Rekordet zgjedhore të vitit 2015

Në vitin 2015, Shqipëria kreu zgjedhjet e para sipas hartës së re territoriale ku pushteti vendor u organizua në 61 bashki.

Në ato zgjedhje garuan për kryetarë bashkie 156 vetë.

Në 39 nga  61 bashki kishte vetëm dy kandidatë, njëri për aleancën e majtë dhe tjetri për aleancën e djathtë.

Në 15 bashki kishte 3 kandidatë.

Në 7 bashki kishte më shumë se 4 kandidatë.

Bashkitë rekord ishin Memaliaj dhe Tirana me nga gjashtë kandidatë.

Kandidati me rezultatin më të lartë në përqindje ishte Nesim Spahiu nga Lëvizja Socialiste për Integrim që garoi si pjesë e koalicionit të majtë në Bashkinë Skrapar. Spahiu fitoi zgjedhjet duke marrë 86% të votave.

Me rezultate të tjera të thella fituan Edmond Themelko i Pustecit me 81% dhe Artur Bardhi në Kurbin me 82%

Rezultati më i dobët absolut u shënua nga kandidati Lefter Karajani i koalicionit të djathtë Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet. Karajani garoi për postin e kryebashkiakut të Finiqit në jug të Shqipërisë dhe mori gjithsej 1 votë.

Kandidati tjetër rekord ishte Vangjel Ngjelo i partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (MEGA). Ngjelo garoi për kryebashkiak të Dropullit dhe mori gjithsej 8 vota.

Kandidati fitues me më pak vota ishte Durim Rroshi nga koalicioni i majtë. Rroshi fitoi postin e kryebashkiakut të Memaliajt kur mori 37% të votave në një garë me gjashtë kandidatë. Shqipëria ka hequr balotazhin në zgjedhjet për pushtetin vendor që nga viti 2007, për shkak të tensionimit të situatës të parë në zgjedhjet e shkuara nga raundi i parë deri në balotash.

Kryebashkiakë të tjerë me më pak se 50% të votave ishin: Ahilea Deçka për koalicionin e djathtë në Dropull dhe Shukri Xhelili për koalicionin e majtë në Dibër me 48%.

Pjesëmarrja në zgjedhjet për pushtetin vendor është tradicionalisht më e ulët në Shqipëri se sa në zgjedhjet parlamentare.

Në vitin 2015, në zgjedhje morën pjesë 47.8% e votuesve në listë, ndërsa në vitin 2013 ishte 53%. Në vitin 2017, pjesëmarrja ra në 46.7%.

You may also like...