Dordolecët

Në kulmin e ligjërimit publik mbi gjobat e tepruara, shtetin policor, shtetin ligjor, arrestimin e familjarëve se na paskan bërë dëmin më të madh këtij vendi e kështu me radhë ndodh një ngjarje e cila është letër lakmuesi për të provuar se sa këllqe ka ky shtet.

Analisti Lubonja, në shkrimet e tij në fillim të vitit këmbëngulte që qeveria Rama do të ishte një qeveri e ligjit nëse ajo do të fillonte të arrestonte më së pari kriminelët që kishte në gjirin e saj. Akoma më tej në një shkrim të javës që shoi, e lidhi autoritetin fallco të qeverisë Rama me psikologjinë e turmës që përpiqet të shpjegojë Fromm në librin e tij “Të dish apo të kesh!”.Meme

Krimi i ndodhur në Rrugën e Elbasanit, pikërisht në këto ditë ku ministri Tahiri, Haxhinasto dhe Gjiknuri po krekosen për zbatimin e ligjit, do të na tregojë se si do të funksionojë shteti ligjor. Gjithaq, është një tregues se si do të sillet Kryeministri Rama me gjykatën nëse kjo e fundit vendos ta shpallë të pafajshëm të akuzuarin për vrasje.

E diçka e tillë nuk ka ndonjë dyshim se mund të ndodhë, madje mamaja (aktore e dështuar, por ama ende ikonë për shoqërinë tonë me trauma komuniste) mund t’i bëjë një ekskursion jashtë burgut në parlament. Ndërkohë që shteti vazhdon luftën e paepur për të arrestuar Kimetet dhe Sanijet 70 vjeçare të cilat janë rreziku kryesor i këtij vendi, pa folur më pas për arrestimet e pafundme që do të kryhen sepse disa shoferë po kanë guximin t’i kthejnë përgjigje policit rrugor që në çdo rast kërkon patentën.

Ta shohësh më me ftohtësi këtë ngjarje nuk është se del jashtë frymës së një parlamenti të mbushur me kriminelë, apo deputetë pa shkollë të lartë që pasaportë të tyren kanë patur pistoletën në brez (hej kujdes në këtë pikë sepse shqiptarët as në Londër nuk i çarmatosën dot). Kjo lidhje nuk është vetëm imagjinare për rezervuar qensh që kemi ndërtuar në parlament, shoqëruar kjo me një sistem gjygjësor ku natyrisht më i forti përherë mbijeton. E sikur akoma më tej të bëjmë pak lidhjen me jetëshkrimin e të akuzuarit kryesor natyrisht që duhet të shkulim qimet e kokës.

Këto ngjarje që po ndodhin, janë një matës i forcës që Rama propagandon në fjalimet e tij përpara kamerave (njësoj si aktorët Xhuvani), një vërtet matës i asaj që ai thotë me atë që ai bën. Sundimi i ligjit, shprehej muaj më parë, gjykatës të inkriminuar (ndërsa vendoste në qarkore Gjin Gjonin), po sot? Si do të reagojë propaganda e cila deri më tani ka dështuar shumë pak?

Dikush mund të shprehet se ky është një gjykim shumë cinik, po çfarë na ka mbetur për një vend i cili ka më shumë autoritet për një të pirë që e kalon semaforin me të kuq se sa për një killer që strehohet edhe mund të shpëtojë me dy vite burg apo akoma më keq në kërkim? Akoma më interesante bëhet kjo ngjarje për të studiuar antropologjikisht nënën deputete e ish aktore të filmave me të qara e me të lara, e cila strehoi në shtëpi birin e saj e që hera herës e merrte për xhiro në oborrin e demokracisë.

Ndërsa dordolecët qëndrojnë aty, me pamje të egër duke folur hera herës me zë të lartë për këdo qytetar që do të shkelë ligjin duke na rikujtuar si përherë që rezervuari i qenve ka në majë të gjuhës proverbin më real të qeverive tona, jo të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit…djemtë e aktorëve asnjëherë nuk janë kuptohet.

You may also like...