DIZINFORMATORË ME KOHË TË PLOTË
Partitë politike po krijojnë ushtritë e komentuesve të internetit për propagandën e vet
Gjergj Erebara
I kam pasur prej kohësh zët komentet e lexuesve nëpër shkrime. Shumica prej tyre nuk e kanë kulturën e debatit, nuk dinë se komentet janë për të dhënë mendimin mbi temën që raportohet, jo mbi autorin apo mbi komentuesit e mëparshëm.
Por kam ca kohë që jam detyruar të lexoj herë pas here komentet e lexuesve të “Shqip online” si pjesë e punëve të mia të përditshme dhe e kam marrë këtë me një farë sportiviteti sociologjik. Pra për të kuptuar se çfarë i shtyn njerëzit të debatojnë dhe se çfarë i shtyn të hyjnë në sherre pa kuptim me njëri-tjetrin. Fillimisht, ajo që bie në sy është ngjashmëria e madhe e mesazheve nga një faqe interneti në një tjetër. Duket sikur grupi i komentuesve online është shumë i vogël dhe harxhon gjithë ditën nga një vend në tjetrin. E dyta, përqendrimi i komenteve në çështje të debatuara politike, ndërkohë që rubrikat e tjera marrin shumë pak opinione nga lexuesi. Më pas bie në sy dëshira për të sulmuar apo mbrojtur autorët e shkrimeve apo personazhet politike të dorës së dytë, shpesh duke përdorur gjuhë banale.
Kjo pikëpamje “sportive” e të parit të fenomenit të bombardimit me komente, m’u ndryshua pak ditë më parë, kur një mik më shpjegoi se komentet nuk janë thjesht produkt i militantëve politikë të paorganizuar. Në fakt, të dhënat tregojnë se partitë politike shqiptare, në të majtë dhe në të djathtë, kanë filluar të angazhojnë militantët e tyre që në mënyrë të organizuar të komentojnë mbi shkrimet e ndryshme që botohen nëpër internet me synimin për të prodhuar propagandën e dëshiruar nga udhëheqësit. Jo vetëm që ushtria e militantëve po “shtyhet” të komentojë, shajë apo lavdërojë shkrime e autorë të ndryshëm, por së fundmi, ata po marrin trajnime të posaçme se si ta menaxhojnë më mirë fushatën e dizinformimit dhe çorientimit të publikut që i lexon këto komente.
Mes disa komentatorëve, dallohet edhe fenomeni i neveritshëm i “propagandës së zezë”, ku komentuesi shtiret si mbështetës ekstremist i një pale politike për t’i dhënë një imazh negativ.
Faqja informative e internetit “respublica.al”, pak javë më parë vendosi të ndalojë publikimin e lirë të komenteve, për shkak të pamundësisë për të kontrolluar lëmshin e krijuar nga ushtria e dizinformuesve. Një debat u hap nëse komentet duhet të kontrolloheshin paraprakisht apo jo.
“Puna me komentet e autorëve të ndryshëm nis me sigurimin e të dhënave për të shkuarën e autorit. Në rast se komenti nuk na pëlqen, atëherë fillojmë të themi se kush është autori, çfarë ka bërë në të shkuarën etj.”, thotë në konfidencialitet një nga anëtarët e ushtrisë së bombardimit psikologjik të lexuesve të faqeve të internetit. Autorët dhe politikanët në shumë raste përballen me sulme të organizuara të karakterit personal. Një autor konsiderohet down, tjetri debil, tjetri gjeni, në rast se idetë e tij përkojnë me ato të shefit politik. Kur dikush sheh se një autor po lavdërohet me tepri, atëherë i njëjti përdorues në anën e kritikëve ndryshon pseudonim apo adresë email-i për të “balancuar” debatin.
Kjo ka bërë që në shumicë të madhe, komentet mbi një shkrim të caktuar të nisin me lëvdatë apo sharje mbi shkrimin dhe më pas të vijojnë me një debat të gjerë e të gjatë ku komentuesit shajnë njëri-tjetrin deri sa lodhen.
Falë shpikjeve të teknologjisë së informacionit, të cilat arrijnë të identifikojnë përdoruesit dhe kodin e pajisjes me të cilin hyjnë në internet, mund të fillosh të dallosh se për çfarë ushtrie bëhet fjalë. Ushtria e dizinformatorëve duket se ka gjithmonë të gatshme një numër të konsiderueshëm adresash email-i, të cilat i përdorin për të komentuar më shumë se një herë mbi një shkrim të caktuar, me synimin për të krijuar përshtypjen se janë më shumë njerëz që kanë një pozicion pozitiv apo negativ. Komentet që rezultojnë një debat normal brenda kontureve të etikës, në fakt rezultojnë se përdorin vetëm një adresë email-i dhe janë të rrallë. Shumë nga dhjetëra apo qindra komentues aktivë përdorin pseudonime të shumëfishta, shoqëruar me adresa email-i të ndryshme, por që të gjithë, e kanë të vështirë të shmangin përdorimin e kodeve të ndryshme aksesi në internet, IP.
Në shumë raste, komentatorët duket se kanë njohuritë bazë të propagandës. Disa japin fakte pa lidhje mbi autorë të ndryshëm, thjesht me synimin për të dobësuar argumentin e opinionistit.
Ushtria e komentuesve dizinformues politikë duket se po e kthen botën e internetit jo në një forum debati, por në një kopje edhe më të shëmtuar të seancave plenare më të shëmtuara të Parlamentit shqiptar.
Dizinformacioni ka qenë prej shumë kohësh një mënyrë e të bërit politikë. Në kohët e vjetra, në shtete të ndryshme ekzistonin rrjete të mirëfillta të përhapjes së thashethemeve të dëshiruara nga qeveritë apo partitë politike. Në vitet ’80, në Shqipëri përhapeshin vazhdimisht thashetheme për një mrekulli ekonomike që pritej të ndodhte, si p.sh. thashethemi i zbulimit të thesarit të Ali Pashë Tepelenës. Përgjatë njëzet viteve të fundit, fushatat e dizinformimit kanë qenë të bollshme, por ndonjë dokumentim i mirëfilltë nuk ekziston.
Teknologjia e sotme e internetit lejon identifikim të lehtë të përdoruesve abuzues apo dizinformues të hapësirës së komenteve. Por jo të gjitha faqet e internetit janë të gatshme të rrezikojnë “sasinë” e komentuesve për hatër të cilësisë.