Vezë pa nishan

Kur kopjon, jo gjithmonë kopjon saktë. Dhe me punë e vezëve në parlament, PD demonstroi se nuk di as të kopjojë.

Kështu duhet të hidhet veza! Një deputet i opozitës duke goditur me vezë kryetarin e Kuvendit të Ukrainës në vitin 2010 si protestë ndaj miqësimit me Rusinë.

Kështu duhet të hidhet veza!
Një deputet i opozitës duke goditur me vezë kryetarin e Kuvendit të Ukrainës në vitin 2010 si protestë ndaj miqësimit me Rusinë.

Partia Demokratike hodhi një vezë në Kuvendin e Shqipërisë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, por raportohet se veza, e cila nuk u pa pothuajse asgjëkundi, goditi ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj.

Veza e hedhur, nuk merret vesh nga kush, qe e vetmja e tillë që i pati shpëtuar kontrollit të Gardës së Republikës, e cila dukej se qe e mirëinformuar për një ngjarje të tillë dhe kishte marrë masa duke kryer kontrolle ndaj deputetëve dhe duke i konfiskuar ‘armën e krimit’.

Pamjet e transmetuara në media tregojnë se si opozita del huq në të vetmen vezë që arritën të trafikonin në parlament, ndërsa Garda e Republikës shpalosi planin e saj të emergjencave duke hapur një çadër për të mbrojtur kryeministrin nga ndonjë vezë e dytë.

Në tërësi, nuk qe ndonjë spektakël kush e di se çfarë. Nëse doni të shihni se si hidhen vezët, ndiqni parlamentin e Kosovës.

Lajmi tjetër i keq për opozitën kopjace është se asnjë kamera nuk duket se arriti të filmojë spektaklin ndërsa rrjedha e ngjarjeve sugjeron se PD-ja e ka problemin brenda. P.sh., si shpjegohet se Garda e Republikës qe e mirëinformuar për planin dhe arriti të gjejë të gjitha vezët me përjashtim të njërës?

Pastaj, pse hedhësi a hedhësja e vezës nuk kishte bërë stërvitjen e duhur për këtë sport?

PD-ja është përpjekur të imitojë shumë gjëra këto kohë dhe në të gjitha rastet, pa sukses. Fillimisht deklaroi se bënte takime me një grup të ashtuquajtur Lëvizja për Universitetin, të cilët nuk ishin ata të vërtetët e Lëvizjes për Universitetin por disa militantë banalë, kopjacë banalë që po përvetësonin emrin e një grupi aktivistësh.

Pastaj, kur aktivistët e vërtetë të Lëvizjes për Universitetin hodhën ato dy kokra vezë mbi Ramën, këta kopjacët e PD shkuan dhe e bombarduan fasadën e Ministrisë së Arsimit me vezë.

Dhe kur një grup aktivistësh mjedisorë shembën një gardh simbolik te Liqeni Artificial, kopjacët e opozitës për pak sa nuk shkatërruan të gjithë pyllin.

Shkurt, opozitës i duhet ca më shumë stërvitje dhe mbi të gjitha, i duhet ndopak fantazi për ndonjë veprim origjinal. Ose ose, së paku të mësojë të kopjojë siç duhet.

You may also like...