdoshme që kjo monedhë të bazohet te një kundërvlerë reale. Në historinë botërore ka patur shembuj të ndryshëm për kundërvleftën, pra për garancinë që copa e letrës e konsideruar si para, të jetë e vlefshme për muajt, vitet apo dekadat pasi është pranuar nga qytetarët si letër me vlerë. Fillimisht, kundërvlefta me të cilën garantohej vlera e monedhës përbëhej nga ari ose argjendi, por mund të jetë edhe valutë e fortë, (euro apo dollar), mund të jetë një burim ekonomik. Shteti i Teksasit psh prodhoi në fillim të ekzistencës së vet një kartëmonedhë, në këmbim të së cilës njerëzit mund të merrnin sipërfaqe toke bujqësore, ndërsa shtetet e jugut të SHBA-ve gjatë Luftës Civile lëshuan letra me vlerë të mbështetura me pagesë në pambuk në rast se nuk qe e mundur shlyerja e tyre në ar. Toka bujqësore e Teksasit rezultoi e pavlerë në rastet kur nuk kishte krahë pune për ta vënë në shfrytëzim dhe monedha e këtij shteti u zhvlerësua me shpejtësi. Pambuku i shteteve të jugut kishte nevojë që të transportohej për në Europë që të merrte vlerë dhe në çastin që veriu zaptoi portet e jugut, edhe pambuku i bë i pavlerë sëbashku me letrat e emetuara. Këtu na lind pyetja se a ka kundërvlerë Kosova për të garantuar një monedhë kombëtare? (shih kapitullin përkatës).

Sot, kundërvlefta e monedhës kombëtare është aftësia e vendit emetues për të prodhuar mallra dhe shërbime. Kjo gjë reflektohet edhe në kursin e këmbimit të kësaj monedhe me monedhat e tjera. Psh. kur ekonomia evropiane bie ose është në stanjacion, vlera e euros kundrejt dollarit, ulet. Për të parashikuar/përcaktuar vlerën reale të një monedhe, tregtarët e botës marrin parasysh mijëra dhe dhjetëramijëra faktorë të cilat mund të ndikojnë kërkesën dhe ofertën për këtë monedhë.

Në rastet kur një vend heq dorë nga prodhimi i monedhës kombëtare, fitimet që mund të realizohen nga e drejta sovrane e emisionit nuk ekzistojnë më.

Ka raste ku si pasojë e paaftësisë organizative të shoqërisë për të zgjedhur një qeveri të përgjegjshme, nuk është e mundur që të kihet një monedhë kombëtare. Në këtë rast, njerëzit përdorin një monedhë tjetër, fjala vjen, monedhën e një fqinji. Kjo është një zgjidhje e sajuar dhe i jep njerëzve vetëm një jetë modeste në kushtet e mbijetesës.

Monedha kombëtare dhe Kosova

Kur Jugosllavia mori fund, të gjitha vendet që fituan pavarësinë, krijuan në të njëjtën kohë edhe monedhën e tyre. Kroacia, Slovenia, Bosnjë dhe Herzegovina apo Maqedonia dolën në treg me një monedhë të re. Përdorimi i përkohshëm i markës gjermane si monedhë zyrtare e Bosnjës mes viteve 94-96, konsiderohet nga disa juristë të FMN-së si një rast i veçantë dhe deri diku i çuditshëm. Por disa vende zgjodhën regjimin e kursit fiks të këmbimit valutor dhe disa të tjera, regjimin e kursit të lirë luhatës.

Kosova dhe Mali i Zi patën një histori të ndryshme. Kosova e fitoi lirinë, por nuk e fitoi menjëherë edhe pavarësinë. Ndërkombëtarët gjetën një zgjidhje kompromisi “duke mos e ndaluar por as nxitur” përdorimin e dinarit të Serbisë, ndërsa vendosën markën gjermane si mjet zyrtar për pagesat e buxhetit apo pagesat e taksave.

Mali i Zi qe ende nën varësinë monetare të dinarit jugosllav kur vendosi të përdorë markën e më pas euron për monedhë zyrtare. Pra si Kosova, ashtu edhe Mali i Zi, u përballën njëkohësisht me mungesën e një monedhe të vlefshme kombëtare, ashtu edhe me pamundësinë për të emetuar një monedhë të vetën. Rrjedhimisht u përdor marka/euro. Zgjedhja e euros u lehtësua vetëm për shkak të afrimësisë gjeografike dhe ekonomike të këtyre vendeve me eurozonën. Në rast se Kosova dhe Mali i Zi do të ishin gjeografikisht më larg, atëherë as euro dhe as dollari nuk mund ta zgjidhte problemin.

Përgjatë viteve kur ndërkombëtarët kishin një prani të gjerë në Kosovë dhe rrjedhimisht sillnin aty sasi të konsiderueshme të euros fizike dhe elektronike, mungesa e një monedhe kombëtare nuk qe aq katastrofike sa mund të bëhet në të ardhmen, duke marrë parasysh faktin që paratë e donatorëve janë pakësuar e pritet të pakësohen edhe më shumë. Pavarësisht faktit që mungesa e monedhës vendëse u kompensua në mënyrë bujare nga ndërkombëtarët, sërish Kosova mund të kishte përjetuar zhvillim shumë më të shpejtë e më të madh në rast se Kosovës do t’i jepej pavarësia monetare.

Huazimi i një monedhe tjetër është anormale

Ekspertët e ligjit ndërkombëtar e konsiderojnë si të pazakontë dhe anormale përdorimin e monedhës së një shteti tjetër si monedhë zyrtare. François Gianviti, Këshilltar i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar analizoi statusin ligjor të rasteve të përdorimit të monedhave të huaja në raport me marrëveshjen themeltare të krijimit të FMN-së dhe amendamentet e saj. Ai thotë se qe e paimagjinueshme në kohën kur FMN u themelua, që një vend të mos kishte monedhë kombëtare.

Problemet që krijon euro për Kosovën

Vendet anëtare e themeluan euron një dekadë më parë për të zgjidhur disa probleme të rëndësishme. Ata dëshironin krijimin e një tregu të përbashkët, të madh dhe ku rreziku i kursit të këmbimit të eliminohej, gjë që e rriste volumin e shkëmbimit tregtar mes këtyre vendeve. Ata dëshironin gjithashtu një monedhë që të përdorej si monedhë rezervë nga vende të tjera, gjë që krijon përfitime të konsiderueshme financiare. Përfitimi kryesor qe heqja e mundësisë për spekulime monetare nga vendet anëtare në raste krizash. Përfitim tjetër i rëndësishëm qe që zbatimi i një politike monetare me norma të njëjta interesi në një hapësirë kaq të gjerë, nënkuptonte interesa të ulëta për të gjithë. Interesat e ulëta garantonin investime të larta dhe rrjedhimisht, rritje ekonomike. Megjithatë, euro edhe sot e kësaj dite konsiderohet një monedhë e papërshtatshme për vendet e varfra të eurozonës.  Euro është një monedhë e përshtatshme për një vend si Gjermania, një ekonomi e pasur me popullatë relativisht të moshuar që i disponon të gjitha komoditetet e jetës, shtëpi, makina e konsum bazë dhe që priren nga kursimi. Për pjesët e varfra të Europës jugore, kjo monedhë është e papërshtatshme. Për një vend tepër të varfër si Kosova, apo Shqipëria, Euro është një monedhë tërësisht e papërshtatshme.

Kosova nuk ka përfitime nga përdorimi i euros siç kanë vendet anëtare me të drejta të plota. Interesat e depozitave dhe kreditit janë shumëfish më të larta se sa në eurozonë për shkak se Banka Qendrore e Kosovës nuk ka ndikim mbi normat e interesit. Në një situatë të tillë është e pamundur që të kryhen investime afatgjata për shkak se kur interesat e kreditit janë 12 apo 13 për qind në terma realë, nuk ekzistojnë shumë biznese me normë më të lartë kthimi se sa kaq për të justifikuar përdorimin e kreditit si levë financiare.

Të mirat e një monedhe kombëtare

Kushtet aktuale ekonomike të Kosovës kanë krijuar një mundësi të artë për të themeluar një monedhë të fortë e të qëndrueshme, në përputhje me nevojat ekonomike të shtetit të ri. Monedha kombëtare përveçse do t’i japë qeverisë së Kosovës një sasi të konsiderueshme parash,

Regjimi i kursit të këmbimit

Kur një vend emeton një monedhë të vetën, i lind automatikisht një trilemë, e njohur në botën e politikës monetare si trilema e Trifin-it. Ekonomisti i famshëm Trifin arriti në vitet e trazuara monetare të pasluftës së Dytë Botërore në konkluzionin se një vend nuk mund të ketë njëherësh tri gjëra të mira. Këto janë: a) Politika monetare e pavarur, (aftësia për të përcaktuar vlerën e një monedhe, për ta shtuar apo pakësuar atë në raport me nevojat e ekonomisë), b) regjim i liberalizuar i llogarisë korrente, (lejimi i qytetarëve dhe bizneseve të dërgojnë jashtë vendit apo të sjellin në vend sipas dëshirës dhe pa kufizim mjete monetare), dhe c) kurs fiks i këmbimit valutor mes monedhës kombëtare dhe monedhave të vendeve të tjera partnere në tregti. Sipas Trifin, çdo vend duhet të heqë dorë nga një nga këto tri elementë. Eurozona psh ka sakrifikuar pavarësinë në politikën monetare për të krijuar një kurs fiks të këmbimit valutor, por nuk është mjaftuar me kursin fiks mes monedhave që përbëjnë euron, por i ka zëvendësuar ato të gjitha me një monedhë unike.

Shqipëria në vitin 1992 me konsulencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka sakrifikuar kursin fiks të këmbimit valutor dhe e ka lejuar luhatjen e lirë të vlerës së lekut. Kjo gjë e rrit normën e pasigurisë të qytetarëve dhe bizneseve nga njëra anë dhe garanton stabilitet makroekonomik nga ana tjetër.

Bullgaria, Maqedonia apo Bosnja dhe Herzegovina i kanë imponuar vetes kursin fiks të këmbimit valutor, i cili i detyron këto vende të mbajnë rezerva të mëdha valutore si dhe të mos kryejnë liberalizim tërësor të llogarisë korrente, ndërkohë që aftësia e tyre e politikës monetare të pavarur kufizohet në raport me sasinë e hyrjeve në valutë të fortë.

Ekonomistët nuk janë në gjendje të japin një konkluzion të qartë se cili është regjimi i përshtatshëm i kursit të këmbimit dhe përzgjedhja e regjimit për të gjitha vendet ka qenë gjithmonë e kufizuar nga rrethanat kur është bërë kjo përzgjedhje dhe jo nga një analizë shkencore teorike se çfarë është mirë e çfarë është keq.

Bullgaria dhe Maqedonia hynë në kurs fiks pasi patën përjetuar hiperinflacion ndërsa Shqipëria zgjodhi kursin e luhatshëm bazuar në faktin që nuk dispononte rezervë valutore.

Monedha dhe tregtia

Deri tani e kemi konsideruar monedhën si një lojë me dy variabla. Nga njëra anë kemi sasinë e monedhës së prodhuar nga autoriteti monetar dhe nga ana tjetër, kemi kërkesën e ekonomisë për monedhë, pra për mjetin e shkëmbimit të mallrave. Tani duhet të marrim parasysh edhe elementin e tretë, tregtia[i]. Tregtia ndikon në sasinë e parasë në qarkullim. Fjala vjen, nëse një emigrant sjell 100 euro në Kosovë, stoku i parasë shtohet me 100 euro. Por kur një tregtar importon një makinë nga Gjermania, stoku i parasë në Kosovë pakësohet me aq para sa ka kushtuar makina. Kur për monedhë zyrtare ke euron, atëhere eksportuesit e huaj drejt Kosovës kanë shumë leverdi.

Sistemi Price flow Mechanism

David Hume ndërtoi një model për të shpjeguar se si funksionon ekonomia e hapur ndaj tregtisë së jashtme. Modeli i tij u ndërtua në kohën kur ekzistonte tregtia në flori. Hume thotë se kur dy vende bëjnë tregti me njëra-tjetrën dhe një prej vendeve eksporton ndërsa tjetri importon, në një farë pike, paraja do të mbarohet në vendin që importon. Në çastin që paraja mbarohet, atëhere çmimet e mallrave të prodhuara në këtë vend do të ulen ndërkohë që çmimet e mallrave të vendit eksportues do të rriten. Rrjedhimisht, vendi që qe fillimisht importues neto, do të bëhet eksportues dhe anasjelltas. Modeli Hume i konsideron burimet ekonomike që sjellin krijimin e mallrave, pra punën, tokën, kapitalin dhe aftësinë menaxhuese të patransferueshme. Në fakt nuk është kështu.

Nëse do të zbatonim modelin e Hume në ekonominë e Kosovës, do të zbulonim që meqë Kosova ka një dekadë që praktikisht ka zero eksporte dhe importe shumë të larta, atëhere duhet të kemi mbërritur në pikën kur çmimet në Kosovë janë ulur dhe ky vend ka fituar aftësi për të eksportuar. Ajo çfarë ka ndodhur me të vërtetë është që burimet që sjellin prodhimin e mallrave dhe shërbimeve janë larguar bashkë me paranë e përdorur për të paguar importet. Krahët e punës janë larguar përmes emigrimit. Kapitali është larguar përmes pagesës së importeve si dhe transferimit të plaçkës së vjedhur nga politikanët drejt Zvicrës apo parajsave të tjera fiskale. Aftësia Menaxhuese nuk është në punë për shkak se mungon kapitali dhe toka nuk është e përdorshme gjithashtu. Pra nëse Hume parashikonte në modelin e tij një kohë kur importuesi kthehej në eksportues, kjo nuk ndodh në të vërtetë me Kosovën.

Arsyeja e largimit të kapitalit nga Kosova lidhet gjerësisht me mungesën e një monedhe kombëtare. (Natyrisht lidhet edhe me mungesën e qeverisjes së përgjegjshme ekonomike nga ana e politikanëve).

Fluksi i parave që qarkullojnë në Kosovë aktualisht shfaqet pak a shumë kështu: Emigrantët punojnë në Europë dhe sjellin euro në atdhe. Donatorët marrin paratë e taksapaguesve europianë dhe shpenzojnë një pjesë të këtyre parave në Kosovë. Kosova i përdor këto para për të blerë mallra importi. Një pjesë e eurove të emigrantëve vijnë në Shqipëri në shkëmbim të shërbimeve turistike. Shqipëria i përdor këto para gjithashtu për import mallrash.

Në çastin kur donatorët apo emigrantët sjellin më pak euro në Kosovë, njerëzit detyrohen të paguajnë nga kursimet për importet ose të rinjtë e Kosovës detyrohen të ndjekin vëllezërit në emigrim. Në të njëjtën kohë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve në Kosovë ulen si pasojë e mungesës së fuqisë blerëse.

Konkluzione

Megjithëse besoj shumë fort se Kosova ka nevojë për një monedhë të vetën, pra për pavarësi monetare, po aq shumë besoj se një monedhë e tillë është e pamundur të krijohet me klasën aktuale politike. Papërgjegjshmëria financiare dhe populizmi elektoral, (rritja e pagave sa herë që ka zgjedhje dhe jo sa herë rritet produktiviteti i punës) janë dy armiq të mëdhenj të një monedhe kombëtare.

As përdorimi i lekut të Shqipërisë nuk përbën një zgjidhje. Rruga e bashkimit ekonomik të Shqipërisë me Kosovën është për fat të keq po aq e gjatë sa edhe rruga e bashkimit të të dy shteteve ne Bashkimin Europian. Megjithatë, besoj se Kosova ka mjaftueshëm qytetarë që kanë nivelin e duhur kulturor për të kuptuar se çfarë është e mundur dhe çfarë është e pamundur kur vjen puna te kryerja e investimeve të mëdha (shpesh të kota) publike. Ka mjekë, inxhinjerë, ekonomisë e profesionistë të tjerë. Pikërisht nga këta pres që t’i shpjegojnë pjesës tjetër të popullsisë se si shkojnë punët e të mos bien pre e populizmit politik.



[i] Për konvencion në këtë rast me tregti nënkuptojmë shitblerjen e mallrave dhe shërbimeve, përfshirë edhe punën, në rastin e Kosovës, punën e emigrantëve në vendet e tjera.

You may also like...