Një betejë sipas këndvështrimit opozitar
Sfida kësaj radhe pritet të jetë interesante duke qenë se qeveria e zgjedhur nga një milion vota po e humbet kredibilitetin qoftë si pasojë e premtimeve populiste që nuk janë mbajtur në masë të madhe, qoftë edhe si pasojë e skandaleve.
Xhabyni
Në mes të vorbullës së skandaleve që kanë zënë ngushtë politikën e më së shumti qeverinë, kanë filluar edhe ato “ethe” politike për sa i përket zgjedhjeve vendore që do të zhvillohen në Qershor. Siç edhe pritej, reflektorët janë vendosur mbi dy partitë kryesore në vend, pak më pak në partinë e tretë LSI e në fund tek disa kandidatë të pavarur që kanë vendosur të konkurrojnë me të njëjtën strategji si partitë e mëdha ndonëse nuk kanë strukturën e tyre.
Sfida kësaj radhe pritet të jetë interesante duke qenë se qeveria e zgjedhur nga një milion vota po e humbet kredibilitetin qoftë si pasojë e premtimeve populiste që nuk janë mbajtur në masë të madhe, qoftë edhe si pasojë e skandaleve. Natyrisht, skandaleve që përfliteshin ndër njerëz në tavolina por që sa herë që bëhen publike kanë një bumerang të frikshëm ndaj cilësdo qeveri. E këtë opozita e djeshme e di mjaft mirë, sepse qe pikërisht falë skandaleve që përfliteshin dje në tavolinë e që u vërtetuan më pas në media që Berisha humbi atë fije autoriteti që kishte.
Nga ana tjetër, opozita e sotme e drejtuar juridikisht nga Lulzim Basha, është para një sfide e cila duket tejet e vështirë për t’u fituar në rang kombëtar. Aktualisht, Basha po përpiqet të krijojë një tren me vagonë cilësorë për të marrë sa më shumë vota dhe për të testuar partinë e tij në këto zgjedhje. Një parti, e cila doli nga zgjedhjet e përgjithshme si çdo parti tjetër që e ka konsumuar pushteti, mirëpo me një minus të madh. Vërtet historia e përsërit veten, por kur kjo ndodh ajo përkujdeset që cinikisht të përmisojë detajet e kësaj përsëritje që të krijojë një skenë të re. Me këtë dua të them që vërtet PD ka dalë nga një garë e zgjedhjeve njësoj siç doli PS në 2005 (e përçarë dhe e lodhur) apo siç vetë PD doli në 1997.
Por në të dyja rastet e mëparshme liderët e partive respektive qenë ndryshe nga sa është Lulzim Basha sot, e mbi të gjitha fabula të cilën përdorën si Berisha në 97 dhe Rama në 2005 qe një plus për të mbajtur të karikuar militantët e votuesit respektivë. Siç edhe ne tanimë e kemi të qartë, Lulzim Bashës i mungojnë këto dy cilësi të forta që kanë patur historitë e shkuara, duke qenë se PD përpos disa figurave të reja që duan kohën e tyre të ndërtojnë një model politik personal kanë në përbërje shumë prej atyre ministrave të cilët janë përfshirë në afera korruptive. Shto këtu edhe mungesën e një fabule të besueshme siç qe ajo e Berishës në 1997 (që komunistët ia morën pushtetin me dhunë) apo e Ramës në 2005.
Një tjetër minus, që natyrisht ai e mbart nga e shkuara e PD-së, janë kryetarët aktualë të bashkive të cilët jo të gjithë mund të gëzojnë simpatinë e Bashës. Kjo do të thotë që në zgjedhjet e ardhshme këtij të fundit do t’i duhet të përballet me pakënaqësitë për këto kandidatë që nuk i ka zgjedhur vetë. Kjo, do të vlejë për të gjithë qytetet përjashto Tiranën duke qenë se kjo e fundit qartësisht qe një dështim personal i Lulzim Bashës dhe stafit të tij. Një dështim i cili do të ketë pasoja jo vetëm për kandidatin që do të pranojë të humbasë në qytet (një humbje e mundshme dhe me shumë gjasë të ndodhë) por edhe për këdo tjetër që do të kandidojë nën siglën e PD-së, në një të ardhme në kryeqytet.
Një tjetër pikëpyetje që shihet në lidhje me Bashën janë dhe Aleancat e tij parazgjedhore, që në krahasim me Ramën janë më të pakta. Po, atëherë si të lexojmë aleancat fluide dhe të hapura të Ramës me individë apo parti që e konsiderojnë veten të djathta?! Aleanca të tilla janë më së shumti jo dështim i Bashës apo mefshtësi e tij duke qenë se fjala vjen aleanca Rama-Topi nuk është vetëm se një zyrtarizim i një marrëdhënie dy vjeçare në qeveri. Ku njerëzit e Topit kanë marrë poste drejtuese në dikastere të ndryshme. Këto aleanca që Rama kryen janë më shumë një mesazh që ai do t’i japë elektoratit të tij dhe LSI-së, peshën e së cilës ai përpiqet që ta shfryjë sa më shumë.
Në thelb të politikës së Bashës, për zgjedhjet e ardhshme është më shumë ndërtimi i një parimi ku ai do të përpiqet të sjellë kandidatë të pakriminalizuar për të fituar zona që në zgjedhjet e 2013 Rama dhe Meta i morën me Doshin, Frrokun, Ndokën e ndonjë tjetër. Synimi i Bashës, me sa duket është që përballë një beteje ku e ka të qartë se do të dalë tërësisht i humbur, do të përpiqet që të marrë sa më pak goditje që të jetë e mundur për t’u rikuperuar sa më shpejt për dy vitet e ardhshme.
Se sa efektive do të jetë një strategji e tillë kjo i duhet lënë kohës, siç i duhet lënë edhe kohës vlerësimi për sjelljen e Bashës dhe ekipit të tij. Megjithëse, politika që kemi mësuar të shohim në këto 25 vjet na ka treguar që opozitari duhet të bërtasë në mitingje, Basha po përpiqet ta bëjë këtë të fundit por me gjithë se në dietën e tij ka shtuar numrin e vezëve ai vazhdon të ngjiret. Se sa do t’ia dalë me këto finte për të rifituar fuqitë që në zgjedhjet e ardhshme të jetë një faktor numerik në parlament kjo mbetet për t’u parë. Por tanimë beteja është e qartë se si do të anojë!