Bejlerët gjakpirës, sipas Bardh Agasit

Gjergj Erebara

Duke parë dje televizor në një nga shumë kanalet televizive që transmetojnë të plota lloj-lloj ngjarjesh, pata shansin e mirë të dëgjoj socialistin Bardh Agasi të fliste para delegatëve të një konference lokale kryesisht për koncepte parimore, “i majtë apo i djathtë”, kush mund të votojë për të majtën dhe kush për të djathtën. Më saktë shprehja ishte kështu: “e kush mund të votojë për të Djathtën në këtë zonë? Me të Djathtën mund të jenë vetëm të pasurit, pronarët e mëdhenj, latifondistët. Populli i varfër voton vetëm për të majtën”.

Fillimisht më shkoi ndër mendje një skemë e hidhur, ku nga fjalët e shokut Agasi mund të dalësh në përfundimin se qeverisja e sotme po e lë qëllimisht këtë popull të varfër, për arsye se nëse ai pasurohet, nuk i jep më votën qeverisë sonë të majtë. Që e majta bazohet tek votat e të të varfërve dhe e djathta, bazohet tek votat dhe mbështetja e të të pasurve, ky tashmë është një konkept klasik i njohur nga të gjithë. Vetëm se pas fjalës së shokut Agasi, është e vështirë të gjesh “latifondistë, pronarë të mëdhenj tokash dhe tregtarë të pasur”, të cilët rezultojnë se mbështesin partitë e djathta shqiptare, aktualisht në opozitë. Është gjithashtu e vështirë të gjesh të varfër që mbështesin maxhorancën e majtë. Është më e lehtë e kundërta. Të gjesh të pasur që mbështesin socialistët shqiptarë është shumë e lehtë, po aq e lehtë sa të gjesh të varfër nëpër mitingjet e opozitës së djathtë. Por, ajo që të bën më shumë përshtypje, është përdorimi i termit “ladifondist”. Ky është një term i dalë nga historiografia komuniste dhe përbledh shtatë familje shqiptare, të cilat kishin së bashku nën pronësi më pak se katër për qind të tokës bujqësore, në një kohë kur bujqësia ishte baza e ekonomisë kombëtare. Përveç tyre, ishin 22 për qind e shqiptarëve që konsideroheshin si pronarë të mëdhenj dhe 60 për qind, si pronarë të vegjël dhe të mesëm. Për vitin 2003, duke parë listën e dhjetë kompanive më të mëdha shqiptare, rezulton se vetëm këto dhjetë kompani qarkullojnë 85 miliardë lekë, në një vend ku Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar arrin në pak më shumë se 700 miliardë. Këto kompani zotërojnë sot jo më 3.67 për qind të tokës, si latifondistët e dikurshëm, por plot 13 për qind të ekonomisë kombëtare. Ato janë kompani që nuk njihen si mbështetës të opozitës, por të maxhorancës. Më tej, sipas të dhënave fiskale, në Shqipëri janë vetëm 2 mijë kompani që japin 94 për qind të të ardhurave buxhetore fiskale. Pjesa tjetër e popullatës rezulton se janë njerëz mëse të varfër, tamam si ato që duhet të votojnë për të Majtën, sipas shokut Agasi. Po kaq e hidhur është hipoteza se qeveria shqiptare, pikërisht për këtë arsye po punon kaqmirë për krijimin e monopoleve, pasi me këtë mënyrë, rrit votat e të varfërve, destinuar për të majtën. Ironia therëse nuk ka fund. Ka të dhëna se liderët e partisë socialiste prej të gjitha kohërave kanë folur në të njejtën mënyrë para elektoratit, kanë raportuar se jetojnë në kushtet e varfësisë, se janë të pastrehë, se nuk zotërojnë makina luksoze, se nuk bëjnë pushime në Sharm El Sheik, pra janë po aq të varfër sa edhe elektorati i majtë. Përkundrazi, monopolet që kontrollojnë pjesën dërrmuese të ekonomisë, sipas shokut Agasi, duhet t’I përkasin të Djathtës. Për këtë arsye siç duket, edhe e djathta vazhdon të qëndrojë në opozitë, pasi vërtetë historikisht mbështetet nga “latifondistët dhe gjakpirësit e bujqësisë”.

Gjithashtu, nuk është fare e vërtetë se oligarkët e sotëm janë kandiduar nga Partia Socialiste për deputetë apo kryetarë bashkie. Ato janë njerëz që u pasuruan në dhjetë vite më shumë sesa u pasuruan familjet e bejlerëve shqiptarë në disa qindra vite. Tashmë mund të pyesim se kush në të vërtetë janë të majtët e popullit dhe kush janë të djathtët oligarko-latifondistë. “Ajo është një parti që pretendon që është e majtë, por që ka dhjetë vite që nuk ka bërë asnjë përpjekje për publikimin e minimumit jetik ligjor”, – thotë një socialist i mirë, ndryshe nga ato që ne i shohim për çdo ditë tek raportojnë xhepat e tyre të varfër.

 

Botuar ne gazeten Shekulli 2004

You may also like...