Në vdekje klinike

Nëse Rilindja 1.0 e Edi Ramës dhe Rilindja 2.0 me pulovër Krishtlindjesh e Erion Velisë do të ishin dy godina me të vërtetë solide, këto pak ditë të ftohta ngrice më se të zakonshme për vendet e rajonit do ishin vareja që do ti shembte ato njëherë e mirë. Por fatmirësisht për Edi Ramën, projekti madhështor i Rilindjes Shqiptare është produkti i një zyre propagande. Ai as nuk mardh, as nuk shembet.

Aspak nuk preket nga vareja e të ftohtit propaganda gjiganteske e një qeverie e cila thotë se ka investuar në rrjetin energjetik dhe në OSHEE sa 25 vjet të marrë së bashku, që thotë se ka ndërtuar shkolla të reja dhe ka rikonstruktuar  kopshte e çerdhe sa 25 vjet të marrë së bashku dhe që pretendon se ka krijuar me shkopin magjik të konçensionit një shëndetësi të mirë për herë të parë në këto 25 vjet.untitled

Nëse propaganda e qeverisë është shëndoshë e mirë, Shqipëria reale është një vend i cili mezi mbahet në këmbë. Vendi ka një administratë të pazonjën për të funksionuar. Ai drejtohet një qeveri  pretendon se ka shpëtuar jetë dhe kursyer vuajtje duke bërë thirrje nëpër televizione që gjithkush të mbyllet brenda. Pavarësisht sukseseve “publicitare” të qeverisë së Shqipërisë në rrjetet sociale në fushën e parandalimit të hipotermisë, faktet e ftohta të janarit 2017, nuk konfirmojnë asgjë tjetër përveç faktit se në Shqipëri qeverisja reale ndodhet në një situatë vdekjeje klinike.

Kaldaja rilindase, ndonëse në dhjetorin 2016, ngrohu asamblenë kombëtare të Partisë Socialiste me arritjet e një qeverie që ka punuar sa të gjitha qeveritë e marra bashkë në këto 25 vjet, nuk mundi dot të ngrohte as pavionet e spitaleve pas natës së vitit të ri. Ajo u  kufizua në mundësimin e një atmosfere të ngrohtë dhe miqësore nëpër zyrat  shtetërore vërtet të zbrazura, por të dizenjuara, rikonstruktuara dhe mobiluara rishtas, duke i lënë shqiptarët të ngrohen poshtë batanijeve me frymën e shenjtë, duke ndjekur propagandën e ngrohtë taze në televizor.

Qytetarët janë strukur, shumica nëpër dhomat e tyre, të mbledhur pranë kaloriferëve apo duke u ngrohur pranë ndonjë sobe me gaz. Shumë prej tyre nesër do të lexojnë një çmim të kripur të energjisë elektrike, sepse qeveria ka rritur çmimin e energjisë dhe ato janë treguar të pakursyer duke qenë edhe fund vit. Të tjerë e kanë paguar gazin më shtrenjtë, ndonëse emisarët e qeverisë kanë qarkulluar lart e poshtë nëpër televizione duke pohuar se do merren masa për spekulatorët. Dikush harron se ishte qeveria “sociale” e Shqipërisë ajo që vendosi akcizën e gazit.untitled-2

Gati 90% e vendit është paralizuar, ndërkohë që i ftohti ri zbulon edhe një herë problemet më jetike të thuajse çdo qyteti. Megjithëse të zbukuruara e stolisura nga projekti më madhështor që ka parë vendi në këto 25 vjet -rigjallërimi i qendrave urbane që i kushtoi buxhetit të vendit në një mandat rreth 400 milionë dollarë – ata sot nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm. Njësoj si 25 vjet më parë, familjarët e një shtëpie zënë radhën për t’u larë në dushe, ndërkohë që qeveria ka treguar një predispozitë për të stimuluar artet pamore duke investuar në palmat e autostradës.untitled-2

Për fat të keq numri i të vdekurve rritet, dhe askush nuk mund të thotë se çfarë do të mund të bëjë qeveria që ai të mos përshkallëzohet në mënyrë progresive, ashtu si si taksa përkatëse. Kjo është një qeveri e veprës. Ajo ka mbyllur çdo institucion nën hyqmin e saj deri në javën e dytë të janarit, duke shmangur kësisoj një turp edhe më të madh të investimeve në shkolla, kopshte dhe çerdhe sa 25 vjet të marra së bashku.

 

Si Rilindja, ashtu edhe kryeministri Rama dhe beniamini i tij kopjativ, duket se nuk e kanë më as ngenë as nervat, për të kundërshtuar atë që të gjithë e shohim. Të mpakur, me shumë mundësi, nga një ngricë koalicioni nuk kanë mundur as të na e përcjellin buletinin e fundjavës.

Shqipëria është nën akull prej disa javësh, por qeveria është zyrtarisht në koma dhe një Zot e di se si dhe kur do të zgjohet. Ajo gjendet në vdekje klinike, por Komiteti Qendror i Mirëqenies Sociale dhe Propagandës Popullore ende nuk e ka shpallur datën zyrtare të pranverës kur ajo do të rilindë sërish, bashkë me lulëzimin e opozitës. Deri atëherë, çdo shqiptar le të kuptojë se si ka qeverisur kjo qeveri ..natyrisht më mirë sesa 25 vjet të marrë së bashku!

You may also like...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.