17 kokra vezë për pension ditor

kape pensioninDështimi i përsëritur i skemës së pensioneve, në vitin 1994, në vitin 2002 dhe në vitin 2014, është pjesa e dukshme e dështimit të përgjithshëm shoqëror të Shqipërisë

Gjergj Erebara

Në vitin e largët 1958, qeveria komuniste hartoi një ligj për sigurimet shoqërore. Pensioni i pleqërisë u la në masën 3300 lekë në muaj. Në atë kohë lekut nuk i qe hequr ende zeroja e famshme. Por 3300 lekëshi në muaj ose afërsisht 120 lekë dita, qenë të barabarta me 15 kokra vezë në ditë. Është pak a shumë si pensioni 50 mijë lekë të vjetra në muaj sot.

Detaje të tjera qenë që pagat e larta penalizoheshin. Nëse pagat e ulëta fitonin pension në masën 75 për qind, pagat e larta e fitonin pensionin në masën 50 për qind. Pensioni maksimal qe 5500 lekë ose 23 kokra vezë në ditë. Kuptohet që një numër shumë i vogël shqiptarësh penalizoheshin nga ky “solidarizim”. Drejtorët e drejtorive dhe shumë pak njerëz kishin pagë në masën 8000 apo 10 mijë lekë në muaj. Për më tepër, më 1964, qeveria nisi një sulm masiv kundër administratës publike duke dislokuar mbi 15 mijë punonjës nga një zonë në një tjetër me fushatën “ku ka nevojë atdheu”. Por procesi i dislokimit solli edhe reduktim të përgjithshëm të pagave të larta.

Për të përfituar pension, duhej të kishe mbushur moshën 50 vjeç për burrat dhe 45 vjeç për gratë me kontribute të derdhura për 20 vjet për burrat dhe 15 vjet për gratë. Jepej pension i pjesshëm në përpjestim me vitet e vjetërsisë, në rast se punëtori kishte 10 vite punë, merrte gjysmë pensioni.

Në vitin 1966, një ligj tjetër erdhi në këtë fushë. Përveç heqjes së zeros te leku, një ndryshim tjetër qe që pensioni i pjesshëm jepej në rast se kishte kaluar “gjysma e periudhës së kontributeve”, pra një rritje e lehtë. Pensioni minimal u rrit në 350 lekë, ndërsa pensioni maksimal u rrit në 900 lekë. Pra udhëheqësia komuniste u kujdes që vetes, si të paktët shqiptarë me rroga të larta, t’i jepte një pension më të lartë se sa çfarë u takonte me ligjin e vitit 1958. Papritur komunistët u bënë liberalë. Fiksojeni mirë këtë “rritje të kufirit të pensionit maksimal” dhe “reduktim të solidaritetit nga pagat e larta për te pagat e ulëta” sepse pikërisht diçka e tillë po ndodh sot në vitin 2014.

Në vitin 1993 erdhi ligji i rradhës. Ai qe praktikisht shpallja e falimentuar e skemës së pensioneve të kohës komuniste dhe nisja e një llogarie të re për Sigurimet Shoqërore. Qeveria e kohës pranoi që të shlyente nga buxheti i shtetit pensionet e 1.4 milionë shqiptarëve që kishin kontribuar në sistemin e mëparshëm, dhe premtoi se do t’i “indeksojë” këto pensione me normën e inflacionit. Shqiptarët e kuptuan pas nja një viti se çfarë kishte ndodhur. Pensioni mesatar për njerëzit që kishin dalë në pension para vitit 1994, qe vetëm 4 mijë lekë në muaj për zonat urbane (13 kokra vezë në ditë ose një kokër më pak se në kohën e komunizmit) dhe vetëm 1050 lekë në muaj (4 kokra vezë në ditë) për zonat rurale. Në kuptimin relativ, ata që dolën në pension pas 1 janarit 1994, morën pension më të lartë.

Ligji parashikonte që pensioni i plotë i pleqërisë jepej nëse kishe 35 vjet kontribute dhe mosha e pensionit rritej gradualisht deri në 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë. Skema parashikonte që të maturohej me këtë rritje të moshës së pensionit diku në vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe 20 vjeçare, supozohej se Shqipëria do të bëhej një vend normal. Punësimi do të rikthehej në vend bashkë me pagesën e rregullt të tatimeve dhe sigurimeve shoqërore.

Por nuk kaloi as tetë vite nga kjo “reformë” dhe problemi u rishfaq. Në vitin 2001, qeveria socialiste e kohës u ankua se sistemi nuk po ecte mirë. Diçka pozitive kishte ndodhur gjatë atyre viteve. Shfaqja e antibiotikëve më cilësorë e më të fuqishëm në treg psh, kishte shpëtuar nga vdekja një pjesë të të moshuarve. Ushqimi më i bollshëm ndoshta ndihmoi në rritjen e jetëgjatësisë. Njerëzit që kishin dalë në pension në vitet ’90, gratë psh në moshën 50 vjeçare, tani jetonin 70 e kusur vjeç. Kishin marrë një pension minimal por jetonin më gjatë falë parave të bollshme të fëmijëve emigrantë. Por kjo situatë nuk mund të na gënjejë. Skema e pensioneve në atë kohë, si edhe sot, nuk e kishte problemin te sasia e përfitimeve të pensionistëve. E kishte problemin te sasia e kontributeve të derdhura në skemë.

Tani, qeveria socialiste e kohës shpalli më 2001 se nuk kishte para për të paguar pension për gratë në atë moshë që qe dhe për burrat në atë moshë që qe, afërisht 55 dhe 60 vjeç. Ajo miratoi një ligj që e përshpejtoi rritjen e moshës, me gjashtë muaj në vit deri në vitin 2012. U la që më 2012, mosha e pensionit të mbërrinte 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat. Edhe kësaj here u premtua se ndoshta, brenda një dekade, Shqipëria do të bëhej një vend normal, ku njerëzit punojnë dhe paguajnë taksa. Qeveria jo vetëm që rriti moshën e pensionit fët e fët deri në vitin 2012, por përcaktoi kufirin e ri minimal të viteve të kontributeve në masën 35 vjet, duke filluar që nga viti 2004. Me ligjin e vitit 1993, mosha e kontributeve do të bëhej minimalisht 35 vjeç vetëm në vitin 2014. Pra një rritje e dyfishtë e moshës minimale për marrjen e pensionit dhe viteve të kontributeve të nevojshme për të marrë pension.

Viti 2012, i konsideruar në ligjin e vitit 2002 si koha kur ekonomia shqiptare dhe shteti shqiptar do të maturohej. E pra, ky vit kaloi dhe normalizimi nuk ndodhi. Qeveria shqiptare ka propozuar aktualisht një rritje tjetër të moshës së daljes në pension, si dhe një rritje të mëtejshme të moshës së viteve të kontributeve të nevojshme për të marrë pension të plotë. Dokumenti i Politikave të Pensioneve është i paqartë në shumë detaje. Do të duhet të përkthehet në ligj për të mësuar se çfarë ekzaktësisht ndryshon. Por fakti është që ky dokument parashikon rritjen e moshës së kontributeve nga 35 në 40 vjet brenda dhjetë viteve të ardhëshme. Kjo rritje e moshës së kontributeve mund të mos ngjajë aq dramatike në rast se nuk shihet në kontekstin shqiptar. Por në fakt është dramatike nëse marrim parasysh që pjesa dërrmuese e shqiptarëve përgjatë njëzet viteve të fundit kanë mbetur shpesh pa punë, kanë punuar në të zezë apo kanë punuar me bilance të dyfishta. Që një njeri i dalë në punë në vitet ’90 në moshën 25 vjeç të marrë pension të plotë në moshën 65 vjeç, do të duhet të ketë punuar së paku 40 vjet me kontratë të rregullt. Këto shqiptarë janë të paktë në numër. Shumica dërrmuese gjatë kësaj kohe ka qenë e papunë, ka qenë e punësuar në të zezë apo ka nxjerrë bukën e gojës si të mundej. Kjo shumicë dërrmuese nuk do të marrë pension të plotë, do të marrë pension social. Pensioni social në masën 6650 lekë në muaj për vitin 2015 është i barabartë me 17 kokrra vezë në ditë. Ky pension do të përfitohet vetëm pas moshës 70 vjeç.

Nuk e di a përbën ngjushëllim fakti që ky pension do të jetë 3 kokra vezë më shumë se sa ai i kohës së komunizmit, apo tre kokra vezë në ditë më pak se sa pensioni aktual i fshatit. E vetmja gjë që duket se po ndryshon në skemën e pensioneve aktualisht është heqja e konceptit “pension maksimal,” i cili aktualisht është 24 mijë lekë të rinj. Për njerëzit që kanë patur fatin të punojnë 40 vjet, me pagë 90 mijë lekë e më shumë në muaj, pensioni i premtuar do të jetë më i lartë se sa ai aktual. Një llogaritje e përafërt tregon se këta njerëz nuk do të marrin 24 mijë, por 35-40 mijë lekë pension në muaj. Këto janë një minorancë e papërfillshme e shqiptarëve.

Dy pika kanë qenë të parapëlqyera nga qeveria shqiptare e sotme si pika reference për debatin e pensioneve: 1. Rritja e pensionit për pagat e larta; 2. Ulja e përfitimeve për zyrtarët e lartë. Këto dy argumente përbëjnë vlerë të shtuar nga pikëpamja propagandistike, por nuk zënë peshë në krizën e përgjithshme shoqërore të shqiptarëve. Fakti që një deputet del në pension herët dhe merr 100 mijë apo më shumë lekë pension mujor nuk është se ngre peshë në deficitin e përgjithshëm që është aktualisht 250 milionë euro në vit. Dhe ulja e këtij përfitimi nuk është se mund të na ngushëllojë duke marrë parasysh se shumica e deputetëve dhe ish-deputetëve, nuk është se jetojnë me pension.

Frika e ligjshme e çdo shqiptari duhet të jetë dyshimi se në vitin 2025, një qeveri tjetër do të hartojë një “reformë” tjetër, për t’i thënë shqiptarëve se mosha e kontributeve do të duhet të rritet në, fjala vjen, 45 vjeç.

Morali i fabulës është se dështimi tërësor i politikëbërjes, jo vetëm në skemën e pensioneve, por në shtetin shqiptar si një subjekt që mbledh taksa dhe paguan përfitime nga këto taksa për të gjithë shqiptarët, po e çon vendin drejt një joshteti. Skema e pensioneve është shembulli më i mirë për këtë. Një marrëveshje e shkruar në ligje të njëpasnjëshme prej shumë dekadash që premton përfitime për shqiptarët në këmbim të kontributeve, por këto përfitime nuk vijnë. Kontrata ndryshohet gjithmonë në mënyrë të njëanshme nga shteti, gjithmonë në dëm të nënshtetasve.

Shumë shpejt shteti do të jetë një koncept i vlefshëm vetëm për elitat. Për pjesën tjetër të shqiptarëve, shteti do të jetë një farë beu që jeton në Tiranë dhe që jep ndonjë lëmoshë herë pas here në pjesën tjetër të vendit.

Skema e pensioneve e cila po shpallet e falimentuar aktualisht është pjesa e dukshme e falimentit të përgjithshëm shoqëror shqiptar. Ne vdekatarët e zakonshëm që bëjmë llogaritë dhe kuptojmë se për gjeneratën tonë vështirë se do të ketë pension, ose që do të ketë pension minimal, nuk është se kemi në dorë çfarë të bëjmë. Por të paktën nuk duhet ta pranojmë falimentimin tonë si shoqëri si “reformë”.

Referencat: Ligji Nr. 2803, datë 4.12.1958, Ligji Nr.4171, datë 13.9.1966, Ligji NR.7703 datë 11.5.1993, Ligji Nr. 8889, datë 25.4.2002, si dhe Dokumenti i Politikave tw Pensioneve Prill 2014.

You may also like...