Pse i nevojitet Enverizmi kësaj qeverie

Enveristet ne Gjirokaster me 18 shtator 2014. Foto: Gazetatema.net

Enveristet ne Gjirokaster me 18 shtator 2014. Foto: Gazetatema.net

Gjergj Erebara

Në vitin 2009, një kabllogramë e Ambasadës Amerikane konkludon me elegancë se Sali Berisha, në prag të zgjedhjeve të atij viti, kishte zgjedhur argumentin e antikomunizmit për të zëvendësuar antikorrupsionin. Kishte arsye praktike për këtë. Antikorrupsioni qe kthyer në një barsaletë në atë kohë kur Lulzim Basha praktikisht duhej të shkonte në gjyq për vjedhjen patriotike, vajzës së kryeministrit i patën dalë në shesh raste të pastrimit të parave me Damir Fazllic ndërsa ministrit të mbrojtjes i pati shpërthyer Gërdeci.

Në këto kushte, Berisha me nuhatjen e një propaganduesi me talent, zgjodhi të flasë për antikomunizmin. Antikomunizmi është një farë ideologjie që shërben për të krijuar imazhin e armikut dhe për të shtrënguar rradhët përreth antikomunistit pavarësisht se ky i fundit doli thjeshtë një hajdut.

Rama dhe Meta po përdorin të njëjtin model, por shumë më herët. Rastet janë të shumta dhe askush nuk mund të na mbushë mendjen se këto shfaqjet e nostalgjikëve nëpër takimet e partisë në pushtet janë rastësore. Nuk janë rastësore sepse pamje të tilla nuk u shfaqën para fushatës elektorale të vitit të kaluar. Dhe fakti që para zgjedhjeve, takimet elektorale të Ramës apo të Metës qenë aq të mirëskenuara sa nostalgjikët e komunizmit të mos shfaqeshin, e bën të pabesueshëm skenarin e reklamuar të Ramës për shfaqje spontane, të paorganizuara dhe të panxitura nga qeveria.

Berisha, si ish-sekretar i Partisë së Punës vështirë se mund të konsiderohet antikomunist. Por edhe dy udhëheqësit tanë aktualë vështirë se mund të konsiderohen komunistë.

Meta duket se parapëlqen më shumë të shahet si komunist se sa të shahet si hajdut, siç e meriton.

Rama ka halle të shumta tokësore,si psh, faktin që ata nostalgjikët e komunizmit nuk i ushqen dot me bukë, për shkak se vendet e punës ia ka shitur LSI. Për rrjedhojë, e shef më me leverdi t’i ushqejë militantët e vet me portretin e Shokut Enver, e madje ka gjasa që do t’ia japë foton e shokut Enver edhe për ta veshur e për t’u mbuluar në dimër pasi t’ia rrisë çmimin e dritave.

Pasi premtoi Rilindje, 300 mijë vende pune e të tjera dhe u dha shqiptarëve reklama për 300 ditët, Ramës i leverdis të shahen si Enveristë apo Komunistë, sepse me këtë rast gjen kohë të fshihet nga hallet tokësore të militantëve të tij. Metës i leverdis të shahet si Enverist apo Komunist sepse në këtë rast shpëton përkohësisht nga nofka që me të vërtetë meriton: Hajdut!

You may also like...