Lazarati si fryma e qeverisjes

images (1)Kemi një fshat që është referencë europiane për mbjelljen e kanabisit, është bërë referencë shqiptare si zonë pa ligj, jashtë kontrollit të qeverisë shqiptare që nga viti i largët 1997. Italianët thonë se vlera e kanabisit të prodhuar atje, konvertohet në 5 miliardë euro xhiro vjetore për një rrjet të gjerë keqbërësish, nga fshatarët që e mbjellin dhe që besohet se fitojnë disa qindarka nga xhiroja e përgjithshme, te zyrtarët e korruptuar që mundësojnë qarkullimin dhe eksportimin e kësaj sasie të stërmadhe mariuane.

Vitin e kaluar, u mësua se Lazarati pati arritur të bëhej qendra e teknologjisë së avancuar në mbjelljen e kanabisit, me fara të importuara nga Hollanda në gjendje për të dhënë dy kilogramë bar për katër metra katror, me fidanë të realizuar përmes metodës me kubik, puse qindra metra të thella për të vaditur bimën.

Përgjatë viteve, është shtruar gjithmonë pyetja se pse policia e shtetit, e cila ka forca më të shumta se e gjithë popullsia e fshatit, nuk shkon të hyjë atje dhe të shkatërrojë bimët që u bënë referencë në çdo raport të Bashkimit Europian, forcave ligjzbatuese të Italisë etj.

Përgjigjja qe e thjeshtë: paratë e bollshme të mariuanës mjaftojnë për të korruptuar çdokënd.

Në Shqipëri ka patur raste kur adoleshentë të kapur me pak gramë mariuanë janë trajtuar si kriminelë, janë dënuar nga gjykatat me burg ose me liri me kusht. Ka patur ky vend të shpallur në kërkim gra të moshuara për mbjellje kanabisi. Por për Lazaratin, policia e shtetit rezultoi se ka disa leksione! Leksioni i parë: mos mbillni më mariuanë, shijoni paratë që keni fituar! Leksioni i dytë, mos i luani paratë që keni fituar në kazino, investojini në biznese të ligjshme. Leksioni i tretë: mos mbillni mariuanë, lexoni libra! Leksioni i katërt: mos blini makina të shtrenjta, blini dyqane!

Këshilla të tilla duhet t’u jepen edhe të gjithë kriminelëve të tjerë, atyre që janë marrë me drogë, apo atyre që kanë vjedhur asetet publike. “Mos blini makina të shtrenjta, blini dyqane, apo investoni!” Në fund të fundit, kjo është ajo që ndodh çdo ditë në Shqipëri. Ne mësojmë për to vetëm kur ndokujt prej këtyre njerëzve u shpërthen tritoli dhe media i referohet atyre si “biznesmenë”. Koncepti biznesmen është bërë tashmë sinonim i konceptit kriminel.

Në fakt, ajo që ndodhi në Lazarat dhe këto leksione janë në përputhje të plotë me psikikën e udhëheqjes sonë. Psikika që vendi mund të ndërtohet me para të pista, se hajdutët mund të bëhen biznesmenë të shkëlqyer, ose “investitorë”.

Historia e njerëzimit në fakt ka treguar të kundërtën. Kolumbia, me banda droge me fuqi sa për të shlyer të gjithë borxhin e jashtëm të vendit, mbetet një shtet i mjerë dhe i varfër. Ai “biznesmeni” lazaratas është i ngjashëm me ato “biznesmenët” e Tiranës, Durrësit e të gjithë Shqipërisë, të cilëve u shpërthejnë bomba herë pas here. E çfarë dallimi mund të ketë mes dikujt që mbjell kanabis dhe atij që mbjell një pallat të paligjshëm? Problemi nuk qëndron as te kanabisi dhe as te pallati. Qëndron te paligjshmëria.

Nëse e lëmë vendin në dorë të këtyre “biznesmenëve” siç e kemi aktualisht, ka gjasa që bombat nuk do të na ndahen kurrë.

You may also like...