Esencializmi i tepruar si logjikë!

Në shkrimin e tij mbi raportin e terrorizmit me fenë, Gilman Bakalli argumenton se feja në vetvete prodhon terrorizëm dhe se ishte “iluminizmi” ai që e shpëtoi shoqërinë nga terrorizmi arkaik fetar. Shkrimi në fjalë argumenton se përse feja arkaike prodhon terrorizmin. Sipas autorit, pohimet fetare për ekzistencën e Zotit të Vërtetes, të Absolutes, të së Mirës nuk yshtin veçse terrorizëm.

Mirëpo, ndonëse Bakalli ngre një argument që duket i guximshëm dhe novator veçanëisht përsa i takon ligjërimit në Shqipëri, kjo nuk do të thotë që ai është i saktë dhe korrekt, pasi se jo çdo diskutim apo ligjërim novator sjell një tezë apo argument të saktë. John Gray, në librin e tij Al Qaeda and what it means to be modern artikulon saktësisht të kundërtën e asaj çfarë argumenton Bakalli.

Në parathënien e librit të tij Gray, pasi rrëzon tezën mbi përkufizimin e lëvizjes terroriste islamike si një qasje arkaike shtonNjësoj si komunizmi dhe nazizmi, edhe islami radikal është një fenomen modern. Ndonëse ai pretendon se është anti-perëndimor, në të vërtetë ai është formësuar po aq shumë nga ideologjia perëndimore sa edhe nga tradita islame. Njësoj si marksistët dhe neoliberalët, radikalët islamikë e shohin historinë si një prelud drejt një bote të re. Të gjithë janë të bindur se ata mund ta ribëjnë gjendje e njerëzimit (the human condition). Nëse ka një mit unik modern, atëherë ai është pikërisht ky.

Kështu sipas Gray-t, islami radikal apo terrorizmi nuk janë thjesht produkte të një besimi arkaik islam i cili ka nevojë të reformohet. Vetë historia e botës islame na dëshmon se kjo e fundit ka kaluar një proces të gjatë reformimesh të induktuara nga bota perëndimore (shpesh herë kolonialiste) ndaj vendeve islame. Për pasojë, produktet e këtij reformimi të importuar nga jashtë kanë sjellë si pasojë jo pak herë qeveri diktatoriale, që pasi kanë përfunduar epokën e tyre ose janë zëvendësuar apo nga ana tjetër janë shkarkuar po ashtu me një reformë të importuar sërishmi nga jashtë. Rasti i Sadam Hussein-it, me gjithë krimet dhe kafshërinë e tij qeverisëse, është shembulli më i mirë. I ndihmuar të marrë pushtetin nga një qeveri amerikane për t’i bërë ballë Iranit të Khomeinit dhe më pas i sulmuar për dy herë rresht nga Bushi baba dhe Bushi bir.

Të gjitha këto reforma të importuara nga jashtë kanë sjellë si pasojë ndryshimin e shoqërisë dhe strukturave të rendit të saj. Këto të fundit patën një proces ndryshimi edhe në Evropë dhe ky ndryshim solli si pasojë jo vetëm krijimin e një shoqërie të re të pandarë tanimë në klasa por njëkohësisht edhe krijimin e diktaturave totalitare. Alasdair MacIntyre në librin e tij “After Virtue” argumenton se që pas epokës iluministe bota perëndimore po vuan degradimin e thellë moral dhe po dështon në çdo tentativë për të krijuar një shoqëri të përkorë.

Filozofi skocez, argumenton se modernizmi jo vetëm që dështoi në krijimin e një bote më të mirë por vetë iluminizmi në një farë mënyre prodhoi edhe totalitarizmat. Sipas MacIntyre iluminizmi, ndonëse u nis në emër të arsyes, si një lëvizje reformuese, na ka lënë ne në një errësirë të plotë sa i takon udhës së duhur që duhet të përcaktojmë për jetët tona personale dhe të shoqërisë sonë. MacIntyre argumenton se kriza moderne e kuptimit vjen si pasojë e shpërbërjes morale dhe se një shpërbërje e tillë e ka fillesën në inkoherencën e projektit intelektual iluminist. Ai e përcakton burimin e pafuqisë morale të kohëve tona në refuzimin që iluminizmi i bëri aspektit transcendent të moralit si edhe përpjekjes së dështuar iluministe për ti dhënë moralit baza ekskluzivisht racionale.

Si antidotë të kësaj gjendje MacIntyre argumenton se e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar “barbarizmit” që vjen si pasojë e botës moderne është pritshmëria e një Shën Benedikti. Fjalia e fundit e librit efektivisht kthen kokëposhtë llogarinë iluministe konvencionale të progresit njerëzor.

MacIntyre dhe Gray na ndihmojnë të kuptojmë dhe njëkohësisht të vlerësojmë dy elemente bazë. Së pari, John Gray na mundëson të kuptojmë se realitetet e sotme të dhunës dhe të terrorizmit islamik (apo qoftë edhe të islamizmit) nuk janë veçse produkte të modernitetit. Produkte që zënë rrënjë në një shoqëri që deri më dje ishte tradicionale por që si pasojë e ndikimeve të jashtme dhe tronditjes së traditës në mënyrë të dhunshme ka provokuar këtë gjendje mjerane. E njëjta situatë ndodhi dhe me traditën perëndimore, siç argumenton mjeshtërisht Bauman në librin e tij “Moderniteti dhe Holokausti”, ku sqaron se si ndryshimet në konstruktin social ndikuan në krijimin e mentalitetit nazist dhe racist.

Ndërkohë që MacIntyre, përmes elaborimit të filozofisë etike shpjegon në trajta më të thella atë boshllëk dhe pashpjegueshmëri të ngjarjeve të fundit të botës perëndimore. Duke na dëshmuar se progresi teknologjik apo ai mekanik nuk janë aspak premisa për të diskutuar mbi progresin e njeriut në rrafshin e tij personal. Dhe mbi të gjitha duke ngritur kritikën më të qartë ndaj filozofisë iluministe e cila duke e shndërruar fenë në diçka të “zbutur”, “të civilizuar” dhe “të racionalizuar” në shekuj prodhoi një tjetër fe më kryeneçe, më të sofistikuar në vrasje genocidale dhe mbi të gjitha më të racionalizuar në justifikimin e tyre.

Sikur të mos mjaftonte kaq, problemi në shkrimin e Bakallit qëndron në esencializmin e tepruar që ai përshfaq jo vetëm sa i takon iluminizmit por edhe sa i takon religjioni dhe shekullarizimit. Në një kohë kur edhe vetë moderniteti është shumë planesh, sipas sociologut izraelit S. N. Eisenstadt, nuk mund të flasim për një qasje të vetme ndaj iluminizmit dhe ndaj shekullarizimit sepse edhe këto të fundit kanë pasur kuptime të ndryshme në kohë të ndryshme.

Për më tepër, vetë koncepti aktual i fesë është kryesisht një shpikje e botës moderne, e cila pasi përmes shekullarizimit e detyroi besimin fetar të futej brenda katër mureve të shtëpisë, në fund i vendosi dhe një emër. Karen Amstrong, në një shkrim të botuar tek The Guardian, argumenton pikërisht këtë temë duke dëshmuar edhe një herë faktin se fjala “fe” në frymën le të themi islame apo sanskrite lidhet më ngushtësisht me mënyrën e të jetuarit. Pra mënyra se si shoqëria tradicionale e shihte atë që sot ne e quajmë besim fetar (e që nuk ka asnjë sinonim në gjuhën greke apo latine) ka qenë tërësisht i ndryshëm nga ajo që ne kuptojmë sot.

Kjo do të thotë që qasja në fjalë nuk prodhon një përgjigje jo vetëm shteruese, por as një provokim pozitiv në mendimin se përse terrorizmi ekziston sot. Pretendimi se terrorizmi ekziston në ato vende që kanë një besim ende arkaik dhe shoqëri ende të pa-iluminuara nuk hyn as në fushën e produktivitetit të gjetjes së një zgjidhje por më së shumti në shpalosjen e ideve nën frymën “ku rafsha mos u vrafsha!”.

Aq më shumë kur vetë shekullarizimi apo moderniteti, siç e përmendëm më sipër, mund të marrë forma dhe qasje të ndryshme sa i takon vendit dhe kushteve në të cilat ai është formuar. Perëndimi ka pasur një tjetër kontekst në të cilin ai u krijua dhe u zhvillua dhe ky kontekst siç e pamë më sipër jo pak herë është kritikuar apo degjeneruar në dhunë. Andaj, tentativa për të “iluminuar” popujt e tjerë që rëndom mund t’i mendojmë barbarë nuk rezulton të ketë qenë përherë produktive. Rasti i Egjiptit por edhe ai i Sirisë, Libanit apo qoftë edhe Arabisë janë shembuj shterues për këtë. Aq me tepër tani, kur një pjesë e konsiderueshme e mendimtarëve dhe shkollarëve në perëndim janë dakordësuar për sa i takon trashëgimisë së iluminizmit, modernitetit dhe pasojave të tij.

You may also like...