Mbi librin Dalje për ajër, George Orwell

Dalje per ajer george orwell 1

Shokëni dhe shoqeni,

I vetëdijshëm që në këto kohë po ju del tym e flakë nga rrahja e mendimeve se cilën prej alternativave të mrekullueshme duhet të zgjidhni në zgjedhjet e 25 prillit, për të cilën nuk ju ndihmoj dot, po gjej rastin t’ju rekomandoj diçka të mirë për të lexuar.

Dalje për ajër, roman i George Orwell, një rrëfenjë e këndshme për krizën e një burri në moshë të mesme që përpiqet t’i shpëtojë telasheve të botës moderne duke refuzuar të punojë me efikasitet dhe duke zgjedhur të dalë për peshk sepse “peshkimi është e kundërta e luftës”.

Ky konsiderohet si romani më i mirë nga ana e stilistikës së të shkruarit me një humor që me gjasa do t’ju bëjë të qeshni po aq shumë sa Ushtari i mirë Shvejk.

Po ju jap një paragraf sa për pak kripë:

“Dhe fakti se në të vërtetë ne nuk jemi pronarët e shtëpive tona, se thjesht po paguajmë kreditë, teksa vdesim nga frika se mos na ndodh diçka përpara se të bëjmë pagesën e këstit të fundit, kjo për ata e përmirëson situatën. Na kanë blerë me gjithë lecka, dhe për më tepër, na kanë blerë me paratë tona.

Secili prej këtyre zuzarëve të përulur, që i pikon djersa e ballit deri në ulluk të bythës për ta paguar dy herë çmimin e shtëpisë së kukullave në atë që quhet Belle Vue, pikërisht për faktin se nuk ka view, por që nuk e kuptojnë sesi, – secili prej këtyre bythëlëpirësve të mjerë, është gjithashtu i gatshëm të japë jetën në mejdan të luftës, për ta shpëtuar këtë vendin e tyre nga bolshevizmi.”

Ky është libri i katërt (dhe i fundit së paku për këtë vit) nga George Orwell sjellë në shqip prej meje. Mund ta porosisni online ose ta merrni në libraritë: Adrion te Pallati i (ish) Kulturës, Albania, te (ish) Blloku, Tirana Book (Dalani) pranë Sheshit Wilson, librarinë më simpatike në Tiranë, Art’s te (ish) Stacioni i Trenit, libraria 21 Dhjetori te (ish) sheshi i ditëlindjes së Stalinit (një personazh i kudogjendur i librave të Orwell), te Shtëpia e Librit te (ish) Ekspozita apo në Librarinë Dita në Rrugën Frederik Shiroka.

Në Elbasan mund ta merrni te Librari Zekthi. Në qytete të tjera, nuk e di.

Lexim të këndshëm.

You may also like...