Gozhda e Nastradinit

Arrestimi i Shullazit, dukshëm e ka vendosur në pozita tejet të pafavorshme një mazhorancë që nuk është se ka vetëm një flirt me krimin dhe kriminelët (qofshin ato edhe më të ulëtit në rangje). Në përpjekje për të darovitur diskutimin mbi të ajo është përpjekur të hapë një debat të gjatë mbi këtë çështje.

Akuzat e lidhjes së Shullazit me fushatën e PD-së, për të cilat Rama foli shumë pak, janë të vërteta dhe dëshmojnë kalbësinë e sistemit politik që ka kulmuar me sjelljet e Ramës. Duke qenë se ishte pikërisht ky që e degradoi sistemin deri në pikën e shndërrimit të Kuvendit në një sallë kaubojsish të cilët godisnin deri me tokëza rripi kolegët deputetë. Apo “fërkonin” tullën e kolegëve të tyre në ambientet e kuvendit. Pikërisht këto lëvizje, që shndërruan të fortët që deri dje kishin poste drejtorësh në deputetë e përshkallëzoi akoma më tej degjenerimin e vendit.

Por, sado përlyerje të ketë mazhoranca e djeshme me këto figura, veprimet apo mosveprimet e mazhorancës së sotme nuk japin argument në favor të kësaj të fundit. Kjo do të thotë që ndonëse Rama përpiqet të kujtojë se kur e ka parë Shullazin për herë të fundit, nuk mundet dot të injorojë se ky mbiemër është përfolur në këto tre vjet më shumë se sa në 10 vjet të marra së bashku.

Nuk mundet të mohojë faktin se Shullazi mori statusin e të paprekshmit si dhe ankesat e shumta që biznese, qytetarë që kanë dëshmuar pranë Prokurorisë e kthejnë çështjen në një kauzë që mund të “njollosë” jo pak biografinë e “pastër” të qeverisë. Prandaj edhe sot Rama e kishte të vështirë të përkujtonte kur ka qenë hera e fundit që e ka parë atë apo të ketë dëgjuar për të.

Qe pikërisht Shullazi që i shkatërroi jo vetëm një tentativë të Ramës për të kontrolluar botën akademike me një person të tijin por edhe personi që i eklipsoi totalisht vizitën e tij në SHBA. Qartësisht ajo çfarë ndodhi në fundjavën e fundit ishte një goditje aq e rëndë sa që edhe PR i kryeministrit nuk mundi dot të driblonte panikun ku kish rënë qeveria.

U deshën disa dalje kontradiktore dhe të telekomanduara të Ministrisë së Arsimit apo dhe institucioneve të tjera shtetërore, që të jepnin një kuptim për çka kish ndodhur. Dalje që vërtetuan dhe dëshmuan që ndërhyrje paska pasur…por nga kush?!

Akoma më ironike qe situata pas arrestimit, ku Ministri i Brendshëm si dhe Kryeministri u gjendën aq shumë të sikletosur sa nuk mundnin dot të përmendnin emrin e të arrestuarit. Megjithëse akuzat që përfliteshin nga prokuroria lidheshin me një person të dyshuar se ka krijuar një “bandë kriminale” dhe gati-gati një “organizatë kriminale” që e kishte tejet të diversifikuar portofolin e saj. I arrestuari përflitej për gjobë vënie, vjedhje prone, kërcënime të llojeve dhe formave të ndryshme.

Të gjitha këto prova janë mbledhur duke lënë tërësisht në errësirë policinë e shtetit por mbi të gjitha duke evidentuar qartësisht të gjitha lidhjet që policia ka me të arrestuarin. E gjithë skema qe një dështim aq i madh sa që pakkush pati guximin të ndërtonte një alibi tërësisht pro qeverisë. Por, ironia e gjithë këtij diskutimi është ajo çfarë ndodhi të enjten e kësaj jave, atje ku denoncuesi kryesor i Shullazit dhe krijuesi i llagapit “Saje Qorri” dhe “Edvin Shullazi” i fali mazhorancës korridorin e vetëm për të shpëtuar nga kjo çorbë e gatuar.

Dhe mazhoranca, e gatshme për të gjetur gozhdët, e hoqi menjëherë xhaketën e Shullazit për ta lënë në gozhdën që Berisha ia dhuroi. Por sado e pasaktë dhe e pamatur që është deklarata e Berishës, kjo nuk mund të barazohet me inkriminim që qeveria Rama ka në raport me Shullazin apo të tjerë si ai.

Ndonëse deklarata e Berishës i bëjnë dëm një force politike që ka dritë hijet e saj për vitin 1997 (sepse kush e dëgjoi Berishën dhe mori armët?) ato nuk mundet dot të jenë alibi për një mazhorancë që 25 vjet pas rënies së regjimit komunist ka arritur të krijojë lidhjet kaq jetike me banditë dhe kriminelë. Sepse kjo deklaratë e Berishës nuk mund ta zhbëjë aspak atë çfarë Rama ka prodhuar në këtë legjislaturë parlamentare me njerëzit që ka zgjedhur ai për të përfaqësuar PS-në.

Sikur edhe të vendosim për t’i qëndruar akoma më shumë në linjë argumentit që PS propagandon se është shqetësuar, atëherë duhet të ngremë një pyetjes se përse kjo parti (përveç Blushit) nuk skandalizohet po aq shumë nga sjellja e eksponentëve të saj për ligjin kundër dekriminalizimit apo për ligje në favor të lejimit të hashashit e kështu me radhë. A nuk janë këto, sidomos ajo e lejimit të hashashit, po aq problematike si thënie të lëshuara nga kuvendi po aq sa thëniet e Berishës? A nuk promovojnë ato indirekt një de stabilizim të vendit?

Këto shembuj i përmend jo për të evidentuar veç njërën palë si të keqe, por për të rikujtuar se batuta të tilla janë tepër të dëmshme politikisht për partinë por njëkohësisht edhe tejet “popullore” dhe të përhapura. Gjithsesi, për asnjë moment këto thënie nuk janë në stadin e një unifikimi deri tanimë të njohur dhe të pranuar në heshtje të kriminelëve me parlamentin.

Me të vërtetë mazhorancës, që sillet si Nastradini tanimë, një deklaratë e tillë i ka shërbyer si një gozhdë. Qytetarëve, nga krahu tjetër, të cilët më në fund po shohin të materializohet shprehja “Në Shqipëri mafia ka qeverinë e saj” ajo çfarë tha Berisha në kuvend nuk qe një justifikim që mazhoranca t’i bishtnojë kësaj krize të thellë. Akoma më shumë kur kjo mazhorancë duket se e do Berishën më shumë se sa opozita, duke qenë se ky i fundit është shpëtimtari (i pandërgjegjshëm?) i kësaj qeverie.

Ajo çfarë e gjithë kjo panoramë na rezervon është një betejë në të cilën duket se mazhoranca do e ketë të vështirë të fitojë. Luftërat e vogla të kësaj beteje të madhe mundet të shiten si fitore e qeverisë por në fund, kur llogaria të bëhet pakkush do të merret me gozhdën ku Nastradini vari pelerinën e zezë.

You may also like...