Në një shtet tjetër

Me shumë mundësi, nëse Artan Didi nuk do të kishte paguar faturën e energjisë apo do ta kishte vjedhur atë do të dënohej me burg por fakti që ai ka abuzuar me detyrën dhe ka fshehur një të kërkuar nga Interpoli nuk e bën atë
aspak fajtor.

Xhabyni

Edi Rama është përpjekur gjatë këtyre dy viteve në pushtet të shesë idenë se do të hyjë në histori ose duke “vdekur” në tentativën për të bërë shtet ose duke ia dalë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ndodhitë në këtë republikën tonë të vogël nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë vërtetuar të kundërtën. Praktikisht, shteti që pretendon Edi Rama është shndërruar në një shtet ku elektricisti është polici dhe prokurori që mund të fusë brenda për lidhje të paligjshme. Shteti është polici rrugor që të kap në gjendje të dehur dhe të fut në rajon, shteti është ky dhe asgjë më shumë.

Natyrisht, që një shtet duhet t’i ketë këto por të gjtiha sa thashë më sipër kthehen në zero nëse e shumëzojmë me një shtet që për dy vite ka mbuluar një krim. Të gjtiha kthehen në zero, madje edhe hyrja e policisë në Lazarat për të arrestuar vetëm gangon Gate ndërkohë që asnjë hap konkret nuk u krye nga policët për të arrestuar Gatet që jetojnë në Tiranë.

Për të folur më shkoqur, shteti që ka ndërtuar Rama është vetëm ai i imazhit ndërkohë që në realitet nuk është se ka ndryshuar shumë. Le ta nisim nga rasti më i fundit. Ditë më parë në media qarkulloi një material ku ishte emri i deputetit Mark Frroku, ironikisht ky deputet kishte kërcënuar Topallin disa muaj më parë kur kjo e kishte treguar me gisht në parlament. Pasi u zbulua që Interpoli qe në dijeni të shkresës dhe kërkesës, policia arrestoi drejtorin dhe një specialiste ndërkohë që komisar Didi (ai heroi i Lazaratit) shpëtoi pa u lagur, duke qenë se dha vetëm dorëheqjen.

Shkresa për të cilën Didi dha dorëheqjen daton që në vitin 2012 dhe përflitet që ka lidhje edhe me komisarin e rënë në detyrë që mazhoranca aktuale (më saktë Edi Rama) e ka përdorur si një dëshmor në luftën kundër kupolës së mafias që kishte zënë policinë. Në atë kohë, Saimir Tahiri dolën në parlament dhe kërkuan kokën e të gjithë atyre drejtorëve me të cilët Arben Frroku qe ulur në tavolinë. Mirëpo maskarada vazhdoi kur vëllai i Arben Frrokut u bë deputet i mazhorancës që vuri Tahirin ministër, e ja ku kuadro plotësohet. Sot, Saimir Tahiri nuk ka nisur asnjë procedurë për të ndëshkuar policët e djeshëm që kishin info për këtë shkresë, madje jo vetëm që nuk bëri këtë gjë por as nuk u përpoq të vendoste drejtësinë në vend.

Në një shtet normal, ministri i brendshëm minimalisht duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe Artan Didi duhet të arrestohej e të procedohej penalisht jo vetëm për shpërdorim detyre por edhe për fshehjen me vetëdije të një të akuzuari. Por ne nuk jemi një shtet normal, siç edhe pohuam në fillim. Me shumë mundësi, nëse Artan Didi nuk do të kishte paguar faturën e energjisë apo do ta kishte vjedhur atë do të dënohej me burg por fakti që ai ka abuzuar me detyrën dhe ka fshehur një të kërkuar nga Interpoli nuk e bën atë aspak fajtor.

Ndërkohë që Tahiri, i cili përbetohet në fjalimet e tij të gjata, se kjo nuk është më policia ku kupola është e lidhur me krimin i duhet një akrobaci e rrallë për të dalë i palarë nga lakrori që sapo është hapur. Tom Doshi, e pat thënë në fakt, që do t’i tundte leqet mazhorancës por askush nga ne nuk mendonte që do t’i tundte aq shumë sa që mazhoranca të trullosej kaq fort. Edhe sa më shumë përbetohet ai për moslidhje të kupolës së policisë me krimin, aq më shumë jehon zëri i takimeve të ministrit me deputetin Frroku. Sidomos heshtja e tij, për akuzat që deri më dje janë hedhur për këtë të fundit.

Në një shtet normal, siç i pëlqen Ramës të ligjërojë në parlament, qeveria aktuale do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Në një shtet normal, ama, jo në feudin që kemi ndërtuar këto 25 vjet!

You may also like...