Çfarë ndodh kur një idiot me temperament të keq dhe pa vëmendje drejton një perandori?
Miranda Carter, The New Yorker
Një nga pak gjërat për të cilat kishte talent Kaizeri Vilheml i Dytë, i cili sundoi Gjermaninë në vitet 1888 – 1919, ishte provokimi i sherreve. Një specialitet i veçantë ishte fyerja e monarkëve të tjerë. Ai e quajti mbretin e shkurtër Viktor Emanueli i Tretë i Italisë “një xhuxh” në prani të shoqëruesve të vetë mbretit. Ai quajti princin (më pas carin) Ferdinand i Bullgarisë, Fernando naso,” për shkak të hundës së tij me kurriz dhe përhapi thashetheme se ky ishte hermafrodit. Për shkak se Vilhelmi ishte dukshëm indiskret, njerëzit e dinin se çfarë thoshte ai pas kurrizeve të tyre. Ferdinandi ia doli të hakmerrej. Pasi vizitoi Gjermaninë më 1909, vizitë në të cilën Kaizeri i gjuajti me shpullë në prapanicë në publik dhe më pas refuzoi të kërkonte ndjesë, Ferdinandi i dha një kontratë të madhe armësh një kompanie franceze, kontratë që i ishte premtuar gjermanëve.
Kjo nuk solli ndonjë pësim për Kaizerin. Një nga shumë gjërat për të cilat Vilhelmi ishte i bindur ishte se ai ishte mendjendritur, pavarësisht të gjitha provave për të kundërtën. Ai besonte se “diplomacia personale”, rregullimin e politikës së jashtme përmes takimeve kokë më kokë me shtetarët dhe monarkët e tjerë të Europës. Në fakt, Vilhelmi nuk ishte në gjendje të bënte as takime personale dhe as diplomaci dhe këto takime rrallë herë shkuan mirë. Kaizeri shikonte njerëzit e tjerë në terma instrumentalë, ai ishte një gënjeshtar i pashërueshëm dhe dukej se kishte të kuptuar të paktë të shkaqeve dhe pasojave. Më 1890, ai la të skadonte një marrëveshje afatgjatë mbrojtëse me Rusinë – fqinjin lindor të Perandorisë Gjermane, i cili ishte i stërmadh dhe në disa raste, kërcënues. Ai gjykoi gabim se Rusia ishte aq e dëshpëruar për vullnetin e mirë të gjermanëve sa mund ta mbante pezull. Në vend të kësaj, Rusia huri menjëherë në aleancë me fqinjin perëndimor dhe armikun e Gjermanisë, Francën. Vilhelmi vendosi se mund ta joshte dhe manipulonte Carin Nikolas i Dytë (një “leshko” dhe një “qaraman,” që sipas Vilhelmit, ishte i aftë vetëm për të rritur lakra), duke e shtyrë atë të braktiste aleancën me Francën. Më 1897, Nikolas i tha Vilhelmit t’i hiqej sysh; aleanca Gjermano-Ruse u rrënua.
Rreth një dekadë më parë, unë publikova librin “George, Nicholas and Wilhelm: Three Royal Cousins and the Road to World War I,” (Xhorxhi, Nikolas dhe Vilhelm: tre Kushërinjtë Mbretërorë dhe Rruga drejt Luftës së Parë Botërore ) një libër që pjesërisht ishte mbi Kaizerin Vilhelm, i cili ka gjasa njihet më shumë si nipi i parë i Mbretëreshës Viktoria dhe njeriu që udhëhoqi Gjermaninë në Luftën e Parë Botërore. Që kur Donald Trumpi nisi fushatën për president, Kaizeri është rikthyer në mendjen time – dështimet e tija personale dhe pasojat botërore të shkaktuara nga këto dështime.
Tweet0et e Trump ishin ato që më rikujtuan mua Kaizerin. Vilhelmi ishte një njeri që mbante fjalime kompulsive dhe që vazhdimisht dilte nga teksti i parapërgatitur. As stafi i tij nuk ishte në gjendje ta ndalonte, megjithëse tentoi, duke shpërndarë kopje të fjalimeve për shtypin gjerman para se ai t’i jepte fjalimet. Për fat të keq, shtypi austriak botoi fjalimet ashtu siç ato jepeshin dhe gafat e fyerjet shpejt filluan të qarkullojnë në të gjithë Europën. “Ka vetëm një person që është padroni i kësaj perandorie dhe unë nuk do të toleroj askënd tjetër,” parapëlqente të thoshte Vilhelmi, edhe pse Gjermania kishte një parlament demokratik dhe parti politike. (“Unë jam i vetmi që ka rëndësi,” tha Trump). Kaizeri kishte fyerje të veçanta për partitë politike që votonin kundër politikave të tij. “Unë shikoj çdo Social Demokrat si armik të Atdheut,” tha ai, dhe denoncoi partinë Socialiste të Gjermanisë si një “bandë tradhtarësh.” August Bebel, udhëheqësi i socialistëve, tha se çdo herë që Kaizeri hapte gojën, partia fitonte disa qindramijëra vota më shumë.
Kur Vilhelmi u bë perandor më 1888, në moshën njëzet e nëntë vjeçare, ai ishte i vendosur që të shfaqej si i ashpër dhe i fuqishëm. Ai fetishizonte ushtrinë, e rrethoi veten me gjeneralë (megjithëse, njësoj si Trump, ai nuk pëlqente t’i dëgjonte ata), kishte nën pronësi njëqind e njëzet uniforma ushtarake dhe nuk vishej me asgjë tjetër. Ai kultivoi një shprehi speciale publike si njeri i rëndë për shfaqjet publike dhe fotografitë – dhe ka shumë të tilla për shkak se Vilhelmi pëlqente të firmoste fotot dhe bustet e tij dhe t’i dërgonte te çdokush – dhe ai kishte edhe një palë mustaqe të spërdredhura për lartë dhe shumë rëndë të ngrira me dyll. Ai ishte i famshëm për shprehjen “Er ist Erreicht!” (Është e realizuar)
Në fakt, Vilhelmi nuk realizoi shumë gjëra. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrusë Gjermane ishte dakord se Kaizeri nuk mund të “udhëheqë tre ushtarë për të kapërcyer një hendek.” Ai nuk kishte as vëmendjen e duhur dhe as aftësinë. “Heqja e vëmendjes, qoftë ajo një stërvitje e vogël me ushtrinë apo marinën, udhëtimin apo gjuetinë – janë gjithçka për të,” shkroi një ish-mentor i zhgënjyer. “Ai lexon shumë pak gjëra me përjashtim me të copave të prera të gazetave, vështirë se shkruan ndonjë gjë vetë me përjashtim të shënimeve në cepat e raporteve dhe i konsideron bisedat si të vlefshme vetëm nëse zgjasin pak.” Stafi i Kaizerit përgatiste raportin e shtypit me lajme të prera nga gazetat për të, të cilat ishin më së shumti lajme rreth tij. Ai i lexonte i fiksuar njësoj siç shikon Trump televizor. Një lajm kritik e çonte atë të shpërthente i zemëruar.
Gjatë sundimit të Vilhelmit, rangjet më të larta të qeverisë gjermane filluan të dobësohen, ku zyrtarët luftonin kundër njëri-tjetrit. “Opinionet më kontradiktore shtyhen gjithnjë e më lartë në nivelin e qeverisjes,” u ankua një diplomat gjerman. Për të shtuar këtë konfuzion, Vilhelmi ndryshonte pozicionin e tij çdo pesë minuta. Ai ishte thellësisht dyshues dhe kalonte nga një person me të cilin po fliste te një copë gazete e prerë dhe te personi tjetër. “Është i padurueshëm,” shkroi një ministër i jashtëm më 1894. “Sot thotë një gjë dhe nesër një gjë tjetër dhe pas pak ditësh diçka krejt ndryshe.” Stafi dhe ministrat e Vilhelmit filluan të përdorin manipulimin, heqjen e vëmendjes dhe lajkat në përpjekje për ta menaxhuar atë. “Në mënyrë që ta shtysh të pranojë një ide, duhet ta prezantosh idenë si të ishte e tija,” këshilloi kolegët e tij Philipp zu Eulenburg, një mik i Kaizerit, duke shtuar, “mos harroni sheqerin.”
(Në librin Zjarr dhe Tërbim, Michael Wolff shkruan se për ta shtyrë Trump të marrë vendim, stafi i Shtëpisë së Bardhë duhet ta bindë atë se ai “e kishte i pari mendimin se çfarë duhet bërë.”
Por në mënyrë më djallëzore, patronazhi i Vilhelmit për të djathtën agresive nacionaliste e la atë të rrethuar nga ministra që kishin një bindje të përbashkët se lufta Europiane ishte e pashmangshme, e madje e dëshirueshme. Alfred von Tirpitz, shefi i Marinës së Gjermanisë – i cili kuptoi nga takimi i tij me Kaizerin se ai “nuk jetonte në botën reale” – me vetëdije shfrytëzoi smirën dhe zemërimin e Vilhelmit me synimin për të marrë prej tij shuma astronomike të nevojshme për të ndërtuar një Marinë Gjermane në përmasa të tilla sa të rivalizonte atë të Britanisë, një projekt që krijoi një garë armatimesh dhe u bë pengesë e pakapërcyeshme në negociatat për paqe.
Kaizeri ishte një njeri i prekshëm por kurrë tërësisht i kontrollueshëm. Ai e vendosi autoritetin e tij në mënyrë të paparashikueshme, a thua se atij i duhej të provonte se ishte shefi i madh, duke orkestruar ndërhyrje pa takt te politikat e vetë këshilltarëve të tij dhe duke pushuar ministra nga puna pa paralajmërim. “Ti nuk ia ke idenë se çfarë kam parandaluar unë,” u ankua te një mik ndihmësi i tij më servil, Bernhard von Büloë, “dhe se sa shumë kohë unë duhet t’i kushtoj rivendosjes së rendit kudo që Padroni Ynë më i Lartë krijon kaos.”
Sekreti më i errët i Kaizerit ishte se një herë në ca vjet – pasi ndërhyrjet dhe gabimet e tij ekspozonin paaftësinë e tij apo shkaktonin krizë – ai vuante nga një kolaps total. Enturazhi i tij e hiqte atë nga dyshemeja dhe ai tërhiqej në një nga pallatet e tij të shumta ku i rraskapitur, qante dhe ankohej se ishte viktimizuar. Pas qarjeve vinte ecja lartë e poshtë në një heshtje jokarakteristike. Me raste ai shpërthente në lotë. Gradualisht ai rikalibronte ndjesinë e realitetit – ose irreales – dhe pas disa javësh rikthehej sërish, vetëmburrës njësoj si më parë.
Unë kalova gjashtë vite duke shkruar librin tim mbi Vilhelmin dhe kushërinjtë e tij, Mbreti Xhorxh i Pestë i Anglisë dhe Cari Nikolas i Dytë dhe egoizmi i Kaizerit dhe eksentriciteti i tij e bënte atë më dëfryesin nga të tre për të shkruar. Pas një copë here, gjithsesi, duke jetuar me Vilhelmin – njësoj siç ndodh kur shkruan për një person nga një periudhë e largët – ai bëhet i tepërt. Ishte jofrymëzuese e madje edhe shtypëse për të kaluar kaq shumë kohë përreth një personi që nuk mësoi kurrë asgjë dhe nuk ndryshoi asnjëherë.
Kaizeri nuk ishte i vetmi përgjegjës për Luftën e Parë Botërore, por veprimet dhe zgjedhjet e tij ndihmuan për sjelljen e luftës. Nëse një konflikt tjetër ndërkombëtar është afër, duket se me të vërtetë nuk në nevojitet një narcizist në kontroll të një fuqie botërore. Emocionaliteti i Vilhelmit, paparashikueshmëria e tij, nevoja për t’u njohur: këto gjëra kishin efekt në Gjermani, vend që ishte në një lloj spazme prej adoleshenti – i shpejtë për të perceptuar mospërfille, eksituar nga ideja për të treguar muskujt, përplot me ndjenjën se ka të drejta. Në të njëjtën kohë, sjellja e Vilhelmit rriti tensionet në Europë. Diplomacia personale e ngathët e tij shkaktoi dyshime. Aleanca me të djathtën dashakeqe dhe admirimi i tij për ushtrinë e shtyu vendin gjithnjë e më pranë një lufte. Sapo lufta mbërriti mbi të, qeveria dhe ushtria efektivisht e mënjanoi Kaizerin nga skena. Por dëmi më i madh ndodhi vetëm pasi Vilhelmi abdikoi në nëntor 1918. (Ai kaloi pjesën e mbetur të jetës së tij – mbijetoi deri më 1941 – në Holandën qendrore.) Pas kësaj Gjermania e mundur u zhyt në vite të tëra depresioni, pakënaqësish dhe një gënjeshtre helmuese se Gjermanisë i ishte “vjedhur” fitorja që i takonte me të drejtë. Pjesa tjetër, siç thotë shprehja, është histori.
Unë nuk po sugjeroj se Trump është duke nisur Luftën e Tretë Botërore. Por zhvillimet e kohëve të fundit – luhatjet e stërmëdha me Korenë e Veriut, anulimi i marrëveshjes bërthamore me Iranin, kërcënimi për luftë tregtare me Kinën – sugjerojnë për trazira që mund të dalin shpejt jashtë kontrollit amerikan. Disa nga kritikët e Trump supozojnë se përshkallëzimi i këtyre krizave prej tij mund të sjellin dobësim, e madje edhe humbje të presidencës prej tij. Leksioni i vërtetë i Kaizerit Vilhelm II, gjithsesi është se largimi i Trump nga posti i presidentit mund të mos jetë fundi i problemeve që ai mund të ndihmojë për t’u krijuar apo përshkallëzuar – ajo mund të jetë vetëm fillimi.
Miranda Carter është autore e librit “George, Nicholas and Wilhelm: Three Royal Cousins and the Road to World War I.”