Sekretari i partisë dhe seksi, një histori që përsëritet

Kam patur fatkeqësinë të lexoj një studim të Ikonomi dheWoodcock “Imoraliteti në familje: Nxitja e ankesave të grave për të përforcuar pushtetin e partisë në revolucionin kulturor shqiptar” të botuar në numrin e fundit të të revistës Përpjekja.

Studimi bazohet mbi një dosje të Arkivës së Shtetit ku gjenden rreth 50 letra dërguar diktatorit Enver Hoxha nga gratë dhe vajzat pas vitit 1967 në lidhje me atë që sipas partisë konsiderohej “imoralitet në familje”.

Ato letra dhe ai studim tregon shumë për ngjarjen e fundit në Sarandë, kur një aparatçik partie u regjistrua duke kërkuar seks me një vajzë 14 vjeçare. Studimi tregon veçanërisht shumë edhe për reagimin ose mosreagimin publik pas ngjarjes si dhe, pjesa më problematike, mungesës së masave të nevojshme për t’u ndërmarrë për të mbrojtur çdo 14 vjeçare nga kriminelë të tillë.

“Hoxha i udhëzonte anëtarët e partive lokale t’i mbulonin abuzimet seksuale, në vend që t’i diskutonte ato në publik, si pjesë e fushatës së emancipimit të gruas. Në këtë mënyrë, Partia, duke mos parandaluar abuzuesit, duke mos i edukuar të rinjtë mbi abuzimin seksual, se çfarë është dhe nëse ishte i ndaluar apo jo, mundësoi që abuzimet seksuale të vazhdonin të ndodhnin. Turpi që prekte gjithë familjen dhe barra e kërkimit të drejtësisë binte mbi viktimat.” Kjo është çfarë shkruhet në studim, përpos faktit që gratë viktima të krimeve seksuale shpesh trajtoheshin si fajtore, ose detyroheshin të mblidhnin vetë faktet për të provuar se “faji” qe i agresorit.

Ja tani na përsëritet e njëjta situatë.

Një sekretar deputeti, i ngarkuar, siç thotë vetë zyra e Koço Kokëdhimës, “për të dëgjuar ankesat apo shqetësimet e popullit”, kërkon seks nga nëna e katër fëmijëve, e ve, e varfër, e këputur. Ai kërkon si shpërblim marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur të punëkërkueses. Bashkëshorti i saj mësohet se paksa vdekur në një aksident në punë, si punëtor ndërtimi në Sarandë.

Nëse ka ndonjë fabul të beut makabër apo kapitalistit të pashpirt është pikërisht kjo. Njeriu që shfrytëzon një familje fatkeqe. Një grua pa burrë, një vajzë pa babë. Dhe këto të gjitha i bën një sekretar partie, nga ata të shumtët. Burri ka vdekur duke ndërtuar kapitalizmin e pashpirt të sekretarit të partisë, i cili, shfrytëzon rastin për të kërkuar ndere seksuale nga gruaja e të ndjerit dhe vajza e tij 14 vjeçare.

Enver Hoxha dhe sistemi i tij i partisë shtet i trajtonte këto raste “në të mirë të partisë”. Dhunuesit “transferoheshin”, nuk dërgoheshin kurrë për ndjekje penale, për të mbrojtur imazhin e partisë. Viktimave u kërkohej të heshtnin “për të mbrojtur moralin e familjes” dmth për të mbrojtur partinë nga neveria publike.

Ndërsa shqiptarëve iu sollën zorrët në grykë nga ngjarja e fundit, kryeministri nuk mori mundimin të na thotë së paku se edhe atij i qe trazuar stomaku sadopak si çdo qënie njerëzore. Përkundrazi, ai dhe vetë Kokëdhima, u “distancuan” nga keqbërësi. Kryeministri u mjaftua me një cicërimë vetëm 24 orë pas lajmit, kur njerëzit filluan të turfullonin se pse ai nuk reagonte por bënte sikur gjithçka ecte normalisht.

Zyra elektorale e Kokëdhimës nuk respektoi as parimin më minimal të etikës, atë të mospublikimit të emrit të denoncueses, ndërsa pati nerva të na argumentojë se dhunuesi “njihet si” njeri korrekt, me arsim të lartë, ish-komandant ushtarak.

Kryeministri në komentin e tij me 140 gërma dukej sikur kishte më shumë shqetësimin e pasojave politike që mund të ketë ngjarja për të, Kokëdhimën dhe partinë e tij se sa për faktin që nëna denoncuese ka nevojë për mbrojtje dhe ka nevojë për ndihmë për të rritur jetimët e vet.

Ai nuk duket i shqetësuar për faktin që, pas kësaj ngjarjeje, na rezulton se Shqipëria nuk ka mekanizma ligjorë për dënimin e pedofilëve që kërkojnë seks me 14 vjeçare, pasi kodi ynë penal dënon vetëm rastet kur akti pedofilik është kryer.

Kryeministri nuk duket i shqetësuar as pët faktin se praktika e shpërndarjes së vendeve të punës nëpër zyrat e partive fituese të zgjedhjeve, përpos të qenit e kundërligjshme, krijon hapësira abuzimi të çdo lloji, përfshirë edhe kjo që sapo pamë e dëgjuar.

Ka kaq shumë gjëra për të bërë një kryeministër normal pas një ngjarjeje të tillë.

Mund të kishte reaguar me tmerr dhe lemeri si të gjithë shqiptarët normalë gjatë këtyre dy ditëve, mund të kishte urdhëruar mbrojtje dhe ndihmë për familjen e viktimës; mund të kishte kërkuar të dinte nëse policia shqiptare ka ndonjë procedurë tip të trajtimit të rasteve të tilla, apo mund të kishte porositur ndonjë fushatë reklamash ku të ftoheshin viktimat e dhunës seksuale të denonconin dhunuesit. Mundej të porosite ndonjë rishikim të kuadrit ligjor për mbrojtjen e të punësuarve në administratë publike apo kompani private nga abuzimet e kësaj natyre.

Por për momentin kryeministri duket i shqetësuar vetëm për një gjë: të akuzojë opozitën për ndonjë keqbërje për të na mbushur edhe një herë mendjen se shqiptarët duhet të zgjedhin të keqen më të vogël mes dy të këqijave, një dilemë teorike e zgjedhjeve 2013 që na shfaqi anën e vet praktike me Agron Canen, zyrtarisht “përgjegjës për të dëgjuar hallet dhe ankesat e popullit”.

Agron Cane nuk është një përjashtim nga rregulli. Është produkti më kuptimplotë i kapitalizmit të ndërtuar nga sekretarët e partive. Me reagimin e vakët dhe mungesën e ndjeshmërisë njerëzore përballë një llahtarie të tillë, kryeministri Rama duket se po ecën në rrugën drejt transformimit në sekretar tipik partie.

You may also like...