Si pykë!
Do të ishte shumë më e kuptueshme apo më e pranueshme sikur Bojaxhiu të ishte një person që në emër të interesit publik gjatë këtyre viteve të kishte krijuar një instancë të debatit publik.
Xhabyni
Ditët e fundit në media, ka qarkulluar lajmi se Gjergj Bojaxhi do të jetë kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës. Me shumë mundësi ky lajm do të pasohet me përpjekjen e Bojaxhiut për të mbledhur firmat e qytetarëve të ndryshëm për të shkuar më pas në KQZ dhe për të aplikuar si kandidat i pavarur në garën e 21 Qershorit.
Megjithëse Bojaxhiu, është trajtuar më së shumti (këtu i referohem një shkrimi të Zaloshnjes tek Respublika) si një kandidat që vjen nga Shoqëria Civile, ai mua më duket një kandidat që vjen nga një aleancë fluide e krahut të majtë. Gjykoj në këtë mënyrë sepse Bojaxhiu ndonëse një figurë e vlerësuar prej shumë faktorësh vjen në këtë garë jo si një person që do të funksionojë për ta fituar atë.
Një person i cili do të ishte zë i Shoqërisë Civile, sipas meje, duhet të ketë disa kredenciale përtej një angazhimi të pakët në qeveri dhe një emër të mirë të mbetur për shumë arsye. Bojaxhiu, ka një emër të mirë sepse ka krijuar një antipati tek Berisha dhe që gjegjësisht anti-berishistët (qofshin brenda të djathtës) e vlerësojnë për këtë pikë, ka krijuar një emër të mirë edhe si pasojë se ai është përpjekur për të mos qenë si të “tjerët” në llokmën e punëve publike. Sa më sipër, nuk mundet do t’i japin petkun e shoqërisë në tërësi sidomos kur rastet e një shoqërie të tillë krahasuar me vendet ku kanë dalë lëvizje si kjo që pretendohet për Bojaxhiun, kanë investuar shumë derisa të konkretizohen në një parti.
Do të ishte shumë më e kuptueshme apo më e pranueshme sikur Bojaxhiu të ishte një person që në emër të interesit publik gjatë këtyre viteve të kishte krijuar një instancë të debatit publik. Do ishte e kuptueshme, sikur Bojaxhiu të ishte le të themi një Lubonja apo një Beppe Grillo, duke u angazhuar për të mirën e shoqërisë civile. Mirëpo, të gjithë jemi dëshmitar që daljet e tij kanë qenë po aq të vagullta dhe të buta, pa ndonjë karakter të fuqishëm impakti ndër qytetarë megjithëse nuk duhet mohuar që shpresa ka qenë tek ai.
Rasti më i mirë, për të cilin edhe Bojaxhiu mund të na fliste shumë më me kompetencë, është rasti i energjisë elektrike me të cilën qeveria aktuale ka abuzuar së tepërmi. Jo vetëm në çmimin e saj por edhe në shit-blerjet abuzive tek kompani pranë establishmentit. Ai, ka zgjedhur të heshtë në këto çaste, ka zgjedhur që të mos përflasë asnjë nga këto afera që rrezikojnë t’i prishin një farë aleance të heshtur me Ramën. Por, për mua, një ngritje e zërit në këtë mënyrë do t’i jepte atij atë kredibilitet të shoqërisë civile, kredibilitet që ai ndoshta e ka por e ka shumë të lëkundur sipas optikës sime.
Lëkundja i vjen, sepse ai ka zgjedhur të kandidojë për një post gati dy muaj përpara zgjedhjeve vendore dhe si logjikë ai përballë do të ketë dy mamuthë të mëdhenj me një elektorat të konsoliduar. Ta do logjika, që një kandidat i pavarur nga shoqëria civile, do t’i duhej shumë më tepër se sa dy muaj jo vetëm për të ndërtuar një profil të tijin politik më vete por edhe për të konsoliduar ndër qytetarë mendimin dhe vizionin e tij për Tiranën. Më shkurt, atij do t’i duheshin më shumë se sa dy vjet për të ndërtuar një strategji aktive për të bindur të gjithë që ia vlen dhe mbi të gjitha për të ngritur një strukturë të ngjashme me partitë për të garuar.
Ky garim, shpejt e shpejt nuk i bën asnjë dobi një kandidati real nga shoqëria civile madje mban erën e një pyke që nga rruga e kanë marrë për t’ia futur në lojë ekipit kundërshtar sa për t’i prishur punë. Sa për t’i hequr ndoshta ndonjë votë gjysmë të lëkundur dhe sa për të “diversifikuar” lojën e bezdisshme që luhet ndër vite në vendin tonë. E na pëlqen apo jo Bojaxhi është në këtë pozicion, i bindur plotësisht që nuk do të fitojë sepse e di që e ka të pamundur të fitojë dhe nga ana tjetër i bindur se me votat e tij do të marrë aq sa për t’i prishur punë ish partisë së tij.
Deri më këtu, nuk ka ndonjë problem le të themi politik, por nuk mund të shitet kjo si një lëvizje e Shoqërisë Civile sepse nuk mund të jetë e tillë. Por nëse ndokush ka dëshirë që ta quajë një lëvizje të kësaj shoqërie duhet të pranojë që edhe një nga kandidatet e PS+LSI vjen sërishmi nga shoqëria civile, në po të njëjtën mënyrë të katapultuar si Bojaxhi. E nëse kjo e fundit nuk është nga shoqëria civile atëherë përse Bojaxhiu duhet të jetë?!
Thënë më shkurt, ajo që Mero Baze përmendte në një shkrim të tijin, me tendencën që Bojaxhiu po dekurajohet nga PD, nuk është vetëm se një metodë për të ngritur figurën e të fundit. Në fund të fundit, për mua nuk ka asnjë ndryshim që Bojaxhiu do të kandidojë apo jo për Tiranën, shqetësimi im vjen në rastin kur kjo kandidaturë shitet si e Shoqërisë Civile, kur nuk është e tillë. E për këdo që ky shqetësimi im mund të duket i tepërt dhe dashakeqës le të kujtojë se çfarë ka ndodhur me shoqërinë civile, sindikatat e së fundi partitë politike kur janë keqpërdorur nga interesa të çastit. Shoqëria është distancuar dhe indeferentizmi është rritur aq sa tanimë qeverisin një tufë lakenjsh dhe disa të tjerë janë në parlament, ndërkohë që neve jetojmë në zgrip të humnerës.