Kurbanizimi i kombit

Pa lëvizur as një gisht nga vija konseguente e paraardhësit të tij Berisha në karriken e liderit të pazgjedhur të panshqiptarizmës, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Kryeministri Rama ka nisur të përdorë retorikën e nacionalizmit ndaj fqinjëve. Përballë Serbisë ai përdori Kosovën si plaçkë lufte duke ngritur veten përballë opinionit publik në piedestalin e arbiter elegantiarum të stuhisë së fundit në gotë: debatit mbi identitetin shqiptar, shqiptaro-kosovar apo thjesht kosovar të shqiptarëve të Kosovës.

Ndaj Greqisë diskuri i Ramës u kanalizua në artikulimin e tezës tashmë shumë të preferuar në klubet e amatorëve dhe profesionistëve të ballkanistikës se jo shumë kohë më parë Greqia fliste shqip.

Me këto përpjekje Rama ri-dëshmoi, pa qenë aspak nevoja ta bënte për të disatën herë, vazhdimësinë e shëmtuar të linjës së nacional-komunizmit enverist në vend, ati i të cilës në ditët më të errëta të shqiptarëve artikulonte nga salla plenare “Shqipëria socialiste është një vend paqedashës që nuk kërkon të kërcënojë njeri, me politikën e saj të jashtme..narkofashistët grekë kanë gati 25 vjet që dekllarojnë që janë në luftë me Shqipërinë. Për arsyen bindëse se Italia fashiste që sulmoi me armë dhe sulmoi Shqipërinë më 1939 sulmoi dhe Greqinë. Duhet një mentalitet fashist grek që të mbahet në jetë kjo ide, por ne i themi Greqisë se iu prish gjiza republikës socialiste të Shqipërisë se ju i shpallni luftë”

Po të vini re, retorika e Ramës ka pastruar disa nga artikulimet e mësipërme enveriste por në thelb kjo retorikë ka mbajtur të njëjtën frymë duke u ngritur mbi të njëjtat parime. Natyrisht, zërit kumbues brenda një salle që e ndiqte me adhurim diktatorin Hoxha (shihni filmimet) kryeministri Rama i është përgjigjur me argumentet e nxjerra nga sirtari historik.

Ironikisht këto argumente u ngjajnë preteksteve që historianët e djeshëm (por edhe të sotëm) të komunizmit kanë përdorur për të ngritur mitin e superioritetit shqiptar ndaj identitetit grek. Argumente që u ngjajnë provave shkencore të bazuara në shkrimet e  Barletit sipas të cilave Skënderbeu historik në të vërtetë ishte një komandant legjendar mbi 2 metra i gjatë.

Arsyeja përse Rama iu rikthye trajtimit të Greqisë në gjurmët e paraardhësve të tij politikë lidhet me këshillën që Bieber në një artikull ironik i propozon “princave të Ballkanit”. Ndër të tjera ai thotë “Zgjidh problemet me fqinjin tënd, por ndërkohë krijo disa të tjerë për të qenë sa më popullor…..Por, problemet e reja dhe të vjetra me fqinjët janë dobiprurëse në shtëpi. Ato e heqin vëmendjen nga problemet e tjera, të japin një mundësinë për të thirrur njerëzit rreth flamurit. Nuk ka asgjë më të mirë se sa të rrisësh popullaritetin përmes ngacmimit të fqinjëve. Prandaj, duhet të ndërtosh një balancim mes kënaqjes së ndërkombëtarëve dhe ushqimit të ndjesive të vendasve në këtë pikë.”

Gjithsesi ekuacionit të kryeministrit Rama, ditët e fundit i janë shtuar reagimet e Greqisë e cila duket se nuk është mjaftuar me artikujt bombastikë në gazeta. Por ka nxjerrë edhe një herë jataganin për të rikthyer operacionin “fshesa” që largon shqiptarët që punojnë në Greqi.

Bëhet fjalë për qindra njerëz të cilët e kanë lidhur jetën e tyre me punën në Greqi, që janë kontribues të rëndësishëm për mbijetesën e familjeve të tyre në atdheun e tyre, i cili ka vite që keqqeveriset.

Çfarë do t’u thotë kryeministri Rama shqiptarëve të dëbuar? A do ti bindë të rikthehen në atdheun e tyre duke i ofruar vende pune në fushat e kanabisit? A do tu mbajë një fjalim të gjatë në kuvend duke dënuar sjelljen greke ndaj tyre? Apo do ti lajë duart si Pont Pilati, duke kuptuar që llogaritë e tij makiavelike dolën të pasakta e duke lënë në baltë shqiptarët edhe një herë të spastruar?

Megjithëse këto pyetje nuk kanë marrë përgjigje, gjasat janë që Rama të mos flasë më duke pritur në fund të ditës se sa pikë përpara ka shkuar ai në zemrat e atyre shqiptarëve të cilëve fjalimet nacionaliste u shërbejnë si ekzaltues për zemrat e tyre të fishkura. Aq më tepër kur gjatë këtij sezoni futbollistik, FIFA nuk na dha shansin që hormonet tona nacionaliste t’i shfrynim në ndonjë ndeshje kundër Serbisë apo Greqisë.

Shqiptarët e tjerë, ata që sot kthehen nga fshesa hakmarrëse greke, janë jetimët e bërë kurban nga dëshira e një kryeministri për të qenë në qendër të vëmendjes. Padyshim në fjalët e Ramës mund të ketë shumë të vërteta, por edhe në qofshin të tilla, sa fajde bëri i gjithë ky mllef prej të verbëri që si rezultat solli akoma më shumë të varfër dhe më shumë varfëri në Shqipëri? A nuk do të ishte më e udhës që Rama të mos ti sakrifikonte këta njerëz që kurrë nuk do të mundet t’i punësojë?

Natyrisht që po!

Fakteqësisht këta shqiptarë tanimë janë pengje të nacionalizmit, të një një nacionalizmi propagandistik që vërtet nuk vret si ai i Millosheviçit, por që krijon drama njerëzore që vrasin më ngadalë, drama që fundin e kanë të njëjtë.

Babai i kombit dështoi përsëri – megjithëse dufi ynë nacionalist ndoshta për disa çaste na gënjeu duke na e shndërruar për disa momente në paladin të kombit. Të atij kombi që Rama vazhdon ta bëjë kurban.

You may also like...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.