Aksioni anti informalitet në një stad tjetër

Gjendur përballë presionit të ardhurave të ulëta si edhe presionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili kërkon rezultate sa i takon lëvrimit të këstit të radhës, qeveria shqiptare ka vendosur të lëvizë në dy fronte.

Burime shumë pranë Kryeministrisë konfirmojnë se në një takim kokë më kokë me Ministrin e Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj dhe Ministrin e Financave, Z. Shkëlqim Cani, është diskutuar mbi mënyrat teorike dhe praktike se si mund të dilet nga kjo gjendje.

Pas një bisede të gjatë mbi konceptet e taksimit dhe fiskalitetit mësohet se Kryeministri ka përcjellur për një takim me gazetarët z. Cani dhe ka mbetur në zyrë me Ministrin e Ekonomisë. Atje është rënë dakord që të merren disa ekspertë nga Universiteti i Harvard, MIT dhe Oxford për të studiuar mënyrën më të mirë të daljes nga gjendja.

Mësohet se në shtator 2015 në Tiranë kanë zbritur 15 profesionista nga MIT, Harvard dhe Oxford që në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të tatim-taksave në Shqipëri kanë punuar mbi Master-Super-Planin Fiskal.

Pas rreth dy muaj shqyrtime teorike dhe praktike grupi i punës vendosi që të zbatoheshin dy rrugë kryesore për të dalë nga kriza. Më së pari u mendua hartimi i një pakete fiskale për vitin e ardhshëm ku të rriteshin taksat indirekte. Kështu për bisedimesh të gjata u vendos heqja e taksës për BV 0-5 mln lekë dhe vendosja e TVSH-së 20% në tualetet e BV.

Arsyetimi i grupit të punës, shprehet Ministri Ahmetaj në konferencën për shtyp, lidhet me mundësinë që Haleja si një konsumator përfundimtar i produkteve mund të na ndihmojë të kuptojmë evazionin fiskal që kryhet në Biznesin e Madh. Parashikohet që nurmi i tatimorëve të dhjetëfishohet, kështu që banjot e BV me xhiro 0-5 mln lekë por edhe banjot e tjera të BV, do të hetohen nëse japin apo jo kasë fiskale për çdo shkuarje.

“Siç edhe shihet, kemi të bëjmë me një kombinim frytëdhënës të politikës fiskale progresive me atë të një aksioni qeveritar” u shpreh z. Rama në takimin e sotëm me BV “Ka ikur koha e Saliut ku shqiptarët ishin të barabartë. Sot, kjo taksë jo vetëm që do pastrojë Shqipërinë por do të barazojë nevojtoret e vendit. Ne, e kemi theksuar që në fillim që jemi për barazi në të gjitha drejtimet. Personalisht do të kujdesem që vitin e ardhshëm kjo taksë që pritet të sjellë 30 mln USD në buxhetin e shtetit shtesë, të injektohet edhe në tualetet e shtëpive private.”

Ai shtoi se taksa nuk bën dallim nëse banja është alla frënga apo alla turke, gjithashtu siguroi të gjithë shtresat në NEVOJË se do t’i rimbursojë të gjithë kuponat e tyre.

“Në fund, ju këshilloj të merrni kuponin sepse mund të fitoni edhe nga ai kupon që e merrni në atë vend. Le ta pastrojmë Shqipërinë, le ta pastrojmë që nga tualeti jonë”.

Mësohet se motoja e re në Drejtorinë e Tatimeve është “Në Tualet me Kupon, më kupton?”

You may also like...