Kalërimi i publikes nga privatja dhe kleptokracia rilindase
Kur sheh titullin e këtij opinioni të shkurtër lexuesi nis të hamendësojë, a bëhet fjalë për skemën Pinoçetiste të financimit të universiteteve, a bëhet fjalë për zgërlaqen e plazhistëve bio në 20% të hapësirës së plazheve të Shqipërisë, apo bëhet fjalë thjesht për shfrytëzimin masiv të posteve publike për përfitime private. Fakti që lindin kaq shumë hamendësime tregon gjendjen e mjerueshme të publikes në Shqipëri.
Ky opinion i shkurtër trajton situatën e shfrytëzimit të të mirave publike në funksion të sipërmarrjeve private, skemë e cila më pas shfrytëzohet nga qeveria për të grabitur qytetarët. Për të ilustruar gjendjen merret si shembull rruga Tiranë – Rinas, saktësisht segmenti pranë Universiteti EPOKA.
Pas vitit 2009 rruga Tiranë – Rinas e ndërtuar me fonde publike rezulton të jetë transformuar pikërisht në segmentin pranë Universitetit EPOKA. Kështu në këtë segment rruga ndryshon përkohësisht nga 2 korsi në 4 korsi, gjithçka në funksion të hyrjes dhe daljes së automjeteve në Universitetin EPOKA. Ky ndryshim i rrugës është shoqëruar edhe me ndryshimin e qarkullimit të automjeteve. Kështu automjeteve që shkojnë nga Tirana në Rinas u kërkohet nga sinjalistika rrugore thuajse e padukshme (vizime rruge të fshira) që të mos vijojnë në korsinë ku ndodhen por të zhvendosen një korsi në të djathtë, kjo në mënyrë që korsia që këto automjete mbajnë gjatë gjithë kohës, në këtë segment rrugor të vihet në përdorim si vend ndalimi i automjeteve që shkojnë nga Rinasi në Universitetin EPOKA.
Çudia nuk mbaron me ndërhyrjen e një universiteti privat në infrastrukturën rrugore publike, pasi ashtu si njihet gjerësisht në Shqipëri, bashkëpunimi publik – privat është një taktikë e shkëlqyer për të zhvatur qytetarët. Nëse në ditët e sotme do të udhëtoni drejt Rinasit mund të keni fatin e keq të përballeni me çakallët (policët rrugorë) e qeverisë të cilët ngrenë kurthin e tyre pikërisht në këtë segment rrugor. Kështu duke shfrytëzuar mundësinë që u ka dhënë universiteti privat me ndërhyrjet çrregulluese të qarkullimit dhe sinjalistikën rrugore thuajse të padukshme, të cilat shoqërohen nga konfuzioni që shkaktohet tek drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë drejt Rinasit, çakallët e qeverisë sa herë u duhet të kapin targetet e vendosur nga shefat ngrenë në këtë segment një pikë ndalimi ku ndalin dhe gjobitin të gjithë drejtuesit e automjeteve që nuk devijojnë një korsi djathtas por vijojnë rrugën në korsinë ku ndodhen. Me një vrojtim të shkurtër vihet re se edhe pse çakallët e qeverisë janë të dukshëm nga shumë larg, 2 në 3 shoferë bien lehtësisht pre e kurthit të tyre.
Ilustrimi përmes këtij shembulli të sjell ndër mend pikërisht stereotipet që ekzistojnë mes shqiptarëve në lidhje me ndryshimet në sjelljen vjedhëse të qeveritarëve të PS dhe PD, sipas të cilëve qeveritarët e PD janë shumë harbutë dhe të patakt në zbatimin e vjedhjeve dhe abuzimeve të tyre, ndërkohë që qeveritarët hajdutë të PS janë më esnafë dhe ashtu si e theksoi dikur edhe Eduard Shalsi në një debat televiziv, qeveritarët e PS nuk do të vjedhin si ata të PD [do të vjedhin ndryshe].
Pavarësisht nga shfaqja estetike që kanë hajdutët që mbajnë poste publike janë njësoj të dëmshëm për shoqërinë, pasi pa dallim përvetësojnë në mënyrë të padrejtë të mirat publike, thellojnë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve, shkatërrojnë kapitalin social të vendit, zhdukin meritokracinë në administratë publike, rrisin nivelin e pamundësisë së aksesimit të shërbimeve publike shëndetësore e të arsimit dhe thellojnë pabarazinë e zbatimit të ligjit. Në një shoqëri të padrejtë në thelb, ku hendeku mes të pasurve të fuqishëm dhe të varfërve të dobët rritet vazhdimisht, përmirësimi estetik i qeverisjes përmes forcimit të zbatimit të mjeteve të qeverisë do të rezultojë thjesht në dhunim të mëtejshëm të pjesës më të varfër e më të dobët, pasi më të pasurit e më të fuqishmit kanë mundësinë dhe arrijnë t’i shmangen forcës së mjeteve të qeverisë madje arrijnë ti vendosin ato në funksion të tyre. Në mënyrë që të mos vazhdohet me ndërrimin e një hajduti gjoja të djathtë me një hajdut gjoja të majtë, apo me mbajtjen të palëvizur të hajdutit universal, duhet që shqiptarët të largohen nga barrikadat trushplarëse partiake dhe të orientohen drejt zhvillimit të një shoqërie të drejtë.