Biçikletat seksiste dhe makinat vrasëse
Gjergj Erebara
Grupi i biçiklistëve që këto ditë tërhoqën vëmendjen e medias konvencionale me disa slogane gallatë, si: “Pjeshkat lëvizin me biçikleta” dhe “Ta gjej unë një dashnore por lëre X6 në shtëpi”, kanë kohë që protestojnë seriozisht.
Herë pas here në median sociale janë shfaqur foto të cilat vështirë se janë bërë lajm. Në së paku dy raste, këto foto qenë homazh për njerëzit që humbën jetën duke i dhënë biçikletës në një qytet ku makina është ende simbol statusi shoqëror dhe i fuqisë seksuale të mashkullit që i përdor. Por fotot që paraqesin njerëz duke ndezur qirinj për viktimat e kaosit të trafikut nuk tërheqin vëmendjen e askujt. Slloganet seksi, po! Ato jo vetëm që shkaktojnë buzëqeshje te spektatorët, por, siç dëshmoi edhe rastin i fundit, shkaktojnë edhe kritika. Është shumë interesante se si ngjarja serioze e protestës përmes ndezjes së qirinjve në kujtim të një biçiklisti të vrarë nga makinat nuk shkakton as buzëqeshje e as kritika, ndryshe nga slogani i pjeshkave (në gjuhën e sotme urbane nënkupton vajza simpatike) që tërheq njëkohësisht si dashamirësi, ashtu edhe kritika të pakompromis për spekulim, seksizëm etj. Problemi dukshëm qëndron te spektatorët dhe jo te protestuesit.
Janë dy elementë që duhet të bëhen të qartë që në fillim: e para, shqiptarët si një popull i varfër, kanë numër shumë të vogël makinash. Më të ulëtin në Europë. Dhe konsumi i karburantit është nga më të ulëtit në Europë bashkë me emetimin e gazrave ndotës. Makinat janë të domosdoshme për të rritur ekonominë dhe çdo nismë që synon të taksojë pronësinë mbi makinat si masë për “mbrojtjen e mjedisit” është e gabuar. Makina në shumicën dërrmuese të rasteve nuk është X6 dhe përdoret për punë. Si e tillë, rrit shpejtësinë e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve në ekonomi e rrit ekonominë.
E dyta, qytetet tona nuk janë ndërtuar për të përballuar një fluks të madh makinash (si shumica dërrmuese e qyteteve të botës). Në këto kushte biçikletat janë një zgjidhje sa mjedisore, aq ekonomike apo si kursim kohe. Nëse do të lëvizësh brenda Tiranës për pesë apo dhjetë kilometra, udhëtimi me biçikletë kërkon relativisht më pak kohë se sa udhëtimi me makinë. Rrugët dëmtohen nga trafiku i makinave, por jo i biçikletave. Nafta nuk shpenzohet, makinat nuk amortizohen, shëndeti publik përmirësohet nga lëvizja e muskujve.
Por është e kotë të mendosh se makinat dhe biçikletat do të ekzistojnë paralelisht dhe në paqe me njëri-tjetrin në rrugët tona të ngushta e të pamjaftueshme për një qytet që sakaq është shumë i mbipopulluar, si me njerëz, ashtu edhe me ndërtesa e makina.
Megjithëse protestuesit biçiklistë tashmë po kërkojnë thjeshtë lirimin e disa hapësirave të ngushta të vijëzuara sa për reklamë nga bashkia si rrugë për biçikleta, kuptohet se Tirana nuk ka rrugë të mjaftueshme për këtë mjet transporti. Po të duash të udhëtosh nga Kinostudioja në qendër psh me biçikletë, apo nga Kombinati, natyrisht që nuk ka korsi të posaçme dhe është shumë e rrezikshme. Dhe problemi më i madh mbetet fakti që pronësia e makinës është ende çështje statusi social. Kush ka makinë, është një njeri i suksesshëm dhe i pasur. Dalja xhiro me makinë është ekzibicionizëm i suksesit ekonomik.
Nëse duam të zgjedhim biçikletat si mjet transporti brenda qytetit, do të duhet domodsoshmërisht të sakrifikojmë përdorimin e makinave. Kjo mund të bëhet duke vendosur taksa të larta parkingu në qendër të qytetit apo duke hequr korsitë e parkingjeve për t’i zëvendësuar me korsi biçikletash. Kritizerët e përhershëm të protestave së paku të shohin protestat në vijimësi.