Demokracia si një alibi

Xhabyni

Arsyeja kryesore se përse një politikan është shkëputur në këto 25 vite pluralizëm nga partia “mëmë”, së paku publikisht, lidhet me mungesën e demokracisë që lideri i partisë “mëmë”. Pak a shumë na vijnë ndër mend arsyet kryesore që Meta i bëri publike para ndarjes me PS-në e Nanos, sikundër arsyet se përse Genc Pollo u distancua nga Berisha në 1997 (e jo vetëm ai por thjesht si një shembull).

Për të vazhduar më pas me politikanë (nëse kemi ende këtë dakortësi për t’i emëruar kështu) si Petro Koçi apo edhe më së fundi Bamir Topi që u ndanë nga e shkuara e tyre me një parti me të cilat kishin lidhur shumë fije vetëm në emër të demokracisë. Një thënie popullore thotë që “Koha tregon gjithçka” dhe në fakt ka treguar shumëçka (në mos gjithçka?) për këto personazhe që janë shkëputur nga partitë e tyre në emër të demokracisë, por që veprimet e tyre më shumë rreken të tregojnë se demokracia është dhe mbetet gjëja më fundore.

Le të marrim, shembujt e fundit të historisë së gjatë të hatër mbetjeve të atyre që dje ishin miq të afërt. Nëse ju kujtohet, Bamir Topi u largua nga Partia Demokratike sepse lideri i saj historik Berisha, për të parin nuk qe as më shumë e as më pak se sa një autokrat dhe stalinist. Ai, si kur qe në presidencë edhe kur qe pas mandatit të tij kritikonte ashpër dhe me tone të forta mungesën e demokracisë së PD-së. Megjithëse, vetë ai kish qenë pjesë e një partie që nën atë mungesë demokracie kishte mbijetuar dhe kish hipur në postin më të lartë të vendit, kryetari i shtetit!

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë aspak që dikush pasi t’i ketë provuar të gjitha të mirat…të mos ndjehet i trishtuar për gabimet e tij dhe të kritikojë veten dhe tjetrin. Mirëpo, megjithëse z. Topi krijoi një parti nga hiçi apostafat për ta kalëruar atë pasi të ikte nga presidenca (një lëvizje sa qesharake aq edhe intuitive) ka dështuar të na tregojë modelin ndryshe nga ai që kritikonte deri më dje. Jemi në vitin 2015 dhe mënyra se si z. Topi ka vepruar me partinë e tij është e ngjashme me mënyrën për të cilën ai e kritikoi Berishën. E mora shembullin e Bamir Topit, jo sepse qëllimi i shkrimit është të godas atë por si një shembull i freskët i asaj çfarë tjetër themi e tjetër bëjmë.

Për të mos folur më pas për mendimin ndryshe apo për intelektualët që ndodhen në këto parti, të cilët fjala vjen në asnjë moment dhe asnjë çast nuk e ngritën zërin kundër edhe kur ylberet janë kapërcyer. Pra, partitë e vogla dhe kryetarët e tyre (që janë të përjetshëm në ato parti) nuk janë vetëm se një imitim i shëmtuar i atyre kryetarëve që deri më dje kanë kritikuar. Më thoni pak a nuk jemi rritur dhe plakur me Paskal Milon, Skënder Gjinushin dhe Spartak Ngjelën kryetarë legjendarë të partive-individ?!

E gjithë kjo panoramikë, siç mund të thoshte dhe Maçhiaveli, nuk është as më shumë e as më pak se sa një pasqyrim i mendësisë sonë të ngushtë për të ndërtuar një parti e cila mbi të gjitha duhet të jetë frymë. Kjo, indirekt sipas meje, reflekton atë mosbindjen e shqiptarëve ndaj partive politike apo ndaj një force të re politikë. Shumica e atyre që deri më dje kanë ngritur shqetësimin e mungesës së demokracisë së brendshme kanë dështuar suksesshëm në ndërtimin e asaj çfarë kanë propaganduar. Duke na treguar, qartë dhe ndoshta në pandërgjegjie se nuk janë as më shumë e as më pak vetëm se imitimet e shëmtuara të atij që dikur e quanin lider. Duke na treguar, se ne si shoqëri ende nuk e kemi marrë seriozisht lirinë dhe demokracinë…ditën që do të fillojmë ta marrim do të kemi pak më shumë respekt për veten!

You may also like...