Shteti dhe liria, sipas Friedman

7140266451_b68ecb1623_zNë një paragraf shumë të cituar të fjalimit të tij të marrjes së detyrësn, Presidenti Kennedy tha: “Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty por pyet se çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”. Është një shenjë shumë goditëse e temperamentit të kohës sonë që debati mbi këtë fragment është përqendruar mbi origjinën dhe jo përmbajtjen. Asnjë nga të gy gjysmat e kësaj deklarave nuk shpreh një marrëdhënie mes qytetarit dhe qeverisë së tij, të vlefshme për idealet e njeriut të lirë në një shoqëri të lirë. Paternalistja “çfarë mund të bëjë vendi për ty” nënkupton se qeveria është bamirësi, qytetari pacienti, një këndvështrim që bie ndesh me besimin e njeriut të lirë për përgjegjësinë që ai vetë ka për fatin e tij. Organizmikja, “çfarë mund të bësh ti për vendin” nënkupton që qeveria është padroni apo perëndia, ndërsa qytetari është shërbyesi apo ithtari.

Për njeriun e lirë, vendi është një bashkësi individësh që e përbëjnë atë, jo diçka mbi apo sipër tyre. Njeriu i lirë është krenar për trashëgiminë dhe besnik ndaj vlerave të përbashkëta. Por ai e sheh qeverinë si mjet, një instrument, as dhënës të favoreve apo dhuratave, as padron apo zot te i cili besohet apo shërbehet verbazi. Njeriu i lirë nuk njeh objektiv kombëtar për sa kohë ky objektiv nuk është konsensus i qytetarëve që bashkarisht shërbejnë. Ai nuk njeh qëllim tjetër kojmbëtar me përjashtim të konsensusit të qëllimit për të cilin qytetarët veçmas përpiqen.

Njeriu i lirë as nuk do të kërkojë se çfarë mund të bëjë vendi i tij për të as se çfarë mund të bëjë ai për vendin. Në vend të kësaj ai do të pyes: “Çfarë mund të bëj unë dhe bashkëpatriotët e mi përmes qeverisë” për të na ndihmuar ne të çlirohemi nga përgjegjësitë individuale, që të arrijmë objektivat tonë personalë dhe qëllimet, dhe mbi të gjitha, të mbrojmë lirinë tonë?

Dhe njeriu i lirë do ta shoqërojë këtë pyetje me një tjetër: si mund t’ia bëjmë ne të ndalojmë që qeveria që ne krijojmë të bëhet një Frankeshtein që mund të shkatërrojë vetë lirinë për të cilën ne e kemi krijuar që ta mbrojë? Liria është një bimë e rrallë dhe delikate. Mendjet tona na e thonë dhe historia na e konfirmon, se kërcënimi më i madh i lirisë vjen nga përqendrimi i pushtetit. Qeveria është e nevojshme për të ruajtur lirinë tonë, është një instrument përmes të cilit ne mund ta ushtrojmë lirinë tonë; megjithatë, duke përqendruar fuqinë në duart politike, ne vëmë gjithashtu në rrezik lirinë. Edhe pse njeriu i cili merr pushtetin mund të jetë vullnetmirë në fillim apo mund të mos jetë i korruptuar nga pushteti që ai ushtron, pushteti do të tërheqë dhe formojë gjithmonë burra të llojeve të ndryshme.

E si mund të përfitojmë ne nga premtimi i qeverisë ndërsa shmangim kërcënimin ndaj lirisë? Dy parime të gjera të mishëruara në Kushtetutën tonë japin një përgjigje e cila ka ruajtur lirinë tonë deri më sot, megjithëse ato janë dhunuar në mënyrë të vazhdueshme në praktikë ndërsa shpallen si rregulla të pathyeshme.

E para, sfera e qeverisë duhet të jetë e kufizuar. Funksioni i saj kryesor duhet të jetë të mbrojë lirinë tonë si nga armiqtë e jashtëm ashtu edhe nga bashkëpatriotët tanë: të ruajë ligjin dhe rendin, të zbatojë kontratat private, të nxisë tregjet konkurruese. Përtej këtij funksioni madhor, qeveria mund të na mundësojë ne me raste të realizojmë bashkarisht atë që mund ta gjejmë më të vështirë ose më të kushtueshme ta zbatojmë në mënyrë individuale. Gjithsesi, çdo përdorim i tillë i qeverisë është përplot me rrezik. Ne nuk duhet dhe nuk mundet e duhet të shmangim përdorimin e qeverisë në këtë mënyrë. Por duhet të ketë një balancë të qartë dhe të madhe avantazhesh para se ta bëjmë diçka të tillë. Duke u mbështetur para së gjithash nga bashkëpunimi vullnetar dhe sipërmarrja private, si në aktivitetin ekonomik ashtu edhe në aktivitete të tjera, ne mund të sigurojmë që sektori privat është një kontroll mbi fuqitë e sektorit të qeverisë dhe një mbrojtje efikase për lirinë e shprehjes, të besimit dhe të mendimit.

Parimi i dytë i gjerë është që fuqia e qeverisë duhet të jetë e shpërndarë. Nëse qeveria duhet të ushtrojë pushtet, atëherë është më mirë që ky pushtet të jetë në konte se sa në shtet, më mirë se sa në shtet se sa në Uashington. Nëse unë nuk pëlqej mënurën e si bashkësia ime vendore trajton, fjala vjen, problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, apo planifikimin apo shkollat, unë mund të lëviz te një bashkësi tjetër vendire dhe megjithëse pak njerëz do të zhvendosin banesë për këto arsye, thjeshtë mundësia për ta bërë është një masë kontrolli mbi qeverinë. Nëse nuk pëlqej atë që bën shteti im, atëherë mund të lëviz në një shtet tjetër, Por nëse nuk e pëlqej atë që imponon Uashingtoni, unë kam shumë pak alternativa në këtë botë kombesh xheloze.

Vetë vështirësia në shmangien e zbatimit të ligjeve të qeverisë federale është natyrisht një faktor joshës për centralizimin dhe argument i mbështetësve të saj. Centralizimi do t’i mundësojë atyre në mënyrë më efikase, besojnë, të krijojnë programe që ata i shohin në interes publik, qofshin këto programe të transmetimit të të ardhurave nga të pasurit te të varfërit ose nga qëllimet private te qëllimet e qeverisë. Ata në një drejtim kanë të drejtë. Por kjo monedhë ka dy anë. Fuqia për të bërë mirë është gjithashtu fuqia për të bërë keq; ata që kontrollojnë pushtetin sot, mund të mos e kontrollojnë nesër; dhe, më e rëndësishmja, ajo që njëri njeri e konsideron të mirë, një tjetër e konsideron të keqe. Tragjedia e madhe e rrugëtimit drejt centralizimit, si dhe e rrugëtimit drejt zgjerimit të qeverisë në përgjithësi, është se ato udhëhiqen më së shumti nga njerëz me vullnet të mirë të cilët do të jenë të parët që do të pendohen për pasojat.

Ruajtja e lirisë është arsyeja për kufizimin dhe decentralizimin e fuqisë së qeverisë. Por ka edhe një arsye tjetër konstruktive. Arritjet e mëdha të qytetërimit, qoftë në arkitekturë apo pikturë, në shkencë apo në letërsi, në industri apo bujqësi nuk kanë ardhur kurrë nga një qeveri e centralizuar. Kolombi nuk u nis të kërkonte një rrugë të re për në Kinë në përgjigje të një kërkese parlamentare, megjithëse ai qe pjesërisht i financuar nga një monark absolut. Neëton dhe Leibnitz; Einstein dhe Bohr; Shekspiri, Milton, dhe Pasternak; Ëhitney, Mçormick, Edison, dhe Ford; Jane Addams, Florence Nightingale, dhe Albert Schëeitzer; askush prej këtyre që hapi kufij të rinj në diturinë dhe të kuptuarit të njerëzimit, në letërsi, në mundësi teknike apo në lehtësimin e vuajtjeve njerëzore nuk beproi nën urdhëresa nga qeveritë. Arritjet e tyre qenë produkt i gjenialitetit individual, mendimeve minorancë për të cilat luftuan fort dhe një klimë shoqërore që lejon varietetin dhe larmishmërinë.

Qeveria nuk mund ta zëvendësojë kurrë varietetin dhe larmishmërinë e veprimit individual. Në çdo kohë, duke imponuar standarde uniforme në strehim, apo ushqim, apo veshje, qeveria pa dyshim mund të përmirësojë nivelin e jetesës së shumë individëve; duke imponuar standarde uniforme për shkolla, rrugë, ndërtim apo kushte sanitare, qeveria qendrore pa dyshim mund të përmirësojë nivelin e performancës në shumë zona vendore dhe ndoshta edhe në mesataren e të gjitha bashkësive. Por në këtë proces, qeveria do ta zëvendësojë progresin me stanjacionin, do të zëvendësojë me mediokritet uniform atë varietetin thelbësor për eksperimendimin që mund të sjellë të prapambeturin e së nesërmes më lart se sa mesatarin e të sotëm.

Marrë nga parathënia e librit Kapitalizmi dhe Liria

You may also like...