A e mbani mend Zogun e Zi?

Edhe një herë na vjen kompleksi i Rozafës. Kësaj here nga vjen mu te Zogu i Zi, një emër informal për një rrethrrotullim në Tiranë. A e mbani mend dhjetë vjet të shkuara një debat politik në shkallë të gjerë, absurd në infinit?

Zogu i ZiNëse jo, po e shpjegoj me pak fjalë.

Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak i Tiranës, vendos të bëjë një nënkalim te Zogu i Zi. Bën prokurimin, harxhon nja 1 milionë euro dhe qeveria qendrore, në atë kohë e Sali Berishës, vendos ta bllokojë. Nuk u mor vesh kurrë se pse. Berisha dhe lakejtë e tij ngritën pretendimin absurt se nënkalimi, (të cilit ata i referoheshin si mbikalim), qe ndërtim pa leje.

Qeveria e bllokoi me dhunë, e shembi nën-mbikalimin duke hedhur në kosh milionat e harxhuar për ta ndërtuar dhe i vuri një rrethrrotullim plus një shatërvan sipër.

Çdo gjë duket se u mbyll me kaq. Pastaj erdhi sërish në pushtet Edi Rama. Ai vendosi ta prishë shatërvanin “demokrat” dhe ta zëvendësojë me një shatërvan tjetër, më të bukur, sipas shijes së tij. Ky është shatërvani i ri që paraqitet këtu në foton e Bashkisë së Tiranës.

Kompleksi i Rozafës është thellësisht i ngulitur në zemrat dhe mendjet tona. Çfarë ndërtohet ditën, shembet natën dhe çfarë shembet natën, ndërtohet ditën.

 

Kompleksi i Rozafës në qendër të Tiranës

You may also like...