Pse Pakistani është një telash kaq i madh? Fajin e ka India

 

Pas një viti në zyrë, sinjalet e Modit për ripajtim me Islamabadin nuk kanë sjellë asgjë. Kjo ndodh për shkak se baballarët themelues të Indisë e krijuan Pakistanin me synimin që të dështonte.

nuclear_war_india_pakistanNISID HAJARIMAY, Foreign Policy

Nga të gjitha shpresat e ngritura nga zgjedhja e Narendra Modit si kryeministër i Indisë një vit më parë, ndoshta më e madhja qe dhënia fund e rivalitetit helmues shumë të vjetër me Pakistanin. Duke ftuar homologun e tij pakistanez Naëaz Sharif në ceremoninë e betimit – hera e parë që diçka e tillë ndodh që kur të dy kombet lindën nga Raji Britanik më 1947 – ai bëri një veprim të fortë në shenjë të pajtimit. Megjithatë, pak muaj pas betimit të Modit, forcat ushtarake të Indisë dhe Pakistanit shkëmbyen disa nga bombardimet më të rënda në shumë vite përgjatë kufirit të tyre de facto në Kashmir. Bisedimet e sapofilluara të paqes u rrëzuan. Dhe në prill, një gjykatë në Pakistan liroi me kusht Zaki-ur-Rehman Lakhvi, komandantin operacional të grupit militant Lashkar-e-Taiba dhe njeriun e akuzuar si organizatori i sulmeve terroriste të Mumbait (Bombeit) në vitin 2008, gjë që zemëroi shumë njerëz në Indi. Shumica e indianëve mendojnë se gjeneralët e Pakistanit kanë shumë pak interes për paqe dhe për këtë nuk është se e kanë tërësisht gabim. Prej shumë dekadash tashmë, duke kalëruar kërcënimin nga përtej kufirit, ushtria në Pakistan ka përfituar burime të stërmëdha dhe ndikim. Ky kërcënim ka sjellë edhe ndërmarrjen e politikave shumë të rrezikshme dhe destabilizuese nga ushtria e Pakistanit – që nga mbështetja e fshehtë për Talebanët apo militantët anti-indianë si grupimi Lashkar-e-Taiba deri te ndërtimi i arsenalit bërthamor të vendit.

Dikush mund të shohë arsye se pse Modi nuk po bën ndonjë përpjekje për paqe për sa kohë nuk ka bashkëbisedues më pak kokëfortë nga ana tjetër. Por sado e ekzagjeruar të jetë frika në Pakistan, udhëheqësit e Indisë kanë përgjegjësi në masë të gjerë për krijimin e kësaj frike Rezistenca e tyre ndaj vetë idesë së krijimit të Pakistanit, e bëri ndarjen e vitit 1947 të nënkontinentit shumë më të hidhur nga sa duhej të qe. Brenda pak orësh nga pavarësia, masakra të stërmëdha sektare shpërthyen në të dyja anët e kufirit; diku mes 200 mijë dhe 1 milionë njerëz humbën jetën në kasaphanë. Pakistani u përmbys nga dallgë të njëpasnjëshme refugjatësh, ekonomika dhe qeverisja e vendit u paralizua apo u krijua përgjysmë. Nga kjo gjendje u krijua një bindje jo tërësisht e paarsyeshme se India, më e madhe dhe më e fuqishme, synonte ta mbyste Pakistanin që në djep, – një ankth që e ka bërë Pakistanin të jetë gjithmonë pala më e dobët në këtë marrëdhënie.

Tani, njësoj si atëhere, udhëheqësit e Indisë u betuan se dëshironin vetëm vëllazëri dhe miqësi mes dy kombeve dhe se myslimanët në të dy vendet duhet të jetojnë të lirë nga frika. Ata iu përgjigjën akuzave se kërkonin luftë duke u mbështetur te Mohandas K. Gandi – “shenjtori i të vërtesës dhe paqes,” sipas flajëve të kryeministrit të parë të Indisë Jaëaharlal Nehru. Në fakt, Nehru dhe vetë Gandi – i shenjtëruari “Mahatma”, apo “shpirti i madh” – ndihmuan në ushqimin e frikës që vijon të përndjekë Pakistanin sot.

Ka shumë pak dyshime, për shembull, që udhëheqësia e Gandit në lëvizjen nacionaliste indiane në vitet 1930 dhe 1940 kontribuoi në përjashtimin e myslimanëve dhe në krijimin e dëshirës së tyre për një atdhe të pavarur. Ai futi religjonin në një lëvizje lirie që deri në atë kohë pati qenë domen i avokatëve dhe intelektualëve laikë, duke ushqyer masat e Indisë në terma më së shumti Hindu.

(“Nacionalizmi i tij Hindu shkatëron çdo gjë,” shkroi shkrimtari rus Leo Tolstoi për Gandin në kohën kur ai qe në fillesat e fushatës së tij. Megjithëse partia e Kongresit Kombëtar të Indisë pretendoi se fliste për të gjithë qytetarët, anëtarësia e saj mbeti në masën mbi 90 për qind Hindu.

Myslimanët, të cilët përbënin rreth një të katërtën e 400 milionë banorëve të Indisë para pavarësisë, mund të gjykonin nga fitoret elektorale të partisë së Kongresit në vitet 1930 se si mund të ishte jeta e tyre në rast se kjo parti merrte pushtetin nga britanikët: Hindut mund të kontrollonin Parlamentin dhe burrokracinë, gjykatat dhe shkollat; ata do të favorizonin njerëzit e fesë së tyre me vende pune, kontrata dhe favore politike. Dhe sa më shumë Gandi dhe Nehru hidhnin poshtë idenë e krijimit të një shteti të veçantë për myslimanët, aq më e nevojshme bëhej një shtet i tillë.

Ironikisht, Gandi mund të ketë shkaktuar dëmin më të madh në atë që zakonisht konsiderohet si momenti i tij i triumfit – muajt e fundit të sundimit britanik. Kur shpërthyen përleshjet para ndarjes së vendit mes hinduve dhe mysimanëve në Kalkuta në gusht 1946, ekzaktësisht një vit para pavarësisë, ai mbështeti idenë se gangsterët mbështetës të Mohammad Ali Jinnah, udhëheqësit të partisë Lidhja Myslimane, partia kryesore e myslimanëve, i pati provokuar qëllimisht vrasjet. E vërteta vështirë se është kaq e qartë: duket se të dyja palët u përgatitën për dhunë gjatë demonstratave të planifikuara pro-Pakistanit dhe se përleshjet fillestare u përshkallëzuan me shpejtësi deri sa dolën jashtë kontrollit. Dy muaj më vonë, pas raporteve alucinante që u shfaqën për një masakër të hinduve në rajonin e largët të Noakhalit në cepin lindor të Bengalit, Gandi ndezi histerinë hindu në vend që ta shuante atë. Ndërsa në atë kohë po arrinte moshën 80 vjeç, idetë e tija politike qenë vjetëruar dhe instinktet e tij qenë dobësuar nga vitet e gjata të lavdërimeve plot lajka për të. Megjithatë ai mbetej figura më me ndikim në vend. Fjalimet e tij në lutjet e mbrëmjes citoheshin dhe shpërndaheshin gjerësisht. Ndërsa disa nga udhëheqësit e partisë së Kongresit shpallën shifra të stërfryra mbi numrin e viktimave të masakrës – kryetari i partisë J.B. Kripalani deklaroi se numri i të vdekurve mund të arrinte në miliona ndërkohë që në fakt qe më pak se 200 – Gandi u përqendrua në pretendimet tejet të ekzagjeruara se keqbërësit kishin përdhunuar dhjetëramijëra gra hindu.

Në mënyrë të debatuar, ai i këshilloi viktimat e përdhunimit “të mbysin veten… të kafshojnë gjuhën dhe t’i japin fund jetës së vet” në vend që të lejoheshin të përdhunoheshin.

Brenda pak javësh, politikanët vendorë të partisë së Kongresit në shtetin fqinj të Biharit udhëhoqën manifestime të turpshme ku bëhej thirrje që hindutë të merrnin hak për gratë në Noakhali. Sipas reporterit të Neë York Times George Jones, nën shkumën e zemërimit “u bë shumë e vështirë të bëhej dallimi” mes sektarizmit vicioz të Kongresit dhe grupimeve radikale hindu si Rashtriya Sëayamsevak Sangh (RSS), kadetët e të cilëve patën filluar stërvitjet me armë për të parandaluar Ndarjen e Indisë. Turma të stërmëdha u krijuan në Bihar – ku popullsia qe e ndarë 7 me 1 në favor të hinduve – dhe u përhap në të gjithë zonat rurale të lagura nga musonet. Në disa netë masakrash, ata vranë më shumë se 7 mijë myslimanë. Pogromi efektivisht eliminoi çdo shpresë për një kompromis mes Kongresit dhe Lidhjes.

Edhe më shqetësues qe mbulesa morale që Mahatma i dha ndjekësve të tij të vjetër Nehru dhe “Sardar” Vallabhbhai Patel — një njeri i fuqishëm në Gujarati shumë i admiruar edhe nga Modi sot, i cili ka gjithashtu origjinë nga Gujarati dhe ka shërbyer si ministër kryesor i shtetit për më shumë se një dekadë.

Duke i bërë jehonë bindjes së Gandit kundër përzënies së myslimanëve drejt Pakistanit kundër dëshirës së tyre, Nehru dhe Patel këmbëngulën që provincat e stërmëdha të Punjabit dhe Bengalit të ndaheshin në dy gjysma myslimane dhe jomyslimane, ku zonat jomyslimane t’i mbeteshin Indisë. Jinnah argumentoi me të drejtë që një ndarje e tillë do të shkaktonte kaos.

Hindutë, myslimanët dhe sikhët qenë të përzjerë shumë në Punjab, dhe propozimi për ndarjen e provincës më dysh qe shumë larg ndarjes reale të popullsisë. Por kjo ndihmoi në shkaktimin e përleshjeve të shumta në fusht 1947 që solli shënjestrimin e myslimanëve për përzënien e tyre nga gjysma indiane e provincës, pjesërisht për të krijuar hapësirë për vendosjen e Sikhëve që po zhvendoseshin nga ana tjetër. Jinnah parashikoi gjithashtu me korrektësi se një Pakistan tepër i dobët, i zhveshur nga porti dhe qendra e madhe industriale e Kalkutës, do të qe një vend shumë i pasigurtë. Me fiksimin për të ndërtuar kapacitetet e veta ushtarake dhe për të dëmtuar Indinë, një vend i tillë do të bëhej burim destabiliteti të pafund në rajon. Megjithatë Nehru dhe Patel e deshën atë vend edhe më të dobët. Ata kundërshtuan deri në fund dhënien e çdo linje telefonike apo avioni lufte në bisedimet për ndarjen e aseteve koloniale dhe synuan qartë që shteti i dobët i Jinnah të detyrohej të lutej për ribashkim me Indinë.

Akoma më keq, udhëheqësit e Kongresit kërcënuan se do të prishnin dorëzimin e pushtetit në rast se atyre nuk u jepej pushteti menjëherë. Ky presion shpjegon se pse nënmbreti i fundit i Britanisë, Lord Louis Mountbatten, nxitoi të përfundojë tërheqjen e britanikëve dhjetë muaj para afatit, duke i lënë Pakistanit më pak se 10 javë për të ndërtuar veten. (Të lodhur, Britanikët nuk dukej se besonin se mund të vijonin të qeverisnin Pakistanin deri sa ky shtet të ngrihej në këmbë.)

Nehru dhe Patel nuk u shqetësuan fare për vështirësitë që kishte Jinnah. “Askush nuk i kërkoi Pakistanit të ndahet,” bërtiti Patel kur Mountbatten i kërkoi të tregojë më shumë fleksibilitet. Po, sapo përleshjet e ndarjes shpërthyen, Gandi dhe Nehru u përpoqën me trimëri për të ndalur vrasjet, duke rrezikuar jetën e tyre për të ndalur turmat e zemëruara të hinduve dhe sikhëve. Megjithatë, për shumë pakistanezë, këto përpjekje individuale vlejtën pak. Gandi dhe Nehru nuk arritën të ndalonin zyrtarët e tyre nga sabotimi, si psh mosdorëzimi i armëve dhe magazinave ushtarake që duhej t’i transferoheshin Pakistanit. Ata nuk e ndaluan Patelin të nisë trena të tërë me myslimanë nga Delhi e zona të tjera drejt Pakistanit, gjë që rriti frikën se India synonte të përmbyste fqinjin e vet me refugjatë. Ata nuk e detyruan Kripalanin dhe udhëheqës të tjerë hindu të heshtnin, kur këta i kërkuan hinduve që jetonin në Pakistan që të emigronin, gjë që la kombin e ri të Jinnah pa shumë nga zyrtarët, bankierët, mjekët e tregtarët e vet.

Udhëheqësit e Indisë nuk treguan ndonjë vetëpërmbajtje në përdorimin e forcës kur diçka e tillë i bënte punë. Pasi Pakistani pranoi hyrjen e Junagadhit në Pakistan, një mbretëri e vockël në Detin e Arabisë që kishte një udhëheqës mysliman por një popullsi pothuajse tërësisht hindu, Kongresi u përpoq të shkaktonte një revoltë brenda këtij territori, – revoltë që u udhëhoq nga Samaldas Gandi, një nip i Mahatmës; në fund, tanket e Indisë vendosën mbi çështjen. Kur Pakistani u përpoq në tetor 1947 të nisë një kryengritje paralele në Kashmir – një shtet shumë më i madh dhe i pasur me një mbret hindu dhe një popullsi në shumicë myslimane – trupat indiane ndërhynë sërish për të marrë kontrollin. Pacifisti Gandi, i cili më herët qe përpjekur të detyrojë maharaxhain e Kashmirit të bashkohet me Indinë, me plot zemër e mbështeti ndërhyrjen: “Çdo cënim ndaj tokës tonë duhet të mbrohet me dhunë, në rast se nuk mbrohet me paqe,” i tha ai Patelit. Pas vrasjes së Gandit në janar 1948, Nehru vijoi të citojë bekimin e Gandit si argument kundër çdo sugjerimi për tërheqje nga Kashmiri. Qëllimet e Gandit mund të kenë qenë të pastra. Megjithatë ai dhe trashëgimtarët e tij politik nuk vlerësuan kurrë siç duhet faktin se si disbalanca e stërmadhe e fuqisë mes Indisë dhe Pakistanit la pas një hije të zezë për veprimet e tyre. Edhe sot e kësaj dite, udhëheqësit e Indisë duken më shumë të shqetësuar për të mbajtur një qëndrim të lartë moral në lidhje me Kashmirin se sa t’i përgjigjen pasigurive strategjike të Pakistanit, pasiguri që janë reale. Kjo nuk i shëben askujt përveç radikalëve në të dyja krahët. Ndërsa kanalet televizive satelitore 24 orëshe kapin çdo ngjarje sado të vogël në kurifin mes dy vendeve dhe çdo përplasje të perceptuar diplomatike, shovinizmi është në rritje. Strategët indianë flasin përciptazi për idenë e goditjes përtej kufirit në rast se vendi përballet me ndonjë sulm tjetër terrorist të llojit te sulmit në Mumbai; Zyrtarët e Pakistanit flasin me lehtësi shumë shqetësuese mbi idenë e përgjigjes ndaj sulmeve të tilla me armë bërthamore taktike. Ndërkohë, nga zonat nën kontrollin e tyre në Pakistan, Talebanët kanë nisur një nga ofensivat më të egra në shumë vite në Afganistan, ndërsa forcat e SHBA-së përgatiten për t’u tërhequr prej atje. Nëse ai me të vërtetë dëshiron të zgjidhë konfliktin në këtë nënkontinent, Modi duhet të bëjë diçka që as vetë Gandi nuk arriti ta bëjë: t’i japë Pakistanit, një kombi të lindur nga paranoja e dominimit hindu, më pak gjëra për të pasur frikë.

You may also like...