Barsoleta si diplomë masteri

Ndërsa dëgjoja socialistët rilindës mbrëmë njëri pas tjetrit të ritregonin të njëjtat barsoleta bajate, e vetmja gjë që më erdhi ndër mend qe, që në fakt, vetë socialistët janë kthyer në një barsoletë.

Kur një barsoletë tregohet një herë, ajo të bën për të qeshur. Veçanërisht nëse tregohet në një tryezë ku pjesëmarrësit janë pak a shumë të dehur. Por kur tregohet dy, tri apo më shumë herë dhe kur pjesëmarrësit janë esëll, treguesi bëhet bajat. Në fakt, bëhet vetë barsoletë duke sugjeruar se nuk di të bëjë asgjë më të mirë se sa të ritregojë barsoleta me të cilat mund të qeshë vetëm ai që i tregon.

Kjo na ndodhi mbrëmë në parlament ku deputetët socialistë, njëri pas tjetrit, nuk kishin ndonjë argument më të mirë për të dhënë për ligjin që miratuan për arsimin e lartë se sa barsoletat pa lidhje dhe jashtë kontekstit të treguar nga kryeministri Edi Rama.

Në fakt, barsoletat e treguara, nga ato me studime doktorature qesharake te groshët e përdorura si pagesë për diploma janë të pavfleshme përballë protestuesve kundër kësaj reforme.

Qeveria aktuale ka mbyllur një dyzinë me kioska universitare dhe ka lënë të hapura dy herë më shumë nga sa ka mbyllur. Ndonëse kjo mbyllje është për t’u lavdëruar, mbajtja hapur e universiteteve private që mbeten në shumicë dërrmuese është barsoletë në vetvete. Dhe, ideja e kryeministrit, që këto universitetet e privatit nuk duhet të jenë më “të njerkës” por duhet të financohen nga nëna shtet, është akoma më shumë barsoletë.

Ligji për arsimin e lartë u miratua nga një koalicion qeverisës që vetëm për ligjin nuk foli. Një qeveri që përgjatë diskutimeve dyvjeçare nuk guxoi në asnjë rast të thotë hapur dhe shkoqur se ka ndër mend t’i japë universiteteve private fonde publike për “kërkim shkencor”. A thua kanë ndonjë vlerë të jashtëzakonshme shkencore këto universitetet private që do të vihen në rradhë te ministri i rradhës për të gllabëruar fonde publike? Po, kryeministri ka shumë të drejtë. Universitetet publike vështirë se mund të quhen universitete në rradhë të parë dhe publike në rradhë të dytë. Fjala shkencë është e pamundur të përdoret kur vjen puna për të diskutuar për universitetet publike pa ndonjë dozë ironie dhe e njëjta gjë vlen edhe për universitetet private, të cilat, shumicën dërrmuese të pedagogëve i kanë nga universitetet publike. Kryeministri, i cili po tregon barsoleta me universitetet private dhe eunukët e tij deputetë që po i përsërisin këto barsoleta si Taulant Balla duket se po bëhen edhe vetë barsoletë.

Ja një barsoletë nga një nga këto universitetet që qeveria ka ndër mend t’i financojë sepse nuk i ka mbyllur. Na ishte një herë një sekretare, me shkollë të mesme. Me bursë te universiteti ku punonte si sekretare, ndonëse në moshë të madhe, mbaroi studimet bachelor për “shkenca komunikimi”. Pak më vonë, la një pjesë të rrogës te pronari i universitetit, më saktë, pronari i universitetit i mbajti një pjesë të rrogës duke ia quajtur pagesë masteri me këste. Tashmë kjo është studente doktorature. Shpejt, qeveria do t’i japë universitetit në fjalë fonde për studimet shkencore që do të bëjë kjo doktorantja për shkenca komunikimi.

Barsoleta në fakt nuk është as pronari i universitetit dhe as sekretarja. Barsoleta është vetë maxhoranca që do t’i alokojë “fonde për studime shkencore” kësaj sekretares dhe këtij pronari.

You may also like...