Rrënojat e një regjimi brutal biblik kthehen në pluhur nga përbindësha të ditëve tona
Reklamimi i barbarive nga ana e ISIS mund të jetë habitëse, por kanë qenë të shumtë sundimtarët përgjatë historisë që kanë zgjedhur reklamimin e krimeve të tmerrshme për përfitim politik.
Dan Carlin, Reuters
Çfarë përfitimesh mund të sjellë mizoria? Kjo pyetje më erdhi pasi detyrova veten të shoh disa nga videot propagandistike të grupit që e quan veten Shteti Islamik. Videot tashmë famëkeqe, paraqesin vrasjen barbare të pengjeve të pashpresa në mënyrat më të tmerrshme të imagjinueshme. Është e vështirë të mos vrasësh mendjen mbi qëllimet e realizuesve të këtyre filmimeve. Është gjithashtu vështirë të mos pyesësh veten se cila është audienca e shënjestruar e këtyre videove.
Unë pashë gjithashtu një video të kohëve të fundit ku militantët e ISIS shfaqen në një muezum ku aludohet se shkatërruan mbetje arkeologjike nga e shkuara shumë e lashtë e Mesopotamisë. Pata një ndjenjë ironie historike pas kësaj. Vrava mendjen, ndërsa i pashë duke përdorur vare dhe trapanë mbi një statujë 3 mijë vjeçare Asiriane, nëse ata e kuptonin se po bënin të njëjtën gjë që patën bërë edhe Asirianët kur u përpoqën të fshinin të shkuarën e rajonit.
Brenda zonës së shikimit me sy të lirë të qytetit të Mosulit që kontrollohet nga ISIS, gjendet kryeqyteti madhështor Asirian i Nineveh. Asirianët në atë kohë qenë mjeshtra të artit të marketimit të mizorisë. Koncepti i reklamimit të mizorisë së tmerrshme për të friksuar popullin apo kundërshtarët ka një histori të gjatë dhe ka dalë nga moda vetëm kohët e fundit (dhe jo gjithkund). Në mungesë të mjeteve mediatike të shekullit të 21 që ISIS posedon, popujt e mëparshëm kishin mjetet e tyre tradicionale për këtë qëllim Asirianët përdorën gurin si mjet për reklamimin e mizorisë.
“Unë ndërtova një kolonë mbi portën e këtij qyteti dhe rropa të gjithë krerët që qenë revoltuar dhe mbulova kolonën me lëkurën e tyre. Disa i vesha përreth kolonës, disa i ngula në hu mbi kolonë dhe të tjerë i ngula në hu përreth kolonës… unë i preva gjymtyrët oficerëve, oficerëve mbretërorë që qenë rebeluar… shumë robër mes tyre i dogja në zjarr, dhe shumë i mora të jetonin si pengje. Disave prej tyre i preva hundën, veshët, gishtat dhe disave i nxora sytë. Bëra një kolonë për trupat dhe një tjetër për kokët dhe unë i lidha kokët e tyre me trungje pemësh përreth qytetit. Fëmijët dhe gratë e tyre i dogja në zjarr.”
Kjo është me çfarë mburret një mbret asirian i cili jetoi gati 3 mijë vjet më parë. Ai e kishte emrin Ashurnasirpal II. Ai qe njëri nga shumë monarkë asirianë të të ashtuquajturës epokë “biblike” të historisë që e ushtruan sundimin e tyre me një brutalitet gati të pabesueshëm.
Mizoria e veprimeve të Perandorisë Asiriane u reklamuan përmes shkrimit, pikturave me ngjyra murale dhe gdhendjeve në gur. Historiani Arthur Ferrill i krahasoi ato me fotot e kampeve të përqendrimit të Nazistëve dhe tha se ato ishin gati të pakrahasueshme në histori. Vepra arti që tregojnë rrjepje të gjallë të robërve, nguljen në hu të të burgosurve, shpërngulje me dhunë në masë të popujve të pushtuar, pengje të djegur apo që i kanë prerë gjuhën dhe male me koka njerëzish. I mbetet vetëm fantazisë për të zbuluar se çfarë mund të kishte bërë Ashurnasirpal në rast se ai do të zotëronte teknologjinë e videos.
Por Asirianët qenë më shumë e zakonshmja se sa përjashtimi përgjatë pjesës dërrmuese të historisë botërore. Romakët e lashtë, përshembull, e dinin gjithashtu se si mund të reklamonin krimet e tyre. Një nga gjeneralët e tyre, Mark Krasi, në mënyrë të famshme vari skllevërit e mbijetuar pas revoltës së Spartakut nëpër kryqe përgjatë rrugës Apia. Të 6 mijë viktimat vdiqën të varur në të dyja krahët e kësaj rruge romake me trafik të dendur, ndërsa kryqet qenë vendosur me intervale të ndara në mënyrë të barabartë përgjatë të gjithë rrugës. Trupat e tyre u lanë aty për shumë muaj. A është ky një ekujvalent i lashtë i postimit të akteve të tmerrshme të dhunës në internet? Apo është më shumë verioni i përgjakshëm i fushatave me pankarta të ditëve të sotme? Natyrisht që kjo nuk qe e pazakontë. Mizoritë e reklamuara kanë vijuar përgjatë pjesës më të madhe të historisë njerëzore dhe ka qenë e zakonshme për shumicën e vendeve deri vonë.
Ka ndodhur vetëm gjatë shekullit të fundit që ekzekutimet publike, përshembull, janë bërë më të rralla. Djegia, prerja e kokave apo varja (me apo pa torturë si aperitzer) konsiderohej si një akt që përforconte ligjin dhe autoritetin dhe demonstronte se drejtësia po vihej në vend. Shpesh mendohej si diçka moralizuese që të merrje fëmijët për të parë. Por, po të kishte patur video dhe internet dy shekuj më parë, a do të ekzistonte sërish mentaliteti mbështetës i idesë së ekzekutimeve të tilla publike?
Marketizimi i stilit të vjetër të mizorisë dhe leksionet duket se janë në kontrast të thellë me përqasjen e ditëve tona. Në shekullin e 20, arkitektët e mizorive masive zakonisht u përpoqën të maskojnë apo fshehin egërsinë e tyre. Dikush mund të argumentojë se ata ndjenin që ndjeshmëritë njerëzore qenë bërë më të rafinuara dhe që ekspozimi masiv i punëve të tyre do të kishte pasoja negative për ta. E si mund të kishte reaguar publiku gjerman që jetonte nën Rahjun e Tretë nëse do të kishte video të stilit të ISIS të prodhuara për të paraqitur skenat brenda kampeve të vdekjes apo dhimave të gazit? Edhe në një komb me tru të shpëlarë nga antisemitizmi i nxitur nga shteti, është e vështirë të imagjohet që pamje të tilla të krijonin ndonjë reagim pozitiv ndaj regjimit nazist.
Fakti që mjeshtrat e marketingut të Shtetit Islamik mendojnë ndryshe është interesant Ndoshta kjo është më shumë provë e idesë që ISIS kërkon të kthehet te vlerat e një epoke historike shumë më të hershme dhe shumë më të ashpër. Nëse po, ne jepo duke parë një shembull vizual dhe të afërt të asaj që paraardhësit tanë do të mund të kishin bërë nëse do të kishin një studio të mirë televizive.
Por pyetja është, nëse publikimi i videove në internet do të ekzistonte në Mesjetë, a do të bëhej virale videoja e djegies së gjallë të Zhan Dark? A do të bëhej virale një video e tillë sot?