Power to the People

555955_10151690303726750_304522503_nDitari i Shvejkut

Askush nuk do e kishte menduar që për një çështje si ajo e Demontimit të Armëve Kimike shoqëria civile e vendit tonë do të mbushte sheshet e qyteteve, e sidomos të Tiranës. Askush nuk mendonte që pas kaq shumë goditjeve dhe instrumentalizimeve të problemeve tona ne do të gjenim fuqinë për të reaguar, por ja që ndodhi. Në fillim ishim pak a shumë rreth 100 të tillë, të nesërmen shkuam 500 e derisa pjesa e bulevardit mu përballë kryeministrisë u zaptua nga të rinjtë që kërkonin me ngulm “JO”-në.

Ishin shumë momentet që më emocionuan si rrallë herë në këtë protestë, të parën protestë të vërtetë (në mund ta quaj të tillë) pas kaq shumë vitesh. Emocionin e parë ma dha përkatësia qytetare secila hodhi tej përkatësinë  politike të bandave parti, që ka rreth një dekadë që predikohet nëpër studiot e emisioneve televizive, bar kafet e qytetit dhe në jetën e përditshme. U ngritëm për të një të keqe pa bërë dallime, duke marrë vetë në duar lapsin dhe letrën e për të shkruar të zezë mbi të bardhë se çfarë dëshironim. E gjitha kjo qe një shenjë e mirë që më tregoi se brenda nesh ka ende një farë lloj mirësie dhe parimi që nuk ka vdekur në këtë ambient të mbushur me politikanë që ligjërimet e veprimet e  tyre i kanë po aq të dëmshme sa gazi sarin. Dukej se jo vetëm mazhoranca por edhe opozita (topalle) ishte shumë larg hallit të qytetarëve dhe vazhdonte të luftonte si Don Kishoti, duke u orvatur të bënte çështje një fabul të cilën s’e besojnë as vetë militantët e tyre. Kështu që vendosi që me presion diku e me forma të tjera diku gjetkë të nxirrte në shesh në një palo miting sa e sa njerëz për një kauzë që as ata vetë s’e besojnë më. Ndërkohë që rreth tyre ndjehej ankthi dhe galvanizimi i një ngjarjeje që edhe vetë opozitës do i duhej kohë ta rrokte (të paktën politikisht). Por më mirë që ndodhi kështu!

Emocionin e dytë ma dha brezi i lindur në vitet 90’ të cilët jo vetëm që na treguan se si mund të bëhet një protestë por edhe arritën që me forcën e tyre të merrnin nën kontroll pushtetin e një proteste duke ia larguar nga duart e cilitdo prej atyre burrave të kollarisur dhe grave të pudrosura. Pikërisht ata të rinjtë i hodhën tutje ato kujtime të hidhura që kemi pasur nga protestat e studentëve të viteve 90’ dhe vitit 97’ ku një kauzë e drejtë përherë qe përfaqësuar nga sharlatanë apo dhe intelektualë me shumë parti që jo vetëm nuk bënë një herë mea culpa por ndryshuan vetëm kahun e orientimit të adhurimit (nga lindje në perëndim). Ishte një emocion më vete të shihje se si të rinjtë largonin tutje këdo që vinte i kollarisur me xhaketën e pushtetit apo të ish pushtetit.

Emocionin e tretë ma dha reagimi i të rinjve ndaj ardhjes së Berishës dhe Kanakarit të tij në atë protestë. Ato që erdhën për të zotëruar turmën, ashtu siç di të bëjë mjaft mirë Mjeshtri i madh, nuk arritën dot ta kryejnë. Sepse qenë të rinjtë që i fishkëllyen dhe e përcollën me ceremoni, ndërkohë që fytyra e tij e qeshur dhe e skuqur (si një spec) mundohej të gjente paqe duke tentuar të shihte në sy ndonjë të ri që nuk ishte produkt i shkollës së lavazhit të trurit (FRD). Sa herë që atij i afroheshin aq më shumë rriteshin vërshëllimat ndaj tij, njerëzit i largoheshin a thua se ai qe i sëmurë. Mbase ky ka qenë një tjetër leksion në të cilin ai arriti të kuptonte realisht se sa e do rinia tiranase atë. Një leksion dhe për të gjithë ne duke na kujtuar se qe pikërisht një fëmijë ai që i tregoi mbretit se ai ishte lakuriq.

Emocionin e katërt ma dha fakti që media e korruptuar dhe e zaptuar nga ky sistem që kemi ne po tregon shenjat e para të vdekjes. Tanimë Facebook na ka dhënë mundësinë që ne të bëjmë media dhe lajm përndryshe ne do ishim të ndarë serish. Do ishim të ndarë sepse vetë mediat e pasqyruan në mënyrë të kundërt (të ndara sipas llogoreve) lajmin jo vetëm se çfarë armësh do vijnë por edhe përgjigjen e qeverisë. Pati nga ato media që gjatë ditës së kthimit të përgjigjes, pra kulmit të protestës, u hodhën në sulm duke na dashur të na blejnë me para dëlirësinë dhe sinqeritetin e një proteste unike në llojin e saj në këto 23 vite demokraci. Dëlirësi dhe sinqeritet që u tejçuan në mënyrë të përkryer nga cilido protestues që postoi qoftë edhe vetëm një status në Facebook-un e tij.

Emocioni i pestë lidhet me faktin se edhe kur në mediat e llogoreve u përhap lajmi se SHBA për një përgjigje pozitive tonën do të na jepte gati 3 fishin e buxhetit tonë ne sërishmi mbetëm me kokën lart duke pranuar më mirë të jemi një Sokrat i vuejtun se sa një Derr i kënaqun.

Të gjitha këto emocione duket se patën kulmin e tyre ku pas një fjalimi fyes për atë që e lexoi, ne protestuesit brohoritëm duke u gëzuar që më në fund fituam NE dhe humbi pushtetari. U ndjemë të lumtur dhe të çliruar që qemë në gjendje t’i tregojmë vetes por edhe të tjerëve që NE mundemi të protestojmë, që kemi ndërgjegje qytetare dhe se kemi një të ardhme.

Tani që gjithçka ka marr drejtimin e duhur, tani që heshtja ka rënë partitë politike po nxitojnë të hidhen në llogoret e përhershme për të sulmuar si dy javë më parë njëra tjetrën. Duke instrumentalizuar protestën dhe atë çka ndodhi në të. Por fatkeqësisht asnjë nga ato nuk ka arritur të kuptoj thelbin e protestës, e cila edhe pse si shkak kishte demontimin e armëve kimike, si pasojë ka rigjallërimin e ndërgjegjes qytetare. Rigjallërim që nuk ka ardhur si pasojë e rilindjes që solli mazhoranca por si pasojë e rivdekjes që mbolli ajo!

 

You may also like...