Komploti shqiptar për Kosovën
Breaking News – Ruritania News Agency
Pas precedentit të vendosur nga Kosova për pavarësi të njëanëshme, të përdorur nga Krimeja për të shpallur pavarësinë e saj, Shqipëria po mësohet se do të përdorë precedentin e Krimesë për anëtarësim në Federatën e Rusisë në mënyrë që të përthithë Kosovën nën autoritetin e Tiranës, bëhet e ditur nga burime të mirëinformuar diplomatike dhe ushtarake.
Sipas burimeve, Shqipëria ka hartuar një skenar për të ndërmarrë masa të tilla:
- Shqiptarët e Maqedonisë do të kërkojnë ndihmën e Tiranës.
- Shqipëria do të dërgojë luftëanijet e saj përmes lumenjve Buna dhe Drin dhe do t’i ngjisë deri në Prizren nga ku do të kërcënojë me bombardime njëkohësisht Shkupin dhe Serbinë e Jugut.
- Tanket Shqiptare do të hyjnë në Kosovë nga Qafa e Prushit, Qafa e Pejës dhe Morina për të kapur pozicione strategjike deri në lumin Ibër.
- Së paku 30 mijë ushtarë shqiptarë të armatosur me kazma e lopata, por edhe karafilë, do të kalojnë kufirin dhe do të prezantohen si Ushtria Mbrojtëse e Kosovës. Ata do të penetrojnë në mburojën ajrore të avionit MIG të ruajtur te TEG, i cili do të kamuflohet si avion turistik.
- Të katër nëndetëset Shqiptare, Furtuna, Tufani, Vetëtima dhe një e paidentifikuar, do të pozicionohen në Detet Adriatik dhe Jon për të mbajtur nën zap flotat e Greqisë dhe Italisë në rast të ndonjë agresioni të mundshëm.
- Fshatarëve të Lazaratit do t’u ofrohet një vit leje për të mbjellë hashash me kushtin që të garantojnë frontin jugor nga ndonjë sulm i mundshëm nga Greqia.
- Në Kosovë do të organizohet me shpejtësi një referendum ku do të votohet në masën 98.5 për qind pro bashkimit të Republikës së Kosovës me Konfederatën e Fiseve të Ilirisë dhe Dardanisë, ky i fundit do të adaptohet si emri zyrtar i shtetit të ri.
- Kosova do të trashëgojë politikën e jashtme të ish-Republikës së Shqipërisë.