Problemi i përfaqësimit

Përse jemi në këtë gjendje të pashpresë sa nuk ndryshojmë dot me votë të gjith si komb keta palaço që na kanë kapur për fyti jetën përmes pushtetit mbi shtetin? Sepse nuk kemi një identitet shpirtëror. Kemi vetëm shembuj të huaj. Ilustrime me ngjyra për begatinë e bukurinë e Europës, të cilat ne i përdorim, por si mishi, rakia, droga, seksi, ferrari e ku e di unë, nuk na rrijnë brenda, i dhjesim një orë të ditës gjatë jetës, sepse nuk janë organikisht tonat. Edhe kjo e ka një shpjegim sipas meje medemek.

identiteti

identiteti

Rudi Erebara

Përpara nja dy vjetësh kur nisi ky avazi i shqiptarëve që luftonin në Siri, dëgjoja gjithfarë lajmesh. Nga të tipit 10 000 dollarë në muaj rrogë, që per nder isha gati të shkoja edhe unë kundër të poshtrit Asad, tek Asadi është i mirë por ata janë të këqinj e kështu e ashtu. Pastaj na doli se ishin tre ushtri, edhe Isis nxorri kokën me mizori e krime. Pastaj i identifikuan shqiptarët. Ca nga Shqipëria e ca nga Kosova e ca andej e ca këtej. Dolën edhe bazat edhe opa, u kompletua ajo që thuhej me kohë: rreziku fundamentalist në Shqipëri.
Këtu plasi skandali. Edhe keq fare. Europianistët ngritën gishtin, rrahen gjoksin, ata e kishin parashikuar me kohë e me vakt. Duhej të thirrej Nato, natën për gjithë natën të na shpëtonte. Në mos Nato, Varshava, Rusia a Finlanda.
Edhe me bie të pij njëditë kafeme një mik nga Prishtina, shqiptar sigurisht. Gazetar, edhe katolik me besim, jo kështu veç me emër. Bukur filloi kafja, por u kthy shpejt si për vaki. Pse?! Sepse thuhej se një shqiptar Kosove kishte shpërthyer tip kamikaz në Irak dhe ky miku im, shumë i mërzitur më tha: turp Rudi. Ne me u vra në Irak kështu…
Nuk e mbaj mend saktë, a doli e vërtetë ky rast, por sidoqoftë dolën plot raste të tjera me emra e me pamje filmike, disa duke kryer krim për më zi.
Po ky mik, me kafen e dytë më tha: E shikon! Turp i madh, marre e madhe! Thotë bota ja shiko shqiptarët, nuk kishin faj serbët… e fjalë kështu.
Po mir i them unë, sa vetë janë këta muslimanë? Jo, më thotë miku, janë shqiptarë.
Po mirë i them, ja po e marrim si shqiptarë, sa thua ti janë? – Po janë disa, nuk dihet sa por janë shumë. – Shumë, për shembull i them unë njëmijë burra? Se njëmijë është shumë. Jo, tha ai, nuk janë njëmijë. Po janë njëqind? E pyes unë. Nuk e di tha, edhe mund të jenë.
Shiko, i thashë, e bëjmë stop këtu. E njeh ti një vajzë që quhet Breane Benson. Po, tha ai, edhe qeshi. Është ajo, që… Pornostar, i rashë unë shkurt. E di ti që e kanë kërcënuar me jetë se ka turpëruar shqiptarinë, fenë muslimane e ku di unë të tjera nga këto? Po tha e di. Po a ka mundësi që duci i kësaj, i thashë unë, të turpërojë shqiptarinë? Si mund ta turpërojë duke dalë tradhëtare me një pallë serbi a amerikani a ku e di unë tjetër? Por, mos u ngut më thotë miku, ne shqiptarët nuk e kemi traditë këtë ves. Ndize nji cigare! Edhe e ndeza unë. Po mir, i them, po me pi cigare e kemi traditë? Po tha. Burrat kanë pi cigare. Gratë i them unë ishte për turp, pastaj me kohën ndryshoi edhe u la të pijnë cigare se u kutpua që nuk është turp të pish cigare apo jo? Po tha. Por kjo është tjetër. Si është tjetër? Që nderi jonë si komb na ka mbetur tek duci i kësaj vajzës nga Tirana?

Shiko çfarë më pyeti: kjo vajza është muslimane apo e krishterë? Po ç’rëndësi ka kjo punë, i them. Atë e kanë kërcënuar se ka turpëruar fenë e shiptarit, shqiptarinë. Apo e ka ndonjë domethënie tjetër të them se është muslimane? Se ndoshta po qe e krishterë, orthodokse ndoshta, apo katolike, është më e lehtë, nuk është edhe aq turp Madhështor? Po ajo është e parë e punës në punë të vet, në një vend tjetër të largët, nuk ka as emër shqiptar (në fakt edhe këtë Breanan e kapi gripi i nacionalizmit edhe doli me emër mbiemër, qytet, lagje, numër këmbe, se kujtoi ndoshta se mos do të bëhej e famshme në panteonin e njerëzve më të shquar të kombit, që kishin bërë një gjë për herë të parë në botë; edhe e harroi se kishte dalë për punë e për hesap të vet aq shumë, sa ndoshta ka menduar se po kontribuonte për çështjen e kombit në atë mënyrën e saj).

Nejse. I them. Për mua ky që plasi me bombë është po aq anonim dhe jo domethënës, aspak përfaqësues, sa kjo. Sepse këta janë individë. Sa shqiptar janë Petro Marko e Mehmet Shehu që lufuan në Spanjë si internacionalistë? Aq sa ishin si individë. Luftuan, për idealin e tyre, edhe ishin terrorristë për qeverinë fashiste të Spanjës. Sa amerikan ishte Heminguej në fund të fundit? Po ashtu sa anglez na del ky i fundit që plasi me bombë për Isis? Jo na del shqiptari me banim në Londër. Punë e madhe fort! Po ajo qe ishte italiane edhe katolike? Po ata francezët që kishin lindur atje edhe na dolën Algjerianë?
Kështu, me dashje pa dashje do të kalojmë përsëri tek identiteti shpirtëror. Edhe kjo është punë e madhe individuale. Disa e kanë me besim fetar, disa me ateizëm e disa nacionalizëm. Çfarë i ka ndodhur identitetit tonë shpirtëror në përgjithësimin e madh! Një katastrofë.
Disa qindra mijëra shqiptarë shkuan në Greqi, shumica absolute si ateiste pa ndonjë bindje në këtë punë, por me emra musliman. Erdhën me kryqin në qafë, hasanat e sulejmanët, me emrat Jorgji e Andrea. U futën në Shqipëri për pushimet e Krishtlindjeve, jo për bajram, as për vit të ri, edhe kur deshën të dalin prapë për Greqi u thanë, o Hasan për bythe mbrapsht se je shqiptar pa leje. Edhe po ne çamë prapë e prapë kufirin për të gjetur atë adresën në Athinë ku rrinte ai efendikoji që shumë shpesh lajmëronte policinë që të mos paguante rrogat mjerane që u paguante shqiptarëve dhe vetëm shqiptarëve. Po kështu na ndodhi pothuajse në të gjithë Europën. Ne pranonim “me gëzim” identitetin europian, për të dalë në fund të zhgënjyer se na quanin shqiptar kur t’i donte bytha italianit, francezit apo ku e di unë kujt tjetër. Përse ndërroi emrin Hasani në Amerikë edhe e bëri Xhon? Për kollajllËk! I binte më lehtë të komunikonte me qytetërimin ku kishte shkuar.
Atëherë, kthehemi po aty ku e lamë hallin e madh. Pas rënies së dikturës komuniste 25 mijë njerëz që dinin e nuk dinin not, që nuk kishin hipur ndonjëherë as te anija “Punëtori” për xhiro dhjetë lekëshe, u turrën. Ç’ishin? Njerëz që komunizmi u kishte marrë identitetin, pronën, besimin, shpresën etj etj. Por kryesisht identitetin. Ne ishim të gjithë si këmbana bosh pa atë gjënë që varet aty brenda edhe e bën të kumbojë. Ne lëshonim zë për pasojë. Lëshonim zë si të na vinte goditja aksidentale ose e qëllimtë nga jashtë. Edhe kumbonim bosh nga brenda. Na mbyti jehona që prodhonim po vetë. Sepse nuk kishim më as shpresë. Pa besim në Zot, nuk kishim më asnjë ide për botën tjetër që na premtohej. Ne na duhej të dilnim shpejt nga halli aty për aty. Edhe ngaqë ishim bosh, pa identitetin internacionalist të komunizmit, pranuam gjithçka. Nga droga, protitucioni, arritëm në pornostarografi, siç mbërritëm në kamikaz islamik për të vdekur me dashje me një ideal si Isisi.

Të vdesësh për Isisin ideal është si të pallohesh keq fare e të kesh ideal të vdesësh nga Sida. Isisi ka lidhje me fenë islame sa çmund të ketë pornografia me dashurinë. Por ne vazhdojmë të kemi e të ndjekim të njëjtën përqasje të këmbanës pa thelbin brenda. Kumbojmë nga efekti i jashtëm. Edhe kumbojmë brenda vetes, në rang kombëtar brenda Shqipërisë me këtë mërzinë e përgjithshme. Na duhet detyrimisht te shquhemi që t’i gjejmë vetes kuptim në këtë jetë të ndërlikuar të stilit perëndimor. Atëherë shohim rezultatin. Antinacionalistë, ateistë që krenohen në mënyrën më qesharake, gati për të bërë sherr me Zotin të tipit: ho ma nxirr njëherë këtu ta bej të vdekur me letërsi franceze! Besimtarë që struken përherë e më larg, edhe detyrimisht bëhem më agresivë ngaqë nuk ndihen dot të barabartë kur shohin se hajdutët e kriminelët u kanë fatin në dorë njëlloj si sigurimi i shtetit e partia e punës. Prandaj kemi këtë urinë e pashuar edhe pas 25 vjetësh për të marrë e për të marrë pafundësisht, të hamë sa më shumë nga jeta, pa u ngopur kurrë. Sepse identiteti shpirtëror është punë e madhe shumë. Identiteti shpirtëror është si shtëpia. Nuk mund të ketë ashkush më shumë se një shtëpi. Vetëm një shtëpi ka njeriu, siç do ketë edhe vetëm një varr. Siç e ka një jetë, një lindje, e një vdekje. Siç ka një Zot.
Përse jemi në këtë gjendje të pashpresë sa nuk ndryshojmë dot me votë të gjith si komb keta palaço që na kanë kapur për fyti jetën përmes pushtetit mbi shtetin? Sepse nuk kemi një identitet shpirtëror. Kemi vetëm shembuj të huaj. Ilustrime me ngjyra për begatinë e bukurinë e Europës, të cilat ne i përdorim, por si mishi, rakia, droga, seksi, ferrari e ku e di unë, nuk na rrijnë brenda, i dhjesim një orë të ditës gjatë jetës, sepse nuk janë organikisht tonat. Edhe kjo e ka një shpjegim sipas meje medemek.

Ne rrojmë me fajin që na ngeli në çdo qelizë të shoqërisë nga lufta e klasave. Pikërisht lufta e klasave ka shkatërruar çdo qelizë të shëndetshme në sistemin imunitar të shoqërisë shqiptare. Pa zgjidhur fajin që ndiejmë të gjithë. Ne viktimat edhe për më keq ata që e bënë luftën e klasave, nuk do të krijojmë kurrë asnjë identitet shpirtëror. Për ilustrim, shiko sa false dhe lapanjose ngjan gjithë kjo përpjekje për të treguar dashurinë e madhe për figurat tona kombëtare. Pse pikërisht tani po kujtohen këta që kanë pushtetin mbi shtetin për Isa Boletinin e Ismail Qemali, Fishtën e Martin Camajn. Pse i janë qepur Skënderbeut mu aty te koqet e pelës që kishte në të vërtetë? Sepse i kanë të hanë e të pijnë të gjitha, por nuk kanë identitet shpirtëror. Duan të njehsohen me diçka të madhe si paraardhësit e tyre me Bashkimin sumllastik edhe Kinën e Mao ce Dun idesë.
Përse rilindasit e bënë aq kollaj gjithë atë kryevepër që bënë derisa mbërritën në pavarësim të Shqipërisë? Sepse kishin qetësinë që u vinte nga identiteti shqirtëror. Edhe në kuadrin e nacionalizmës, ne kemi qenë aty-aty, kur u erdhi si valë të gjithë vendeve të Europës nga revolucioni francez.
Por kjo nuk besoj se do të diskutohen ndonjëherë kësisoj nëpër televizione, sepse zhurma e bombës së shqiptarit që vdiq për Isis në Irakun e largët e palidhje hiç me ne, është njëlloj me ofshamën aktoreske të Breana Benson atje në Hollivudin e largët, pa asnjë lidhje hiç me ne.
Duhet të përfaqësohemi në fillim tek vetja.

You may also like...