Kapitalistët e qeveria me aftësi të kufizuara

Xhabyni

Kaloi si pa u vënë re lajmi që nga vendi ynë gjatë vitit 2011 kishte dalë një shumë e madhe në drejtim të vendeve që në termin gazetaresk quhen “parajsa fiskale” e që në gjuhën e popullit përkthehen “aty ku rrinë paratë e pista”. Ishte një shumë prej rreth 201 milion eurove.the capital and the capitalist from the russian revolutionary poster by v polonski 1925 posters2

Ka shumë pika që mund të diskutohen në këtë lajm. Përse duhej një gazetë ndërkombëtare të jepte këtë lajm kur fare mirë gazetarët e mediave tona në vend që të merren me “zogjtë” e këngëtarëve mund të merren me këtë temë? Si është e mundur që të mos ndiqet dhe investigohet nga autoritetet vendore një transferim i tillë?

Por lajmi është edhe më tronditës sepse sipas investigimit të kryer nga një agjenci qeveritare në Washington, flitet se kjo shumë (pra ajo e vitit 2011) është rritur në mënyrë progresive në krahasim me shifrën e vitit 2011

Ndërkohë që institucionet që duhet të merren me zbardhjen e kësaj çështjeje, që është diçka që nuk pritet të ndodhë, heshtin po mundohem të hedh dritë se si ka mundësi që një kapital i tillë të dalë nga vendi. Cilët mund të jenë arsyet e kësaj lëvizjeje?!

Skundër të gjithë e kuptojmë kjo shumë parash, që përbën rreth 8% të PBB-së, është para e pisët, para e evazionit fiskal dhe e aktiviteteve ilegale. Një para që në burim të saj ka atë që në gjuhën e ekonomistëve perëndimor njihet si “Paraja që vjen nga kapitalizmi-fisnor që është në modë në ish vendet komuniste”.

Vendet ish komuniste trashëguan jo vetëm një ekonomi të shkatërruar por edhe një sistem jetese tërësisht të varur nga shteti, të gjithë këto vende ishin në mungesë të legjislacioneve sidomos ato ekonomike. Por ato u përballën me një kapitalizëm që erdhi drejtë për drejtë nga komunizmi, me një privatizim të pafre që erdhi drejtë për drejtë nga një shtetëzim agresiv dhe po kështu nga një privatizim pa rregulla dhe pa drejtësi. Kështu që shumica e brigadierëve zaptuan minierat apo fabrikat duke u kthyer kështu në pasanikët e rinj të vendit, një pjesë tjetër provuan shijen e tregtisë duke përdorur hile të ndryshme dhe duke u kthyer po kështu në pasanikë. Një grup i tretë përdorën hiletë dhe zaptimin e pronave private që i përkisnin tjetër kujt dhe shteti përmes ligjit 7501 i dha një dorë duke ia gjysmë legalizuar.

Me të tilla premisa u bë gjithnjë e më e vështirë për të patur një kapitalizëm korrekt, pasanikët e rinj befas ishin po ato fytyra të vjetra të një nomenklature të vjetër, apo të rinj që u nxituan ta kuptonin kapitalizmin nga mësimet e komunizmit. Shembulli më i thjeshtë është ai i Kokdhimës i cili për vite me radhë i ka torturuar dhe i torturon punonjësit e tij duke mos ua shpërndarë asnjëherë pagën në kohë.

Shteti e kishte gjithnjë e më të vështirë për të mbledhur para nga këto kapitaliste të rinj, shumë shpejt ai u bë palë me to duke krijuar një sistem të vështirë për t’u kontrolluar. Në fillim qe Nano që institucionalizoi deputetin biznesmen me fabulën që një biznesmen që ka para nuk ka ç’i do paratë dhe pasuritë e popullit, më pas këtë trashëgimi e perfeksionoi (duke futur dhe median) Rama i cili krijoi një kulturë që në vend njihet si ai i 20% dhe në fund Berisha që krijoi kupolën e kapitalizmit familjar dhe klanor.

U bë e pamundur që shteti të mblidhte të ardhurat madje jo pak herë ai dukej si një gjynahqar që priste nga mëshira e pasanikëve të rinj që shfrytëzonin, përmes njohjeve të tyre në pushtet, çdo pasuri kombëtare. Po të bëjmë një bilanc të kompanive më të fuqishme në vendin tonë ato mund të jenë diku tek 15 të tilla, emrat e sipërmarrësve të këtyre kompanive janë 5; nën këtë frymë lokalet dhe jeta e natës i ngjason gjithnjë e më shumë SHBA-së së viteve 30’, ku Al Kapone dhe Lucky Luciano bënin ligjin në qytet.

Po përse këto persona kanë vendosur të largojnë paranë e tyre nga vendi sidomos tani që kanë edhe kontrollin ndaj pushtetit? Arsyet, sipas mendimit tim, janë dy:

Arsyeja e parë është frika e një krize financiare që mund të ndodhë në vendin tonë, një situatë e tillë ka ndodhur në Rusinë e viteve 98’-99’ ku pasanikët e asokohe (miq të Jelsinit dhe ish komunistë) larguan pasurinë e tyre sapo në Rusi u ndje kriza financiare dhe ekonomike. Kështu që Jelsini u detyrua që barrën fiskale t’ia peshojë gjithnjë e më shumë popullit. A do të ndodhë e njëjta gjë edhe me Ramën dhe taksën e re progresive? Përgjigja është e thjeshtë “vdekja dhe taksat janë të vetmet gjëra të sigurta në këtë jetë!”

Arsyeja e dytë është frika se mos dikush nga këta persona do të bëhet kokë turku jo për të prishur dhe rrënuar sistemin, përkundrazi për ta zëvendësuar hoxhën me priftin dhe kështu shuma parash qarkullojnë dhe trafikohen sa nga njëra parajsë fiskale në një parajsë tjetër. Në fund të fundit populli është i detyruar të paguajë taksën e pasanikëve, që edhe kësaj radhe duket se dolën të fituar.

Këto kapitale që lëvizin sa njëri vend në tjetrin pa u gjurmuar asnjëherë nga asnjë institucion të krijojnë përshtypjen e një sistemi që punon për këto biznesmen që duket se janë mbi ligjin dhe aspak të barabartë me qytetarët e tjerë. Me një të rënë të lapsit, nëse një qeveri do të gjurmonte këtë shumë parash me shumë mundësi ajo do të ulte ndjeshëm jo vetëm borxhin publik por edhe barrën që i takon një qytetari të këtij vendi të paguajë për hir të atyre që janë mbi sistemin.

Megjithëse me sa duket, qeveritë tona e kanë zgjedhur se si do të veprojnë; sa herë që janë në opozitë ato do ta akuzojnë këtë lëvizje të parave e sa herë që hipin në pushtet do të bëjnë shurdhin, memecin dhe të verbrin. Në pak fjalë nga një opozitë e shëndetshme do të shndërrohen në një qeveri me aftësi të kufizuara.

You may also like...