Ekonomia shtëpiake, lënda që u vra nga feministet duhet të rikthehet

images (2)Lënda e ekonomisë shtëpiake, e cila dikur u mësonte fëmijëve amerikanë (përgjithësisht femra) si të gatuajnë apo arnojnë, duhet të rikthehet, argumentojnë disa feministe, kësaj here edhe për djemtë, si një mekanizëm politik për të zgjidhur disa probleme të mëdha të kombit

Rebecca Traister, New Republic

“Si një feministe radikale, unë jam këtu të përballem  me armikun”, deklaroi aktivistja Robin Morgan para Shoqatës Amerikane të Edukatës Shtëpiake më 1972. Ajo besonte se lënda e ekonomisë shtëpiake i kishte kthyer gratë në një “masë kandilash deti pa formë që prisnin për t’u martuar” dhe i nxiti mësuesit për t’i bindur nxënëset e tyre se si ngarkesa e tyre në shtëpi është thelbi i “fanatizmit ekonomik kundër grave.” Ajo pas kësaj ftoi mësuesit e ekonomisë shtëpiake të bashkohen me betejën kundër arsimimit të diferencuar gjinor, por paralajmëroi se edhe nëse nuk e bënin këtë, lëvizja e grave “gjithsesi do të triumfonte”.

Së paku në këtë front, feministët fituan. Lënda e ekonomisë shtëpiake doli nga qarkullimi shpejt pas deklaratës së Morgan. Shumica e shkollave të mesme dhe kolegjeve nuk u kërkuan më nxënëseve të ndjekin këtë lëndë dhe në shumë raste e hoqën nga orët e mësimit lëndën që u mësonte grave – dhe në raste të caktuara edhe burrave, – si të qepin një kopsë, të ziejnë një vezë, të shtrojnë tavolinën, të arnojnë një çorap ose me pak fjalë, të përkujdesen për mirëqenien e bashkëshortëve dhe fëmijëve.

 

Kurset e ekonomisë shtëpiake fillimisht patën synuar të përmirësonin pjesën e grave në jetë duke legjitimuar punën në shtëpi. Por ato përforcuan edhe sjelljet e krijuara që nga shfaqja e epokës industrialiste: atë që ndërsa kismeti i burrave të bardhë të shtresës së mesme qëndron në sferën publike dhe profesionale, gratë e bardha të shtresës së mesme duhej t’u ofronin këtyre burrave të punësuar me pagë një shtëpi të rehatshme dhe fëmijë të rritur mirë. Siç e shpjegoi një pastor në Nju Hempshair më 1827, “është pikërisht shtëpia vendi ku burri… kërkon shpëtim nga shqetësimet dhe sikletet e biznesit”. Roli i gruas qe që ta mirëmbante këtë shpëtim, një detyrë nga e cila nuk mund të shpëtonte: “Ka më shumë gjëra për të mësuar duke servirur çaj apo kafe nga sa janë të gatshme të besojnë shumica e zonjave të reja”, shpalli revista për gra e shekullit të 19 Godey’s Lady’s Book.

Ideja që edhe djemtë duhej të mësonin si të pjekin bukë bananeje qe natyrisht mallkim për konservatorët shoqërorë, të cilët qenë të tmerruar nga ideja e asaj që e perceptonin si ndryshim rolesh (dhe perversitetet) e gjysmës së shekullit të kaluar.

Natyrisht ky mendim nuk qe i pajtueshëm me projektin e Morgan dhe motrave të Valës së Dytë, të cilat qenë shumë të etura për t’i nxjerrë gratë nga shtigjet që i çonin vetëm drejt pastrimit të dyshemesë dhe tundjes së djepit. Por sot, 40 vjeç pasi Vala e Dytë ndihmoi për të zhdukur lëndën e ekonomisë shtëpiake, ne kemi nevojë që kjo lëndë të kthehet: natyrisht e transformuar nga rrënjët dhe që t’u mësohet si djemve ashtu edhe vajzave, nëpër shkolla dhe mosha më të vogla sesa kurrë më parë.

E para, dhe ndoshta më e dukshmja, mësimi i ekonomisë shtëpiake mund të ndihmojë gratë. Feminizmi mund të ketë eliminuar efektivisht programin mësimor për të cilin besonte se po i shtynte gratë drejt kujdestarisë dhe punës shtëpiake, por nuk ia doli kurrë të shkulë rolet gjinore që e kishin krijuar këtë lëndë. Rezultati i kësaj është se sot kemi një botë në të cilën gratë mund të drejtojnë (disa) universitete, korporata apo gazeta (së paku përkohësisht) por ato sërish pritet të mbajnë mbi shpatulla gatimin, pastrimin, përkujdesjen për fëmijët. Ngarkesa e pafundme shtëpiake qe cilësuar “ndryshimi i dytë” nga sociologia Arli Rassëll Hoshçajlld (Arlie Russell Hochschild) 25 vjet më parë. Dhe me të vërtetë kjo ngarkesë nuk është lehtësuar shumë që nga ajo kohë. Kjo shpjegon se pse gratë tashmë diplomohen nga kolegjet dhe universitetet në numra më të mëdhenj sesa meshkujt, por kanë shumë më pak gjasa të arrijnë nivelet më të larta të profesioneve të tyre; ato janë të bllokuara në mes të jetës nga kërkesa e papërballueshme e kohës dhe trupit.

Është gjithashtu e vërtetë se burrat, përgjatë gjysmëshekullit të fundit, kanë filluar të kontribuojnë më shumë si prindër: numrat e baballarëve që qëndrojnë në shtëpi është trefishuar përgjatë 20 viteve të fundit, por sot është ende në shifrën minimale të 214 mijë vetëve. Një studim mbi censuset tregoi se mes burrave të martuar me gra që punojnë dhe me fëmijë nën 4 vjeç, 20 për qind e baballarëve kanë shërbyer si kujdestarët kryesorë. Por pavarësisht rritjes së orëve që burrat tashmë kalojnë me fëmijët, paragjykimet gjinore ndryshojnë shumë ngadalë, duke krijuar ide të ngatërruara mbi tredhjen që u shkaktohet burrave kur marrin përgjegjësitë që ne ende i konsiderojmë ngushtësisht si “femërore”. Ne duhet t’i ndryshojmë këto sjellje që në fillim, t’u mësojmë djemve që nga koha që janë të vegjël se detyrimet e tyre janë po aq të ndryshojnë pelenat sa edhe të fitojnë paratë.

Kjo është një mënyrë që mund të ndihmojë gratë dhe fëmijët të shmangin padrejtësitë e vazhdueshme në politikat shoqërore: mungesën e lejes familjare të detyrueshme dhe të paguar, si dhe mungesën e kujdesit për fëmijët të subvencionuar. Për shumë amerikanë, shpesh nuk ka mënyrë të përballueshme dhe praktike që të dy prindërit të punojnë gjatë kohës që fëmijët e tyre rriten. Por nëse burrat janë rritur për të ndier një lidhje me përgjegjësinë në familje, kjo mundet, më në fund, të dyfishojë opsionet e disponueshme për shumë familje.

Dhe megjithëse sipas gjasave, Amerika nuk do të huazojë kurrë politikat shoqërore skandinave, duke i njohur meshkujt me detyrimet familjare ajo mund të rrisë shanset për përmirësimin e kujdesit ndaj fëmijëve dhe politikave të lejes së lindjes. Pse? Sepse nuk do të jenë thjesht gratë që do të flasin se sa të domosdoshme janë këto politika.

Për burrat do të ketë një gamë të re të gjerë përfitimesh. Ne shpesh na flasin për një “krizë djemsh në arsim” – pra që djemtë ka më shumë gjasa të shqetësohen dhe të kenë vështirësi në përqendrimin në mësime. Aftësitë e tyre fizike, dikur çelësi i suksesit të tyre në një ekonomi të dominuar nga manifaktuara – nuk janë më kaq të tregtueshme në një ekonomi dijeje. Një studim i kryer nga grupimi kërkimor Third Way (Rruga e tretë) zbuloi se djemtë nëpër klasa janë të dizavantazhuar në arsimin bazë: Deri në klasë të tetë, vetëm 31 për qind e tyre marrin notat më të larta në krahasim me gjysmën e bashkëmoshatareve të tyre femra.

Shtimi i lëndës së ekonomisë shtëpiake në kurikullat e shkollave mund të ndihmojë këta djem, veçanërisht nëse te kjo lëndë përfshihet elementi i edukimit të marrëdhënieve ndërpersonale apo emocionale, të cilat mësojnë se si djemtë të shprehin dashurinë dhe mosmarrëveshjen dhe se si të bëjnë pyetje e të flasin për veten. Djemtë sërish tepër shpesh mësohen në mënyrë të tillë që ndiejnë sikur ata duhet të komunikojnë mungesë ndjenjash, jo përmes fjalëve, por përmes agresionit fizik.

“Unë e dashuroj idenë e lëndës së ekonomisë shtëpiake për djemtë”, thotë Ellen Galiansky, kreu i Institutit të Familjes dhe Punës. “Ne nuk i mësojmë askujt, por vetëm vajzave – ndoshta në mënyrë spontane – që të tregojnë përkujdesje dhe të prindërojnë mirë. Ne nuk u mësojmë djemve se si të [kalojnë përmes] konflikteve”.

Galiansky nënvijëzon se studimet gjatë kohëve të fundit kanë treguar për rënie të nivelit shëndetësor mes meshkujve se si rritja e tërheqjes dhe dëshirës së tyre për të marrë pjesë në jetën familjare është penguar nga mungesa e praktikës prej tyre, duke i dominuar ata, duke krijuar ankth mes meshkujve dhe vështirësi për të gjetur balancën e duhur mes jetës dhe punës: “Mendoj se çështja nuk duhet të jetë si t’u mësojmë meshkujve për të qepur një buton apo për të hequr një njollë, por aftësi të mirëfillta për të jetuar, si të kuptojnë dhe komunikojnë me njerëzit”.

Efektet afatgjata të kësaj mund të ndihmojnë meshkujt të lundrojnë në ekonominë e re. Siç argumentoi së fundmi Dejvid (David) Leonhardt, në gazetën The New York Times: “Vështirësia akademike e djemve kthehet në vështirësi ekonomike. Pagat e burrave nuk po rriten. Burrat ka më shumë gjasa të jenë të papunë të pashpresë, as duke punuar, as duke  kërkuar për punë dhe as duke u kujdesur për familjen – sesa qenë dikur dhe tashmë të qenët popullsi inaktive në moshë pune ka më shumë gjasa t’u ndodhë burrave sesa grave.

Ndërsa papunësia punëkërkuese e meshkujve të bardhë, 5.1 për qind në prill, është më e lartë sesa papunësia e grave punëkërkuese të bardha me 4.7 për qind, edhe papunësia punëkërkuese e zezakëve meshkuj në masën 10.8 për qind, është me e lartë sesa papunësia e femrave të zeza me 10.4 për qind.

Vendosja e meshkujve në rolin qendror të mirëqenies ekonomike dhe emocionale të familjeve të tyre do t’u japë atyre një ndjesi se kanë vlerë dhe do ta zhdukë “inaktivitetin” e frikshëm.

Ideja që t’u mësosh djemve të pjekin bukë bananeje është natyrisht anateme për konservatorët shoqërorë, të tmerruar nga ajo që e perceptojnë se është një ndryshim rolesh gjinore (dhe perversitet) që ka ndodhur përgjatë gjysmëshekullit të fundit. Por gallata është se ringjallja e lëndës së ekonomisë shtëpiake mund të shërbejë si ilaç edhe për disa nga ankthet e të djathtëve. T’u besosh burrave të bëjnë kontribute thelbësore brenda shtëpisë mund t’i bëjë ata bashkëshortë më joshës, potencialisht mund të ngadalësojë dizintergimin e strukturës së familjes me dy prindër, fenomen të cilin konservatorët e konsiderojnë si fajtore për të gjitha sëmundjet e shoqërisë.

Minimalisht diçka e tillë mund të sigurojë që më shumë burra të marrin role aktive në jetët e fëmijëve të tyre, pavarësisht nëse janë apo jo në marrëdhënie romantike me prindër të tjerë.

Mësimi i aftësive bazë të nevojshme në shtëpi mund t’u shërbejë edhe atyre burrave apo grave që ende nuk kanë apo nuk do të kenë kurrë fëmijë.

Mosha mesatare për martesën e parë është rritur në 27 vjeç për gratë dhe 29 vjeç për burrat; njohuritë si të ushqejmë, të veshim dhe të kujdesemi për veten tonë po aq sa edhe për ata nën varësinë tonë, dhe sipas stilit të vjetër, të kujdesurit për bashkëshortin apo bashkëshorten, tashmë është një teknikë mbijetese.

Dukshëm, klasat në shkollë fillore mbi ekonominë shtëpiake nuk janë zëvendësues për të gjitha llojet e politikave përmirësuese ekonomike apo shoqërore që vendi ka nevojë. Por rikthimi i arsimimit mbi çështjet e shtëpisë këtë herë për të gjithë, do të ketë gati një produkt astronomik përfitimesh anësore. Së paku, kjo do të na rikujtojë ne vlerën e jashtëzakonshme të punëve të shtëpisë, e cila është parë si joserioze për shumë tepër kohë pikërisht për shkak se gjysma e popullsisë është detyruar ta bëjë atë dhe nuk është detyruar thjesht nga biologjia.

You may also like...