Raportimet e medias mbi darken te Markata e Peshkut

635539950868005532 something fKatër meshkuj hëngrën një darkë.

Thashethemet në qytet thonë se darka lidhet me një martesë, por nuk pati nuse.

Në orën 8.45 thuhet se hynë dy meshkuj, të cilët qenë njëra palë.

Në orën 8.50, hynë dy meshkuj të tjerë që qenë pala tjetër.

Një zbulim i madh i medias në orën 20.00 solli publikimin e dy fotove të restorantit ku po hahej darka.

Gazetari K.Q raportoi se darka po ecte mirë.

Në orën 20.10, gazetari Y.ZH raportoi një lajm të keq: disa shishe verë u sollën në restorant, një krim që asnjë pronar restoranti nuk lejon të ndodhë, por rasti qe i veçantë dhe pronari nuk pipëtiu.

Pas katër orësh pritje të tensionuar, gazetarët e pranishëm në vendngjarje morën frymë të lehtësuar. Dy prej meshkujve dolën nga restoranti. Ata u panë të flisnin me njëri-tjetrin, por gazetarët e pranishëm nuk qenë në gjendje të lexonin mimikën e tyre. A qe peshku i mirë apo i keq?!!! Gjithsesi, gazetarët morën frymë të lehtësuar për shkak se, meqë dolën dy të parët, dy të dytët do të dilnin shpejt dhe ata do të ishin në gjendje të iknin në shtëpi në orën 1 pas mesnate. Kuptohet që kjo është krahasimisht më pozitive se sa krizat e tilla të së shkuarës, kur darkat zgjasnin deri në orët e para të mëngjesit, pavarësisht se në shumë darka të tilla nuk hahej gjë.

Dhe paf, dy dhëndurët e dytë dolën nga restoranti.

Gazetarët dhanë lajmin e gëzuar. Do ketë dasmë. Në çdo lokal dhe emision televiziv  filloi të diskutohej ethshëm dasma si punë e kryer.

Por një gazetar i vëmendshëm vuri re diçka që tronditi themelet e qytetit. Dy nga shishet e verës që qenë sjellë në kundërshtim me zakonin dhe në fyerje të pronarit të restorantit, dolën nga restoranti në duart e një personi të paidentifikuar, dukshëm me tapën në vend dhe të paprekura. Kjo nuk e uli euforinë.

“Kam burimet e mija”, ulëriste një i çmendur, se do të kemi dasmë.

Dhëndurët ndërkohë heshtnin. Kur ndokush i pyeste se si shkoi darka, ata në mënyrë enigmatike thoshin se fjalët e tepërta janë fukarallëk, ndërsa ankoheshin se kishin nevojë të flisnin më shumë.

Nga ora 3 pas mesnate, një lavrak u pa në rrugët e Tiranës duke ulëritur si i çmendur: “Jam peshk i prishur! Jam peshk i prishur!”.

Askush nuk e dëgjoi.

Të nesërmen në mëngjes, Xhepa te dyqani i qofteve aty ngjit me merkatën e peshkut u dëgjua të ankohej, thellësisht i fyer: “S’e marr vesh, çfarë dreq robsh janë këta… si vijnë te pazari i mishin dhe porosisin peshk në vend të qofteve. U ngeltë hala në grykë inshallah”.

Nga dreka erdhi sihariqi tjetër. Njëra palë dasmorësh mësohet se i zbuti gjakrat.

Në të gjithë qytetin, një numër i madh opinionistësh u vunë në mendime të thella: a do ketë dasmë apo nuk do të ketë dasmë?

Në drekë, një drekë tjetër peshku u shfaq në horizont. Këtë herë, u hëngër sardele e fërguar, peshk goxha i lirë por që në një restorant Tirane shitet shtrenjtë si shpikje importi.

Tani u bënë tre palë dhëndurë! Sërish asnjë nuse.

Në darkë, ndërsa të gjithë po diskutonin qejfet e dasmës, ia behu gjëma. Njëri nga dhëndurët nuk qe i kënaqur me darkën. “Edhe më pëlqeu, edhe nuk më pëlqeu,” tha ai. “Gjatë natës, aq nuk kisha pirë mjaftueshëm sa për të fjetur dhe gjithashtu isha tapë. M’u duk sikur më kishte ngec një halë e papastruar në grykë”.

Xhepës i doli llafi. Te pazari i ri jetë e mot janë ngrënë qofte. Nuk shkon me e prish traditën me peshk, komentoi ai pasi kishte pi gjysmë kilje raki me çerek cope djathë.

“Peshku qelbet nga koka,” tha Xhepa në mënyrë filozofike. “E ke gabim”, i tha nji tjetër nga tavolina ngjit: “Qelbet nga barku!”

“Ne edhe peshk të prishur hamë, vetëm koalicioni të mos na prishet”, ulëriti papritur një grua nga ana tjetër e rrugës.

Pesëqind metra më tutje, disa të pastrehë në një çadër bërtitën të ekzaltuar: “Duam edhe ne peshk te prishur, mos na e bëni me hile”.

You may also like...