Loja e rrezikshme me religjionin!

Kur vendin tonë e ka kapluar një diskutim për mbijetesën e përditshme të qytetarëve, kryeministri vendos të inflaconojë bëmat e tij ndoshta për të hequr mendjen në një farë mënyre nga pamundësia e tij për të reaguar ndaj deflacionit. E tillë më duket ideja qeveritare për të adoptuar në kurikulat shkollore mësimin e fesë apo qoftë edhe historisë së fesë.

Në parim, diskutimi nëse duhet apo jo të mësohet në shkolla laike historia e një besimi fetar unë i qëndroj pro kësaj teze. Liberalizmi, siç edhe shprehet me shumë qartësi, Timothy Winter duhet të na dëshmojë nëse realisht është një term apo një praktikë. Pra, siç në shkolla mësohet le të themi darvinizmi biologjik fare mirë mund të mësohet edhe konceptet etiko-religjioze.

Padyshim që një diskutim i tillë gjen një terren të vështirë në një Shqipëri me të shkuar ateiste të imponuar sikundër edhe me një të tashme servilizmi të verbuar, që jo pak herë ngatërron apo i mëshon më shumë se sa vetë “papa” laicizmit.

Por, ajo që më shqetëson në këtë diskutim që kryeministri e hedh për të rritur inflacionin e lajmeve (siç dikur bënte dhe paraardhësi i tij) lidhet me kontekstin akademik i cili do të na shpjegojë lëndën në fjalë. Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë, për të vazhduar lojën e kryeministrit, kanë vazhduar t’i mëshojnë gjithnjë e më shumë këtij diskutimi duke na shteruar përherë e më shumë kuriozitetin.

Na kanë informuar se do të jenë mësues të sociologjisë që do të na mësojnë lëndët fetare, pra mësues laikë dhe deri më këtu nuk ka problem. Shumë prej shkollarëve më të mëdhenj në studimin e religjioneve janë laikë, ateistë, agnostikë apo dhe me ndonjë përkatësi tjetër fetare. Problemi që shoh nuk lidhet me ato që e mësojnë besimin por lidhet me realitetin shoqëror të akademikëve që kanë prodhuar këto mësues të ardhshëm besimi.

A mund të na thotë dikush një emër akademiku që jeton në Shqipëri dhe është njohës i filozofisë së religjionit? A mund të na thotë dikush një emër akademiku apo intelektuali publik që është njohës në fushën e antropologjisë religjioze? A mund të na thotë dikush një emër akademiku apo intelektuali publik që është njohës i historisë së religjioneve dhe dialogut ndër fetar që jeton në Shqipëri?

Deri më tani, njohës të këtyre fushave nuk di të ketë brenda territorit të Shqipërisë. Natyrisht kemi shumë persona publik apo intelektual që diskutojnë mbi çështje të religjionit pasi gjerbin ndonjë kafe apo makiato në kolltuqet e rehatshme. Por nuk kam parë deri më tani asnjë diskutim mbi religjionin dhe formatin e tij në perspektivat moderne përpos ligjërimeve publike tepër të cekëta të opinionistëve në median e shkruar dhe vizive.

Dhe faktet për këto mendime besoj se shtrihen në harkun kohor të minimalisht dhjetë viteve të fundit, ku jo pak herë shqiptarët janë përballur me fenomene të ndryshme sa i takon religjionit. Përherë diskursi publik mbi religjionin nga intelektualët por edhe nga akademikët ka qenë poshtë nivelit mediokër, për të mos thënë që nuk ka ekzistuar. Por edhe sikur kjo të mos mjaftonte, sot Shqipëria është një vend që numëron me gishtat e njërës dorë librat që janë botuar mbi filozofinë e religjionit, antropologjinë fetare e kështu me radhë.

Në këto kushte të mjerimit të madh intelektual që kemi në këtë fushë kush do të marrë përsipër mësimin e religjionit kur në Universitetin e Filozofisë mungon le të themi dega e Filozofisë së Religjionit? Rreziku duket se do të jetë më i madh nëse në të tilla kushte të një injorance (lexo padije!) gati totale këto leksione të religjionit do të mësoheshin në shkolla. Një qasje e tillë do të prodhonte, për fatin e keq, të kundërtën e asaj që qeveria pretendon të shuajë. Pa i hyrë më pas diskutimit për çështjet e terrorizmit dhe problemeve të ngjashme me të, për të cilat shkollarë vazhdojnë të shkruajnë ese të gjata ndërsa intelektualët publik në vendin tonë kënaqen me hulumtime sipërfaqësore të mbushura me garniturën e paragjykimit apo leximit së prapthi.

Siç edhe thotë një shprehje e urtë “Religjioni mund të deformohet si nga një mësues djallëzor ashtu edhe nga një mësues i paditur. “

You may also like...